Efekti “Korabi”, njihuni me mbrojtësin goleador që ka gjetur rrugën e rrjetës 3 herë radhazi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 5, 2022 | 23:35

Efekti “Korabi”, njihuni me mbrojtësin goleador që ka gjetur rrugën e rrjetës 3 herë radhazi

Korabi gjen “bomberin” edhe për këtë sezon. Nëse deri vjet kishin Taulant Marku që mendonte për golat, këtë vit kanë Franci Lalën. Për një sulmues është gjithnjë më e thjeshtë që të gjejë rrjetën, por me shumë lehtësi po ia del edhe qendërmbrojtësi.

Franci Lala

Dhe 23-vjeçari flet me shifra, pasi 3 nga 6 golat mbajnë firmën e tij (në të dyja kompeticionet). Pa kontributin e shtatlartit sot që flasim, dibranët nuk do bashkëkryesonin me Dinamon dhe Tërbunin. Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ai rrëfen efektin që i jep fanella e Korabit, pasi vetëm me ta ka shënuar si profesionit.

U kthyet për të tretën herë te Korabi, pse kjo zgjedhje?

Nuk është rastësi. Këtu e gjej veten si në shtëpi. Kemi një grup fantastik dhe jemi si një familje. Ndërkohë, stafi dhe drejtuesit janë gjithmonë pozitivë dhe suportues.

Nuk janë të paktë lojtarët, që pas Korabit kanë hedhur hapin e madh në karrierë. Ka këtë mision edhe Franci?

Korabi është ekipi i duhur për të hedhur hapin e madh në karrierë. Si çdo futbollist i ri, synimi është të luaj në Superiore dhe do të ishte bukur nëse këtë synim do ta arrija me fanellën e Korabit veshur.

Keni luajtur me 4 ekipe deri më tani, por vetëm te Korabi shënoni. Si është e mundur?

Është efekti i klubit. Këtu më kanë dhënë shumë besim dhe mbështetje të dal përpara dhe të shënoj. Pastaj, ne punojmë shumë edhe me goditje standarde dhe nuk është rastësi që kam 6 gola si profesionist këtu.

3 gola në 3 ndeshje radhazi, si ndiheni pas këtij starti kaq pozitiv?

Ndihem shume mirë, pasi po ndihmoj ekipin me gola, por më e rëndësishmja është ecuria pozitive e ekipit.

Këtë javë luani me Besën, do t’i ndëshkoni edhe ata?

Nuk ka rëndësi nëse shënoj apo jo, e rëndësishme është të marrim tri pikët dhe të vazhdojmë me ecurinë pozitive.

FATMIR ZHUZHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"