Egnatia është si makth për Laçin/ Dejan Vukiçeviç pret kthesën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 2, 2022 | 21:20

Egnatia është si makth për Laçin/ Dejan Vukiçeviç pret kthesën

Laçi zhgënjeu ndaj Partizanit dhe kjo ka mërzitur jo pak drejtuesit e klubit. Më tepër se humbja, ajo që ka dëshpëruar kurbinasit ka qenë loja e dobët që skuadra zhvilloi dhe, mbi të gjitha, problemet fizike që shfaqi në pjesën e dytë. Megjithatë, duke parë kualitetet që kanë bardhezinjtë, stafi teknik është i bindur për kthesën e shpejtë, pikërisht të dielën ndaj Egnatias në Laç, teksa ndeshja do të luhet në orën 15:00 për llogari të javës së tretë.

Trajneri i Laçit, Vukiçeviç logo

Rrogozhinasit kanë qenë një makth për kurbinasit dhe vetë trajnerin Dejan Vukiçeviç gjatë sezonit të fundit. Ka qenë pikërisht një humbje ndaj rrogozhinasve 0-1 në Laç që solli edhe shkarkimin e malazezit në kampionatin e kaluar. Bardhezinjtë pritet të jenë më të kompletuar në këtë takim, ndërsa gjasat janë që të grumbullohet edhe sulmuesi Vasil Shkurtaj, i cili nuk ka qenë ende gati për të luajtur, pasi iu bashkua me vonesë ekipit.

Ndërkohë, në tetë ndeshje që skuadrat kanë luajtur mes tyre në elitën e futbollit shqiptar, Laçi ka vetëm dy fitore ndaj Egnatias. Një ndeshje ka përfunduar në barazim, ndërsa 5 herë kanë triumfuar rrogozhinasit, duke qenë si një mace e zezë për skuadrën kurbinase.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"