“Egnatia nuk fal, sot është radha ime të shënoj!”, kapiteni i rrogozhinasve: Vllaznia nuk luan me “autobus” para portës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 10, 2022 | 11:35

“Egnatia nuk fal, sot është radha ime të shënoj!”, kapiteni i rrogozhinasve: Vllaznia nuk luan me “autobus” para portës

E duan dhe e respektojnë të gjithë. Në tri vite radhazi që luan në Rrogozhinë, braziliani 23- vjeçar, Xhekson Kenio, ndihet tepër i vlerësuar. Tanimë me shiritin e kapitenit, Xhekson deklaron pa drojë se Egnatia do ta mundë sot Vllazninë, madje shkon edhe më tej se kaq, duke deklaruar se është radha e tij për të shënuar dhe marrë një tjetër trepikësh të rëndësishëm pas atij në Laç. Kapiteni, që tanimë e flet gjuhën shqipe më mirë se të gjithë të huajt e tjerë tek Egnatia, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, flet për ndeshjen e sotme dhe objektivat personalë. Këtë sezon ai është graduar kapiten.

XHEKSON

OPTIMIZMI – “Fitorja në Laç e ka shndërruar tërësisht situatën. Të gjithë e kuptojnë se mundësitë janë për më shumë. Luajmë me një skuadër që nuk mbyllet prapa dhe e vendos ‘autobusin’ te porta e saj. Ne do të bëjmë gjithçka për të bërë paraqitje dinjitoze dhe ta fitojmë ndeshjen nëpërmjet një manovre efikase, ku sulmi besoj se do të luajë rolin e tij pozitiv për rezultatin që duam”.

GOLI – “Detyra për t’i shërbyer sa më mirë skuadrës bëhet edhe më e plotë kur shënon. Mendoj se sot ka ardhur radha ime. Kam një ndjesi se do të jem protagonist në këtë ndeshje. Do të shënoj dhe goli im do ta çojë skuadrën në një tjetër fitore si ajo që arritëm ndaj Laçit. Në fushën tonë, grinta dhe karakteri i lartë që tregojnë të gjithë futbollistët, asnjëherë nuk është vënë në dyshim”.

KAPITEN – “Me këtë detyrë që më është dhënë që nga fillimi i këtij kampionati, po kuptoj vërtet shumë se sa përgjegjësi ka mbajtja në krah e shiritit. Përpiqem së pari vetë të jap kontribut maksimal. Dhe në fushë ua kujtoj edhe shokëve të skuadrës respektimin sa më mirë të detyrave që na jep trajneri”.

TIFOZËT – “Në të tri ndeshjet e deritanishme, pavarësisht rezultateve, me ta jam vërtet i mrekulluar. Rrogozhina është një qytet i vogël, por futbollin e duan shumë të gjithë sportdashësit. Janë tepër entuziastë, dhe na mbështesin fort. Ne jemi një skuadër shumë e investuar dhe tifozëria e ka kuptuar tashmë se çdo shkujdesje e tyre nëpër tribuna çon në penalizime”.

FATMIR EFICA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"