Egnatia e Besa ndahen pa fitues në miqësore, gjykojnë tri… arbitre femra

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 25, 2019 | 17:26

Egnatia e Besa ndahen pa fitues në miqësore, gjykojnë tri… arbitre femra

Duele të tilla derbi si ky mes Egnatias dhe Besës dhurojnë emocione edhe në miqësore. Kështu ndodhi edhe dje në stadiumin “Hasan Zyla”, ku ndeshja përfundoi në barazim 1-1, por loja ishte shumë e fortë dhe me raste.

egnatia besa tre gjyqtare femra

E veçanta këtë herë ishte se u gjykua nga një treshe gjyqtaresh femra nga Durrësi, me kryesore M.Çemerin dhe asistente të saj E.Larajn dhe B.Xhajën. Gjithçka ishte mjaft korrekte si në fushë, ashtu edhe në shkallët e stadiumit. Për rrogozhinasit ishte testi i katërt në këtë fazë përgatitore dhe trajneri Ndriçim Kashami kishte bërë disa ndryshime në formacion, nga porta në sulm. Një mungesë e rëndësishme ishte ajo e kapitenit Jurgen Vogli, për shkak dëmtimi. Për të njëjtën arsye nuk luajti tek Egnatia as braziliani Gustavo. Brahimaj dhe Bilali ishin titullarë dhe bashkë me brazilianin Da Kosta i dhanë cilësi lojës së rrogozhinasve.

NDESHJA – Duke e përjetuar si një ndeshje zyrtare, të dyja skuadrat e nisën lojën me përqendrim maksimal. Egnatia rrezikoi me Da Kostën dhe Dimon, por Miraka ishte i vëmendshëm. Në minutën e 6-të erdhi goli i Besës me nigerianin Onuh, pas një pasimi të saktë të Carës. Goli u dha besim kavajasve dhe i bëri ata më të lëvizshëm në fushë. Trajneri Kashami u kërkoi të tijve të luanin pa presion dhe në vazhdim të ndeshjes u shtuan edhe rastet për shënim, por asnjë nga lojtarët e të dyja ekipeve nuk pati shënjestrën e duhur për të finalizuar.

Për t’u veçuar janë rastet e Dimos, Bilalit dhe Da Kostës, që u ndalën nga portieri Miraka. Edhe ndërrimet e shumta nga të dy trajnerët nuk e ulën ritmin e ndeshjes dhe emocionet vazhduan deri në fund. Egnatia ishte afër golit me Lajthinë, i cili gaboi edhe pse i vetëm përballë Mirakës. Miqtë nga Kavaja, me Hoxhën dhe Ndraxhin, e kërcënuan portën rrogozhinase, por pa rezultat. Trajneri Gugash Magani, duke parë rrjedhën e ndeshjes, futi në lojë edhe Xhafën, Zefin e Thaçin, të cilët i dhanë freski skuadrës së tij.

Megjithatë, këmbëngulja e Egnatias solli golin e barazimit në minutën e 78- të, kur qendërmbrojtësi Doksani gjuajti fort nga jashtë zonës, topi u devijua nga një mbrojtës dhe përfundoi në rrjetë. Loja u ndez më shumë në minutat e mbetura, por pa prodhuar gola, duke bërë që gjithçka të mbyllej në barazim 1-1 në duelin mes dy skuadrave fqinje.

ALDO BUZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"