Egnatia gjen testin e parë, do të luajë me Apoloninë në Fier

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2022 | 15:26

Egnatia gjen testin e parë, do të luajë me Apoloninë në Fier

Edhe pse kushtet e motit kanë qenë me shira të pandërprerë, tek Egnatia puna stërvitore ka vijuar normalisht. Madje nga dita e djeshme skuadra ka nisur një seri me nga dy stërvitje në ditë, teksa terreni i ri sintetik i fushës stërvitore bën që kushtet të jenë optimale për stërvitje dhe deri më tani të mos jetë parë e nevojshme që skuadra të udhëtojë drejt një vendi tjetër për fazë përgatitore.

292607497_435682991900809_8733700242019864176_n

GRUMBULLIMI – Fakti që skuadra rrogozhinasve ka pozita të konsoliduara në renditje për 12 javët e kaluara të kampionatit aktual është dhe klima e përgjithshme që sundon në lidhje me rregullin dhe organizimin e gjithçkaje, sipas parametrave optimalë. Gjatë kësaj faze, e cila do të zgjasë tri javë, skuadra po qëndron e grumbulluar në hotelin e skuadrës në zonën e quajtur Pishat e Buta në Golem të Kavajës. Duhet thënë se ndërtimi i Egnatias nuk ka nisur nga marrja e lojtarëve me rroga të majme, por nga ndërtimi apo sigurimi i infrastrukturës së duhur për funksionimin normal të një klubi futbolli.

MIQËSORJA – Egnatia duke qenë se ndeshjen e javës së 13-të kur të rinisë kampionati pas 10-ditëshit të parë të muajit dhjetor do ta luajë në Shkodër ndaj Vllaznisë, ka parapëlqyer momentalisht të zhvillojë e t’i japë përparësi miqësoreve në transfertë. Kundërshtari që do të ketë përballë të shtunën më datë 26 nëntor është Apolonia, skuadër që luan në Kategorinë e Parë, që në këtë sezon e ka rritur ndjeshëm nivelin. Ndeshja do të luhet në stadiumin “Loni Papuçiu”. Lajmin e ka konfirmuar vetë drejtori i Egnatias, Ndriçim Shtubina, i cili në një bisedë të shkurtër për gazetën shton: “Stafi po përpiqet të sigurojë edhe një miqësore për mesjavën e ardhshme, por akoma emri i kundërshtarit nuk është përcaktuar”.

FATMIR EFICA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"