Edvin Libohova tregon takimin në Kryeministri: Qeveria reflektoi, ja çfarë kërkojmë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 25, 2020 | 19:01

Edvin Libohova tregon takimin në Kryeministri: Qeveria reflektoi, ja çfarë kërkojmë

Kreu i Ligës Profesioniste, Edvin Libohova, beson se në mesjavën e ardhshme do të ketë një konkluzion final sa i përket miratimit të kërkesave të komunitetit të futbollit. Pas mbledhjes me drejtuesit e klubeve të Kategorisë Superiore, Libohova ishte dje në orën 13:00 në Kryeministri, aty ku u organizua një takim enkas për këtë çështje. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, numri një i Ligës zbuloi se qeveria ka reflektuar, ndërsa tregoi me detaje atë që kërkohet dhe çfarë është miratuar në dhjetor 2019.

edvin libohova

Pas mbledhjes me drejtues të pesë klubeve thatë që do të zhvillonit një takim në Kryeministri…?

Po, zhvilluam një takim ku ishin prezent sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Financave, drejtori juridik i Kryeministrisë, zv.ministri i sporteve, si dhe përfaqësues të Ligës dhe FSHF-së.

Çfarë ndodhi dhe a mund të na zbuloni diçka për kërkesat që ju keni bërë? 

Ishin tri kërkesat më kryesore. Së pari ishte heqja e TVSH-së për investimet në sport, një pikë që nuk është plotësuar. Së dyti, kërkuam të hiqet tatimi mbi të ardhurat personale sa u përket pagave të sportistëve për një periudhë të caktuar. Natyrisht bëhet fjalë për sportet elitare dhe kampionatet kombëtare. Pika e tretë dhe më kryesorja është ligji për sponsorizimin për sa i përket formulës.

Cila ishte përgjigjja që morët nga qeveria për këto pika?

I kemi shpjeguar edhe një herë qeverisë situatën dhe ata na premtuan se do t’i rikonsiderojnë propozimet tona. Dukej qartë që ishte një takim me reflektim nga ana e përfaqësuesve të qeverisë, në kuptimin që e kanë marrë edhe një herë në konsideratë për të diskutuar kërkesat tona. Tashmë pritet që të gjitha këto çështje të diskutohen në një mbledhje qeverie javën e ardhshme, të martën ose të mërkurën. Në këto kushte, javën e ardhshme do të kemi edhe një konkluzion final për gjithë situatën. Shpresoj që të kalojnë gjërat siç i kemi kërkuar ose më saktë të gjendet një rrugë e mesme, që t’i kënaqë të dyja palët.

Që do të thotë?

Them t’i kënaqë të dyja palët në kuptimin që edhe buxheti të mos rëndohet shumë, por edhe sporti dhe veçanërisht futbolli që ne jemi të interesuar, të marrë pjesën e tij nga shtetit dhe kësisoj përmes sektorit privat. Ne insistojmë që financimi i sportit të jetë nga tatimi mbi fitim, jo si zbritje e shpenzimeve të njohura. Kjo është e gjitha.

Libohova

Për të gjithë ata që nuk e kuptojnë atë që ka ndodhur, mund ta në shpjegoni më konkretisht propozimet që keni bërë dhe ku ndaheni me qeverinë pas miratimit të ndryshimeve në vitin e kaluar?

Me fjalë të thjeshta, ne kërkojmë atë vlerë që mund të nxjerrë buxheti nëpërmjet miratimit të atij ndryshimi ligjor që ka bërë në dhjetor të 2019-ës. Pra, ajo ka një kosto dhe ne kërkojmë që të mos jepet në atë formë që është miratuar, pasi nuk funksionon. Kërkojmë që e njëjta shumë e parashikuar të jepet në një formë tjetër, e cila është më konkrete. Duam që të ndiqet shembulli i Kosovës. Në Kosovë financohet sporti duke njohur deri në 30% të tatimfitimit dhe pastaj përcaktohet në bazë të një renditjeje se kush nga sportet përfiton më tepër. Kërkojmë të njëjtën shumë në formë të ndryshme. Problemi është se nuk funksionon ajo formë që ka miratuar qeveria. “Ligji për sponsorizimet” që është në fuqi që nga viti 1994 nuk ka funksionuar me këtë formë, pra me njohje të shpenzimeve të zbritshme.

A mund të na jepni një shembull tipik?

Qeveria thotë se “për një lek shpenzim të kryer për sponsorizim, për efekt fiskal njihen tre lekë ose trefishi”, që do të thotë se në fund të aktivitetit të rezulton një fitim më i vogël, duke qenë se e ke ngarkuar me shpenzime të njohura më shumë. Duke qenë fitim më i vogël, i paguan më pak tatime shtetit. Kjo bën që ti të kesh një përfitim si sponsor gjithmonë. Kjo ka një kosto, sepse kështu i jep shtetit më pak tatimfitimi. Këtë shumë që duhet të rezultojë si shumë më e vogël që ti ia jep shtetit në formë tatimfitimi, të mos jepet në formën e miratuar, por në një tjetër mënyrë. Ajo është zbritje e drejtpërdrejtë nga tatimfitimi. Ky është ndryshimi që kërkon komuniteti i futbollit dhe si të thuash debati më i madh që po bëjmë me qeverinë. Në këtë formë e ka Kosova, pra zbritje nga tatimfitimi deri në 30% që shkon për sportin. Të njëjtën formulë duam edhe ne nga qeveria.

Me llogaritë që keni bërë, sa shkon kostoja e qeverisë për sportin?

Me ndryshimin e miratuar në fund të dhjetorit, duke llogaritur këtu edhe klauzolat që janë vënë për kompanitë që fitojnë mbi 100 milionë lekë në vit, kostoja shkon rreth 20 milionë euro. Ne i kemi thënë që të japin këtë shumë jo në këtë formë, por me formulën e Kosovës. Këtu kemi ngecur dhe tashmë presim të shohim cili do të jetë reflektimi.

Nëse ndodh kjo, a keni ndonjë ide për shpërndarjen?

Një ide është që ta ketë të drejtën Ministria e Sporteve ose të krijohet një komitet i përbashkët me përfaqësues nga Ministria e Sportit, Financës dhe komuniteti i futbollit dhe sporteve të tjera. Pra, një komision që mblidhet herë pas here dhe gjykon mënyrën se si do t’i shpërndajë këto fonde sipas rëndësisë së sporteve. Të gjitha sportet kanë nevojë për fonde, nuk po flasim vetëm për futbollin.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"