Egnatia kthehet në stërvitje, tre lojtarë të rrogozhinasve janë të dëmtuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 22, 2022 | 9:50

Egnatia kthehet në stërvitje, tre lojtarë të rrogozhinasve janë të dëmtuar

Paraditja e djeshme e gjeti Egnatian të rreshtuar në formë rrethore përballë trajnerit Shpëtim Duro, i cili kishte caktuar ditën e djeshme si rifillimin e përgatitjeve, pas një jave pushim.

egnatia

Skuadra ka qenë e plotë në stërvitje dhe është vënë re një atmosferë shumë pozitive, që natyrshëm vjen pas rezultateve të suksesshme që nga ardhja e Shpëtim Duros në krye.

DËMTIMET – Megjithëse ishin të gjithë në fushë, një pjesë e lojtarëve nuk janë stërvitur normalisht me grupin për shkak të lëndimeve të mbartura në javët e fundit.

Kështu, Redon Mihana, Erald Hyseni dhe Dzon Delarzh u janë nënshtruar programeve të veçanta të stërvitjes dhe për ndeshjen me Vllazninë pritet që të gjithë të jenë rikuperuar plotësisht dhe Duro të ketë liri të plotë zgjedhjeje.

PLANI – Nga e marta deri të premten pritet që stërvitjet ditore të jenë me dy seanca, paradite edhe pasdite.

Kushtet ideale në impiantin stërvitor me bar sintetik në Lekaj janë të tilla, që mundësojnë stërvitjet me normalitet të plotë edhe pas shirave të shumtë që kanë rënë këto ditë dhe kanë vështirësuar gjendjen në terrenet me bar natyral.

TESTET – Deri dje nuk ka pasur konfirmim për ndonjë ndeshje miqësore, që i përket kësaj periudhe. Por klubi po kërkon për kundërshtarë si dhe është i hapur për ftesa që mund të vijnë nga ekipe të forta të së Parës dhe të tjerë në Superiore.

FATMIR EFICA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"