Egnatia fikson 11-shen për Laçin, disa afrime te rrogozhinasit presin debutimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 4, 2022 | 10:49

Egnatia fikson 11-shen për Laçin, disa afrime te rrogozhinasit presin debutimin

Edhe ndeshja e tretë në këtë sezon të ri duket se për Egnatian ka shkallën e vet të vështirësisë.

egnatia

Luhet në transfertë, por nëse i referohemi sezonit të kaluar, ku në Laç Egnatia në fazën e parë fitoi 1-0 dhe në fazën e tretë barazoi 0-0 pikërisht në “folenë” e kurbinasve, janë rrogozhinasit që kanë superioritet si në fitore (5-2), ashtu dhe në golavarazh (9-4), atëherë ndizet drita jeshile e pretendimeve për të luajtur me ambicie e për të mos u kthyer duarbosh nga Laçi.

TITULLARËT – Janë pesë futbollistët, që 180 minutat e dy ndeshjeve të para i kanë luajtur të plota.

Konkretisht portieri Alen Sherri, dy mbrojtësit Sodiq Atanda dhe Emiljano Musta, si dhe dy mesfushorët Medeiros Fernando dhe Ojediran Hamzat.

Te skuadra rrogozhinase duhet pranuar se ka shumë alternativa.

Këta lojtarë janë aktualisht më të votëbesuarit në formacionin.

Edhe ndaj Laçit në ndeshjen e sotme do të jenë nga minuta e parë në fushë.

Themi kështu sepse veçanërisht Atanda dhe Musta janë potencialisht me përvojë më të madhe sesa lojtarët e tjerë.

Formacioni i mundshëm që do të zbresë në fushë ndaj Laçit, pritet të jetë ai në ndeshjen e javës së dytë ndaj Tiranës.

Gjatë gjithë javës, në Rrogozhinë kanë mbajtur heshtje për shtyp me qëllim përqendrimin e plotë në sfidën e radhës.

LISTA E PRITJES – Janë disa futbollistë që presin të kenë shansin e tyre qoftë edhe në pak minuta në fushë ndaj Laçit.

Nga portieri Bruno Puja, që ka qenë shumë i rëndësishëm sezonin e kaluar në ruajtjen e kuadratit, te më i fundit ardhur, sulmuesi Gersi Diamanti.

Por edhe të tjerë si italiani Eduardo Peshialo, mesfushori me tipare sulmuese Geri Selita, mesfushori tjetër Erald Hyseni apo ata që vërtet janë me më shumë përvojë, si Jurgen Goxhaj apo Donald Mëllugja.

Teksa sheh këtë kontingjent, bindesh se kjo skuadër ka mundësi konkrete të nisë një cikël të ri rezultatesh.

RG (1)

FATMIR EFICA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"