“Egnatia është projektuar për lart, klubi ka plan afatgjatë”/ Musta tregon si u bind nga ambicia e presidentit Demrozi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 24, 2022 | 22:36

“Egnatia është projektuar për lart, klubi ka plan afatgjatë”/ Musta tregon si u bind nga ambicia e presidentit Demrozi

Një ndër shtyllat e Egnatias në prapavijë për sezonin e ri do të jetë elbasanasi Emiljano Musta. Falë përvojës së tij të madhe në Superiore me disa klube, 30-vjeçari pritet të jetë pa dyshim ndër futbollistët që këtë sezon do të na paraqesin një Egnatia shumë më të fortë se sezonin e kaluar.

EMILJANO MUSTA 1

Në prononcimin e tij të parë, pasi është bërë pjesë e rrogozhinasve, për “Panorama Sport” Musta tregoi motivin që e shtyu të pranonte ofertën e Egnatias, ndonëse emri i tij u lakua edhe në klube të tjera të Superiores.

Emiljano, keni luajtur me klube me histori më të madhe se Egnatia. Çfarë ju bindi të bëheshit pjesë e rrogozhinasve në sezonin e ri?

Të them të drejtën ishte këmbëngulja e madhe e presidentit Demrozi, si dhe duke dëgjuar për korrektësinë e tij pranova. Por më të lehtë ma bëri këtë vendim kur presidenti shpalosi idetë dhe planet e tij për Egnatian në vazhdim.

Sa i njihni futbollistët që kanë mbetur tek Egnatia nga sezoni i kaluar, por edhe të ardhurit në këtë periudhë merkatoje?

Jam ndeshur shpesh me shumicën e lojtarëve të Egnatias, jo vetëm në sezonin e fundit, por edhe kur kemi luajtur për klube të ndryshme. Nuk kam shoqëri me ndonjërin, por gjatë garës kam kuptuar se janë djem korrektë dhe të përkushtuar në fushë. Sigurisht, në një ekip ku secili bën detyrën e tij, atëherë çdo gjë bëhet më e lehtë.

Atëherë, gjykuar nga grupi aktual, si e vlerësoni merkaton e Egnatias?

E thashë edhe më lart se projekti që president Demrozi me detajoi më ka bindur se do të formohet një grup cilësor. Referuar emrave të deritanishëm ekipi më bind, por organika e klubit do të forcohet edhe me emra të tjerë në vijim. Pjesa dërrmuese e skuadrës është formatuar, pritet vetëm kolaudimi i grupit e më tej nisja e fazës përgatitore. Kontratat janë afatgjata, gjë e cila dëshmon qartë se bëhet fjalë për një projekt afatgjatë nga presidenti Demrozi.

Së fundmi, çfarë presim nga Musta këtë sezon në Rrogozhinë?

Kudo ku kam luajtur jam munduar të jap maksimumin tim gjatë gjithë kohës që kam qenë në fushë. Këtë do të vijoj të bëj edhe me Egnatian. Tifozëve u premtoj se në sezonin e ri do të “shijojnë” një Egnatia, që do të jetë “kockë e fortë” për çdo kundërshtar dhe se do të jemi të barabartë me këdo.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"