Tirana, kryeqyteti europian i futbollit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 25, 2022 | 11:18

Tirana, kryeqyteti europian i futbollit

Nga JETMIR HALILAJ
“Në Tiranë do të luaj finalen më të rëndësishme në karrierën time”. E tha Murinjo një javë më parë për finalen e Conference League që do të luhet sot. E tha trajneri që ka fituar gjithçka në karrierë: tituj, Champions dhe Ligë Europe. A e bën kjo kryeqytetin tonë më të mirë dhe më të bukur?

tirana

Ndoshta jo. Murinjo, Roma, dhe as Fejnordi nuk na i zgjidhin hallet tona të përditshme, por me siguri bëjnë një gjë tjetër: e shndërrojnë Tiranën në kryeqytetin europian të futbollit për 24 orë. Mundet që të mos kishte qenë kështu nëse, fjala vjen, në finale do të ishin Bodo Glimt me Slavian e Pragës… Por ja që fati e deshi të vinte Roma e madhe dhe e… Kumbullës.

Prandaj kjo e sotmja është një ditë historike dhe një nga ato momentet kur duhet të vlerësojmë si duhet shansin që vjen. Ideale do të ishte që të na shërbejë si një pikënisje për një lëvizje sportive kombëtare me strategji të qartë zhvillimi për sportin. Që nga viti 1991 kur mijëra shqiptarë iu drejtuan Italisë për një jetë më të mirë, vendi ynë ka humbur shumë mundësi ekonomikisht dhe politikisht për të qenë pjesë e Europës. Tani është koha dhe dita që të tregojmë se një finale europiane e meritojmë jo vetëm sepse kemi ndërtuar një stadium të ri, por sepse Shqipëria është në gjendje të marrë disa përgjegjësi më shumë. Aty kemi çaluar shpesh, te përgjegjësitë.

Në pritje të Ligës së Konferencës, në Shqipëri mijëra vetë festuan triumfin e Milanit. Por, ja që këto momente janë akoma më të zjarrta dhe pritja është e ethshme. Për të gjithë shqiptarët. Milanistë, por jo vetëm ata. Që nga dje, mes rrugëve të qendrës së Tiranës apo në afërsi të stadiumit, syri të kap shaje dhe flamuj verdhekuq, megjithatë nuk mungojnë tifozët holandezë. Ndërkohë, kryeqyteti ynë është gati për të pritur këtë ngjarje të jashtëzakonshme. Sot nuk kemi ankthin nëse do të fitojmë një ndeshje me Kombëtaren, por kemi detyrën që na e imponon tradita për të qenë mikpritës të mirë, organizatorë të zotë dhe shqiptarë bujarë.

vbbbbbb

Është dita për t’i treguar Europës kryeneçe, të paktën asaj të sportit, se Shqipëria nuk krenohet vetëm me Taren, Bogdanin, Canën, Kumbullën, Gjimshitin, Hysajn, Strakoshën e plot të tjerë që nëpërmjet futbollit na kanë nderuar dekadat e fundit. Është një ditë që i jep mundësinë të gjithë botës që të njohë Tiranën, të njohë Shqipërinë. T’i njohë dhe të kuptojë se ky është një kryeqytet europian, i një shteti europian, me të mirat dhe të këqijat e tij. Njëlloj si në çdo vend tjetër të BE-së, ku Shqipëria nuk bën ende pjesë. Është dita për t’i thënë Europës: Ejani, festoni, Tirana është kryeqyteti juaj!

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"