Egnatia ngjitet në krye, Merxha lë Elbasanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2018 | 10:03

Egnatia ngjitet në krye, Merxha lë Elbasanin

Egnatias i mjaftojnë 45 minuta për të marrë tri pikët përballë Elbasanit, duke u konfirmuar si pretendente për t’u ngjitur në Superiore. Goli i Dimos me penallti dhe i Cankës u dhanë tri pikët miqve, duke e bërë të pavlefshëm rrjetën e Brahimajt në fund. Verdheblutë duken në ditët më të errëta dhe u rikthehen hijet e dy sezoneve më parë, kur ranë nga kategoria, teksa në dy sfida nuk kanë marrë ende asnjë pikë dhe më keq se kaq nuk mund të niste kampionati për ta. Kostot e dy humbjeve i merr përsipër tekniku Merxha, i cili në fund të ndeshjes ka dhënë dorëheqjen. Ndërkaq, Egnatia pas dy takimeve të para është e vetme në krye me pikë të plota.

Merxha2

NDESHJA – Përballja nis vrullshëm që në fillim dhe të jep përshtypjen e një sfide që do të prodhojë spektakël. Dimo që në start shumë fare pranë portës nuk godet si duhet, ndërsa në krahun tjetër është Hoxhaj që godet traversën për elbasanasit nga goditja e dënimit. Përballja është e bukur dhe me raste, ndërsa sfida do zhbllokohej pas një penalltie të Dimajt, i cili e fiton dhe e ekzekuton vetë në minutën e 18-të. Elbasani mundohet me Eziken që rrëmben një top nga Broshka, triblon bukur në zonë, por nuk godet si duhet. Kur pritej goli i Elbasanit, është Canka ai që shënon, teksa përfiton nga një krosim në zonë dhe gabim i mbrojtjes elbasanase, duke dyfishuar shifrat në të 38-ën.

ske

Ndeshja merr tatëpjetën për elbasanasit, të cilët krijojnë volum dhe raste, por u mungon finalizimi. Mbyllet fraksioni i parë në shifrat 0-2. E dyta nis me një Elbasan më kërkues, ndërsa rrogozhinasit mundohen të administrojnë lojën dhe të shfaqen rrezikshëm me kundërsulm. Elbasani tenton më shumë me anë të goditjeve të ndaluara të ekzekutuara nga Hoxhaj, por pa rezultat. Ritmi i lojës bie disi, ndryshe nga fraksioni i parë që ishte me një tjetër ritëm. Miqtë vonojnë lojën në çdo mënyrë, duke nervozuar vendësit, por rezultati është në favor të tyre dhe këto vonesa u shkojnë për shtat. Në fundin e lojës, Brahimaj provon me një goditje nga jashtë zone dhe ngushton diferencat, por nuk ka më kohë dhe mbyllet gjithçka në shifrat 1-2 për Egnatian. Elbasani vazhdon të vuajë dhe duket se edhe këtë sezon do ta ketë shumë të vështirë. Me një ekip me lojtarë të rinj në përbërje, verdheblutë i pret një luftë e fortë gjatë të gjithë sezonit.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"