Egnatia e do festë, lojtarët: Nuk ndalemi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2018 | 15:14

Egnatia e do festë, lojtarët: Nuk ndalemi

Egnatia përfundoi pasditen e djeshme përgatitjet për Lushnjën. Nga sa u pa, trajneri Gjonaj u kushtoj rëndësi edhe detajeve më të vogla. U punua shumë me goditjet standarde, teksa u vendos theksi tek interpretimi i lojës dhe skemat që do ndërthuren midis reparteve.

Egnatia

Të gjithë në kampin rrogozhinas nuk mendojnë rezultat tjetër, veç fitores, që do t’i mbante sërish në krye. Duke qenë përballje midis dy skuadrave që kanë spikatur në dy javët e para, pritet që edhe numri i tifozëve të jetë i lartë. Drejtuesit e klubit kanë marrë masat e duhura organizative që gjithçka të kalojë sa më mirë. Për “Panorama Sport” dje foli para ndeshjes qendërmbrojtësi Beqir Ibrahimllari, që ka treguar një formë të mirë deri tani.

“Jam i bindur se do ta kalojmë me sukses këtë sfidë, që ka brenda saj shumë vlera. Me grupin cilësor që kemi në përbërje, nuk duhet t’i diskutojmë asnjëherë gabimet. Në dy javët e para kemi marrë maksimumin sa u përket pikëve, që na rendisin në krye. Së bashku me mbështetjen e tifozëve do jemi akoma më të sigurt drejt fitores. Kemi marrë ngarkesat e duhura gjatë javës që na bëjnë më dinjitozë në çdo moment. Fitoret me Bylisin dhe Elbasanin treguan se grupi është çelësi i suksesit gjithmonë tek Egnatia. Mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur që vesha fanellën rrogozhinase gjatë merkatos, sepse këtu ndjehem si në shtëpinë time. Premtoj se mbrojtja do jetë e pathyeshme javë pas jave”, deklaroi Ibrahimllari.

ign

Ndërkohë, trajneri i portierëve, Agron Aliu, kujton me nostalgji vitet kur Egnatia ka luajtur me Lushnjën. “Gjithmonë këto përballje kanë dhuruar emocione, si brenda dhe jashtë fushe, për faktin se jemi dy qytete fqinje, që kanë shumë gjëra të përbashkëta mes tyre. Gjithashtu edhe tifozëritë kanë treguar kulturë me mbështetjen që japin në stadium, kudo që luhet. Tashmë kohët kanë ndryshuar dhe është tjetër ecuri për secilën skuadër. Për vite me radhë kemi pasur në gjirin tonë lojtarë nga Lushnja”, kujton me nostalgji trajneri i portierëve.

Aldo Buzi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"