Zlatko Daliç!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 15, 2018 | 16:21

Zlatko Daliç!

BESNIK DIZDARI

Livno është qyteti i dytë me përqindje më të madhe popullsi kroate në Bosnje Hercegovinë. Gjurmët e para të Livnos vijnë qysh 2000 vjet para erës së re dhe deri sa ka ardhë Roma, ajo banohej prej tribusë ilirike që quhej “Delmata”. Më tej, historia thotë se në vitin 626 në Livno shfaqen kroatët. Pushtohet prej turqve më 1463 dhe mbahet prej tyre deri më 1878, kur mbërrin Austro-Hungaria, tash një mbështetëse e fortë e popullsisë kroate, natyrisht katolike.

besnik dizdari

Qysh më 1910 kroatët përbëjnë 45 për qind të popullsisë së Livnos… Pa e zgjatur, këtu nis historia e kohëve “moderne” të Livnos, së cilës nuk i ndahet lufta as në të Parën (1914-18), e aq më fort në të Dytën (1940-44), kur përshkohet ose plekset në të gjitha: merr kulturë prej Austrisë, falë dhe françeskanëve dhe natyrisht pëson e dëmet e pamata të luftërave me kulminacion vitet 1940-’43. Ustashë, gjermanë, partizanë, bombardime, kisha e xhami qindravejçare, kulturë, rënie e zhvillim. Derisa qetësohet prej regjimit të Titos, për t’u përshkuar mandej në luftën “moderne” të Jugosllavisë në fillim të viteve ’90 kundër Serbisë së Milloshevit e Mladiçit… Këtu, në mbrojtjen e pakusht të Livnos, për çudi ka dhe një luftëtar me emrin Zlatko Dalic, pa dyshim sot personazhi më i shquar i Kupës së Botës 2018. Madje, më i shquar edhe se vetë lojtarët e tij Lovren, Modriç, Perisiç, Manxukiç apo Rakitiç e të tjerë. Sepse, ndërsa këta dihet fort mirë se sa të famshëm janë, Zlatko Daliç deri para pak ishte thuajse një i panjohur. Deri aty saqë suksesi më i madh i tij në “token europiane” ishte vetëm fitimi i Superkupës së Shqipërisë 2008.

zlatko dalic dinamo11

E kam fjalën për një kupë të fituar futbolli. Si futbollist ai mund të krenohet vetëm me 37 ndeshje të luajtura me Hajdukun e Splitit, si një lloj mesfushori mbrojtës, sesa me klubin Varteks të Varazhdinit, e aq më pak (36) të Velezhit të Mostarit. Kështu, ky personazh që po çudit botën e futbollit, pikërisht me biografinë e varfër të tij, qysh sot si trajner ka siguruar titullin e Nënkampionit të Botës në sportin më të rëndësishëm të historisë së njerëzimit që është futbolli. Ndërkohë që na duhet të presim se çka mund të ndodhë me të më 15 korrik në “Luzhniki” të Moskës përballë shtetit të madh edhe të futbollit me emrin Francë… “Sukseset” e tjera joeuropiane të Daliçit i përkasin fitimit të Kupës së Princit në Arabinë Saudite me klubin Al-Hilal (2013), Kupës së Presidentit në Emiratet e Bashkuara me Al-Ain (2014) dhe atë të Ligës Arabe të Gjirit (2015). Futboll i një zone që dihet me gjithë përpjekjet e miliardat nuk po i afrohet asnjë elite të futbollit të sotëm.

dalic dinamo

RASTI – MBRET DO TË ISHTE FATI I ZLATKO DALIÇIT

Ose më mirë me thënë, një krizë e futbollit të Kroacisë për te rruga për në Moskë, është fati i tij. Kujtojmë pra, se Kroacia u kualifikua duke zënë vendin e dytë në grupin e saj europian me 2 pikë mbas Islandës. Barazim zhgënjyes 1-1 në Finlandë dhe menjëherë mbas këtij episodi të pakëndshëm, shkon e fiton 2-0 bujshëm në Ukrainë dhe në “play-off” mposht Greqinë e Ballkanit (4-1 e 0-0). Atë ditë, askush nuk fliste për Kroacinë, megjithatë.

E po aq “askush” ende nuk njihte një njeri me emrin Zlatko Daliç!… E vërteta është se fati i tij do të përcaktohej befasisht prej “intrigave” që nuk po guxoj t’i quaj si të llojit tipik ballkanik. Kjo edhe ngaqë Kroacia, e cila gjeografikisht jo pak merr edhe origjinë prej Europës Qendrore a Danubiane, sikur nuk e thotë me fort pasion që ia ka ânda të thirret “Ballkanike”. Kështu pra, tregimi na thotë se pikërisht shpërthimi më 2017 i polemikave Hajduk i Splitit – Dinamo e Zagrebit, e çon Kroacinë në duart e Zlatkos, që disa shqiptarë euforikë e të pamatur deri në sferat më të larta gati po i “gëzohen” si të ishte i yni.

Ndodhi që Hajduku akuzon Federatën Kroate të Futbollit me president Davor Shukerin, se përkrah Dinamon nën ndikimin e presidentit të saj Zdravko Mamiç. M? në këtë çast, papritmas, për t’i mbushë mendjen Hajdukut se federata nuk ka asgjë kundër tij, presidenti Davor Shuker, mbas barazimit me Finlandën kujtohet për Zlatko Daliçin duke e quajtur si “krijim” të hershëm të Hadujkut.

zlatko dalic dinamo

Ai shkarkon trajnerin Ante Çaçiç dhe shpejt e shpejt Zlatko Daliç shkon në Kiev dhe me 2-0-n e magjishëm, i rrëmben Ukrainës Moskën, që ajo e kishte te dera e shtëpisë! Më shumë se në Kroaci festojnë në Split, edhe pse Zlatko Daliç kishte qenë lojtar i tij në vetëm 37 ndeshje! Ai ka qenë pra një futbollist. Ndërsa përpara se të bëhej trajner kur ishte lojtar i Velez të Mostarit, ai rrëmben pushkën dhe është luftëtar i Ushtrisë Kroate për mbrojtjen e Livnos ku kishte lindur, kundër gjeneralit Ratko Mladiç. U tha se Daliç nuk e shkrehu pushkën, por drejtonte kamionët që furnizonin me ushqime trupat që po luftonin.

Mbas vetëm pak muajve të fitores mbi Livno, ai zhvesh uniformën e luftëtarit dhe i përvishet profesionit të trajnerit me historinë që treguam më sipër. Vëzhguesit që ndjekin “Rusi 2018”, veçojnë një portret, në dukje të jashtme tejet enigmatik të Zlatko Daliçit. Gjatë ndeshjes, në të shumtën ai mban në xhep dorën e djathtë, ndërsa me dorën e majtë shoqëron fjalët e tij “instruktive” për skuadrën e tij. E m? këtu na duhet të shkojmë te françeskanët e Livnos, të cilët dihet se sa fort kanë bërë edhe për Shqipërinë. Zlatko Daliç është një besimtar i fortë në zotin. Qysh fëmijë ai ishte pranë altarit në Kishën Françeskane që ndodhej pranë shtëpisë së tij në Livno. Doemos disi me maturi, sepse edhe regjimi i Titos nuk i kishte fort për zemër këto punë “besimesh”. E pra, çka shtrëngon në dorën e tij të djathtë Zlatko Daliç?

dalicc

Ai shtrëngon Rozaren! (Rozaret e rrumbullakëta që mbajnë midis tyre kryqin). Duke i shtrënguar fort ato, Zlatko Daliç, para se të niset për në Moskë, ka shkuar për t’u lutur në Mjedugorje, 25 kilometra larg Mostarit – një vend i shenjtë tejet i famshëm. Në një intervistë për të përjavshmen “Glas Koncila” të Arqipeshkëvisë së Zagrebit, ai thotë: “Vetëm përmes besimit, njeriu mund të gjejë rrugën e drejtë dhe në situatat që duken pa zgjidhje dhe pikërisht për këtë është e domosdoshme të besosh”. Kthejuni tash paksa portretit të Zlatkos në ndeshjen e fundit me Anglinë!

Çfarë shprehte fytyra e tij, teksa ndeshja po mbërrinte te minuta e 70-të dhe skuadra e tij ishte ende në humbje? Të dukej se nuk i lëvizte asnjë muskul, teksa dora e tij ndoshta ende shtrëngonte rozaret me kryqin… Me temën e një lidhjeje midis futbollit dhe besimit në Zoti, nuk është lehtë të merresh. Me këtë temë nuk është marrë askush. Por që edhe në situata të vështira të një ndeshjeje futbolli, duhet besuar deri në minutën e fundit – ky është një ligj edhe në këtë sport. Se ku dhe si, trajneri apo lojtarët do t’i gjejnë forcat për ta shtrënguar fort këtë besim, kjo është punë tjetër… Kroacia dhe Zlatko Daliç janë në finalen e Botërorit.

dalic mergjyshi

Ngjarja nuk them se ka fort punë me shqiptarët. Është shumë pak ta lidhësh këtë vetëm me faktin se 10 vjet më parë, një trajner i ri nga Kroacia, asokohe 40-vjeçar, me emrin Zlatko Daliç, ka fituar Superkupën e Shqipërisë me Dinamon e Tiranës, e cila sot është në Kategorinë e Dytë. Autori i këtyre radhëve, më fort këtë e lidhë me marrëdhëniet e hershme të futbollit të Jugosllavisë dhe të Shqipërisë. Madje, qysh nga vitet ’20 e deri më tej. Me një kulminacion të papamë më 1946, kur Shqipëria u bë Kampione e Ballkanit me një trajner sllav të Jugosllavisë: i famshmi Ljubisa Broçiç, në të vërtetë një serb i Beogradit. Vonë, tepër vonë Kombëtarja e Shqipërisë u lidh prapë me futbollin sllav, për fat, kësaj radhe me atë kroat. Me të paharrueshmin Josip Kuzhe dhe të famshmin Oto Bariç.

Me një ndryshim të madh megjithatë: nëse Broçiçin e bëri të famshëm Shqipëria, teksa mbas saj ai mbërriti deri te Juventusi e Barcelona, kroatët fort të nderuar Kuzhe dhe Bariç, me gjithë punën e mirë që na blatuan, nuk ia arritën ta bënin qoftë dhe për një çast të vetëm të famshme Shqipërinë e vogël. Këtë do ta bënte dikush tjetër prej një vendi që kishte sjellë organizimet e futbollit në Shqipëri, ai pra, Xhani De Biazi i Italisë…

zlatko dalic dinamo3

Tjetër histori mandej se me sa e sa kroatë të Kombëtares së Jugosllavisë qe ndeshë futbolli shqiptar – e ata kanë qenë gjithnjë shumicë në këtë fanellë të mirënjohur në botë. Çka një herë, madje me Vllazninë e Shkodrës – të cilën jo “Jugosllavia”, por Shqipëria e sotme do ta përjashtojë për në Kategorinë e Dytë – pat fituar (2- 1 më 1946) deri me Hajdukun legjendar të Zlatko Daliçit e që ishte aty pranë Davor Shukerit.

Tashmâ i “sapofamshmi” Zlatko Daliç, edhe pse i dha një Superkupë Dinamos së Tiranës, kjo nuk i shton asgjë të veçantë historisë së madhe të Dinamos sonë, sot në shuarje e sipër. Zlatko Daliç datuar 2018 është diçka krejt tjetër nga ai i vitit 2008. Është njeriu numër 1 i Kupës së Botës 2018. Thjesht për nderin e madh të Kroacisë së tij. Gjithçka tjetër e mbushur me “stil shqiptar” është krejt artificiale…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"