“Egnatia do të qëndrojë në elitë”, sulmuesi: Më mungon goli në kampionat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 6, 2022 | 22:34

“Egnatia do të qëndrojë në elitë”, sulmuesi: Më mungon goli në kampionat

Rrogozhinasit vijojnë përgatitjet në Durrës, duke zhvilluar një minifazë në prag të ndeshjes që do të luajnë ndaj Partizanit më 16 janar. Skuadra është grumbulluar në një hotel në Malin e Robit dhe po stërvitet maksimalisht në kompleksin “Olimpik Park”.

XHEKSON

Deri tani trajneri Zekerija Ramadani ka praktikuar ngarkesë në stërvitje, e cila do të vijë duke u ulur në ditët afër ndeshjes. Kreu i pankinës pret që tashmë të vijnë edhe afrimet, në mënyrë që të punojë me një grup të plotë.

Drejtuesit kanë qenë në bisedime të vazhdueshme me disa lojtarë të njohur në Maqedoninë e Veriut, por edhe në Kosovë. Ndërkohë, një prej titullarëve të pjesës së parë të sezonit, Xhekson Kenio, duke folur për “Panorama Sport”, shprehu bindjen se ekipi rrogozhinas do të arrijë synimet që ka klubi në pjesën e dytë të sezonit.

DEKLARATA “Kemi disa ditë që kemi nisur seancat e kësaj periudhe dimërore. Po ndihemi mirë dhe kjo është shumë e rëndësishme. Fillimisht u stërvitem në stadium, por tani kemi pak ditë në Durrës. Klubi na ka plotësuar të gjitha kushtet.

Kam pasur një dëmtim të lehtë së fundmi, por jam më mirë tashmë. Po përpiqem të punoj fort që të jem rezultativ në vazhdim”, ka thënë fillimisht braziliani i Egnatias, që është në Rrogozhinë prej dy sezonesh.

Ai foli edhe për mungesën e golit, paçka se nuk është një sulmues i mirëfilltë.

“Më ka munguar goli në kampionat. Gjithsesi, jam i lumtur që e kam ndihmuar skuadrën me asiste. Pas fitores me Teutën, morali në skuadër është i lartë dhe besojmë te vazhdimësia pozitive. Nuk na mungon asgjë. Besoj se do të shfaqemi më ndryshe në këtë vit.

Unë kam synimet e mia, ashtu si klubi, po do të jemi në një rrugëtim të suksesshëm dhe jam i bindur për këtë. Egnatia do të qëndrojë pa diskutim në elitë. Drejtuesit kanë investuar shumë dhe ne do ua shpërblejmë. Besoj shumë që do ta nisim me fitore ndaj Partizanit vitin 2022”, përfundoi Xhekson.

Në ndeshjen e fundit ndaj Teutës ai u bë protagonist i një asisti në golin e parë të shënuar nga sulmuesi peqinas, Artur Magani.

ALDO BUZI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"