Egnatia, flet trajneri Kashami: Rrogozhina “shtëpia” ime, nuk i zhgënjejmë tifozët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2019 | 20:29

Egnatia, flet trajneri Kashami: Rrogozhina “shtëpia” ime, nuk i zhgënjejmë tifozët

Egnatia pësoi një mikrorevolucion këtë verë. Që pas emërimit të Ndriçim Kashamit në krye të stolit dhe rikonfirmimit të disa titullarëve nga sezoni i kaluar, grupi u pasurua me lojtarë cilësorë nga tregu vendës dhe ai i huaj.

egnatia

Kur kampionati është në prag, trajneri mendon se rrogozhinasit janë gati. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ai analizon muajin e parë në krye të ekipit, fazën përgatitore, merkaton dhe objektivat. Nuk dëshiron që të bëjë premtime të mëdha, por garanton tifozët se nuk do të zhgënjehen.

Ka kaluar një muaj që nga emërimi juaj te Egnatia. Si ndiheni?

Po, u mbush një muaj që kam marrë drejtimin e skuadrës. Në qytetin e Rrogozhinës ndihem si në shtëpinë time, pasi kam qenë dhënë kontribut si futbollist për fanellën e Egnatias dhe këtu e mbylla karrierën. Kam qenë për shumë vite edhe mësues fizkulture në gjimnazin e qytetit. Është kënaqësi që të gjithë më njohin dhe më respektojnë. Kushtet që kam gjetur, më ndihmojnë të punoj qetësisht me bashkëpunëtorët e mi.

E nisët fazën me një grup të reduktuar, por rrugës u plotësuat. Jeni gati?

Strategjia fituese në një skuadër futbolli është që diskutimet të bien në veshin e personave të duhur. Menduam ta nisnim stërvitjen me ata lojtarë që kishin marrë njoftim. Më pas kishim takime të shumta me pjesën tjetër të stafit drejtues, që nga administratori e me radhë. Të gjithë të së njëjtës fushë dhe e njohim futbollin, hodhëm “grepat” për lojtarë të ndryshëm në çdo repart dhe plotësuam skuadrën.

Keni bërë blerje nga tregu vendës, por edhe i huaj. Sa e vështirë është për ju si trajner të krijoni raportet e duhura në skuadër?

Trajneri është ai që ka “timonin” në një ekip dhe pak rëndësi ka nëse janë lojtarë të rinj në moshë, me përvojë, vendës apo të huaj. E rëndësishme është që niveli i punës të jetë i njëjtë për këdo, kjo është detyrë e stafit.

Miqësoret e zhvilluara e kanë bindur Kashamin?

Faza përgatitore të jep mundësi për të bërë lëvizje. Duhet një punë kolosale për ta çuar nivelin e skuadrës aty ku duhet, pasi gjithçka nis nga ambientimi dhe më pas bëhet harmonizimi i grupit. Mendoj se ndaj çdo kundërshtari Egnatia ka nxjerrë në pah vlerat më të mira si skuadër. Duhen bërë zgjedhjet e duhura për të arritur nivele sa më të larta. Të gjithë ne, që nga presidenti, kemi parë nga afër gjithçka dhe kënaqësia për ndërtimin e skuadrës është e përbashkët.

Sa ju shërbeu grumbullimi në Divjakë?

Akomodimi në Divjakë kishte të mirat e veta. Në çdo rast ndryshimi i ambientit bën që të përfitosh vlera pozitive. Kushtet na e bënë më të lehtë punën.

Sa larg mund të shkojë Egnatia këtë sezon?

Nuk dua të flas me superlativa, mjafton që të luajmë një futboll të bukur brenda dhe jashtë fushe për të kënaqur tifozët tanë të zjarrtë. Besoj se të luash në Kategorinë e Parë, midis shumë emrave me traditë të futbollit tonë, është privilegj. I marrim sfidat me radhë dhe shpresoj shumë për një paraqitje dinjitoze.

Në Grupin A bën pjesë edhe Besëlidhja, ish-skuadra juaj…

Ne trajnerët punojmë atje ku na kërkohet. Te Besëlidhja ruaj ende respekt për të gjithë, që nga presidenti Noka e lojtarët aktualë. Ishte një përvojë me vlera për mua. Besëlidhja ka një tifozëri që e mbështet ekipin pa kushte. I uroj suksese!

A keni një mesazh për tifozët rrogozhinas?

Më vjen mirë që futbolli është çështja e ditës në Rrogozhinë. Të gjithë bashkë do ta mbajmë Egnatian në nivele sa më të larta, aty ku e meriton të jetë gjithmonë. Kërkoj nga tifozët ta ndjekin me dëshirën më të madhe ekipin, sepse nuk do t’i zhgënjejmë. Një sukses yni është edhe i tyre. Jam besimplotë se do të duelojmë fort me këdo dhe do të jemi “kockë e fortë” në grupin tonë.

Aldo Buzi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"