Rasti “21-vjeçarët”: janë të kampionatit të Shqipërisë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2020 | 15:19

Rasti “21-vjeçarët”: janë të kampionatit të Shqipërisë!

BESNIK DIZDARI 

Këtë të premte Shqipëria NËN 21 ka fituar 5-1 një ndeshje të Kampionatit Europian jashtë fushës, në qytetin Ried të një prej vendeve më futbollistike të Europës që është Austria. Kjo është fitorja më e thellë që një ekip shqiptar i të gjitha rangjeve të ketë fituar ndonjëherë jashtë fushës për kualifikime euro-botërore (jo ballkanike).
EhFog_WXsAERuOo
Nuk e kam të lehtë ta zbërthej “arsyen e mosarsyes” së kësaj fitoreje të bujshme. Aq më tepër kur kujtoj se në këto eliminatore të saj, Shqipëria e 21-vjeçarëve ka pësuar humbje të rënda, të tilla si 0-3 prej Anglisë dhe madje 0-4 mû prej kësaj Austrie, të dyja në Shqipëri. Enigmë e tanë!

Tash, për pyetjen nëse kjo është rastësi apo zotësi befasuese, një përgjigje më e plotë do të duhej të mbërrinte mbas ndeshjeve me Andorrën, Kosovën dhe Anglinë. E megjithatë, një përfundim mund ta nxjerrim prej kësaj ndeshjeje spektakolare golash europianë të shqiptarëve të rinj.

Shqipëria e ka shkatërruar Austrinë në tokën e saj, duke pasur midis 15 futbollistëve që aktivizoi, plot 10 lojtarë të kampionatit të Shqipërisë:

Al. Marku (KF Laçi), Ad. Selmani (KF Laçi), M. Ismailgeci (SK Tirana), J. Pëllumbi (Skënderbeu), J. Çelhaka (SK Tirana), L. Vila (Teuta), R. Mihana (Apolonia), E. Muçi (SK Tirana), R. Xhixha (KF Laçi), Sh. Kallaku (ky i Teutës deri në këtë 2020-‘21).

Me çka kemi përjetuar këto vitet e fundit me “kombësinë” përbërëse të të gjitha ekipeve tona kombëtare, kjo 10-she është më sensacionale se vetë fitorja 5-1. Dhe çudia, po spektakolare, është se kemi të bëjmë me lojtarë që si zbulim apo formim i parë vijnë nga Kruja, Mirdita, Fushë-Kruja e deri nga Shënkolli – “qendra” këto që nuk kanë qenë kurrë elitë e futbollit shqiptar. Pa harruar kurrsesi Laçin!

Kjo dukuri e dytë edhe më shumë të bën që të bindesh se më fort ia vlen të mbështetesh te talentet vendëse. Ose më qartë: që kampionati i Shqipërisë në vend që t’i konsumojnë paratë për lojtarë të huaj mesatarë apo më pak se kaq, t’ia blatojë formimit të talenteve shqiptare. Çka pra e bën edhe më përgjegjëse FSHF-në që nuk vendos rregulla në të mirë të këtij procesi. E, së cilës ndoshta as nuk i shkon ndër mend se mund të dalin më talente në Vlorë, Kavajë, Gjirokastër, Berat apo Lushnjë – më parë qendra të fuqishme futbolli – qytete sot të përjashtuara nga kampionati kombëtar.
EhF3jj2XgAA7rkb
Duke iu kthyer shqiptarëve të 5-1 austriak, vërehet se skuadra ka ndryshuar në përbërje – e kjo mundet edhe për shkak të kalimit të moshës – çka lind një tjetër problem të mprehtë. Është problemi që na nxit të mendojmë se skuadra e 21-vjeçarëve sot nuk ia vlen të formohet me djem të kufirit të fundit të moshës, çka shpesh të detyron që të ndërrosh gjysmën e lojtarëve në mes të aktivitetit. Ndonëse nuk e di se cili është shkaku i saktë i ndryshimit. Praktikisht, nga ndeshja e humbur 0-4 në Shqipëri prej Austrisë, këtë të premte në fitoren 5-1 ishin vetëm pesë lojtarë: Selmani, Pëllumbi, Xhixha, Bajrami dhe Vrioni. Duket që skuadra është përmbysur në përbërje. Dhe është përmbysur në të mirë të lojtarëve “vendës” që ishin plot 10! Nuk ia vë vulën gjithë një dëshire për të pohuar se kjo ndeshje është një revolucion. Siç thashë më sipër, duhet pritur. Por ajo që shtoj këtu, është se kjo ndeshje, më e pakta, të bën të mendosh fort e të na gëzojë, jo vetëm ne, por edhe FSHF-në, e cila në këtë kthesë mund të ketë edhe ajo meritat e saj organizative.

Fitorja e Shqipërisë 5-1 në Austri, megjithatë, është tronditëse më shumë se sa vetë gëzimi apo hareja që mund të krijojë për çastin, për besimin te djem të këtij rangu, të cilët papritmas shpërthyen në stadiumin e Riedit.

RIED, AUSTRIA - SEPTEMBER 4: Lukas Malicsek Austria and Redon Xhixha of Albania during the UEFA Euro Under 21 Qualifier match between Austria U21 v Albania U21 at josko ARENA on September 4, 2020 in Ried, Austria. (Photo by Franz Kirchmayr/SEPA.Media /Getty Images)

Dhe interesant, vërtet: Austria kishte plot 8 lojtarë të ndeshjes që kishte fituar 4-0 në Tiranë: Ehman, Malicsek, Friedl, Demaku, P. Schmidt, Arase, R. Schmid, Raguz. Duke i qëndruar më shumë besnik kampionatit të vet kombëtar, ajo kishte 9 lojtarë nga ky kampionat, por edhe nja 6 lojtarë të cilët luanin jashtë, deri me klube të tillë si Werder Bremen (Friedl), Reims (Maresic) apo Borussia M. (Wolf) – çka ia rrit tejet notat fitores së bujshme shqiptare nën drejtimin e një firme të madhe të historisë së Kombëtares sonë të parë, siç është trajneri Alban Bushi.

A thua do të kalojë lehtë përmbajtja e gjithë kësaj problematike që nxit fitorja e madhe e Shqipërisë së 21-vjeçarëve ndaj Austrisë?…

Ndërkaq, duke shkuar poshtë, te historia, kujtoj se 38 vjet më parë, më 1982-shin, Shpresa 21-vjeçare e Ramazan Rragamit e ka mundur dy herë Austrinë: 2-1 në Muezerrteshlang dhe 3 -0 në Shkodër. Nuk mund të them se jemi në përsëritje të historisë. Ajo Shpresë 1982-‘83, përveç Austrisë, eliminoi edhe RF Gjermane e Turqinë dhe hyri në 8 më të mirat e Europës. Për atje jemi ende larg.

E rëndësishme për argumentin tonë të sotëm është se të gjithë ata djem të talentuar ishin lojtarë të kampionatit të Shqipërisë, jo me 10, por me nja 14 skuadra, kampionat që ishte nja dy herë më i fortë se ky i sotmi. Emrat e tyre janë: Mersini, Zmijani, Hodja, Bimo, Ocelli, Canaj, Demollari, Jera, Josa, Noga, Vila, Topçiu, Popa, Skuro, S. Çanga, Liti, Lekbello, H. Dedja, Kushta, R. Kokalari, Muça, S. Braho, Targaj… Ndoshta me këtë rreshtim të shpejtë nga arkivi ynë, i kemi bërë një nder plagjiatorëve për të trajtuar artificialisht edhe në këtë rast një nga temat tona të kushedi sa herëve. Dihet, përsëritja është nëna e dijes, teksa dikush ka shtuar se është edhe babai i mërzisë.

E rëndësishme është Austri–Shqipëri, 1-5! Një mrekulli “e vogël” befasisht mbështetur në kampionatin e Shqipërisë. E mos kujtoni se harruam Bajramin e Birmingamit, Vrionin e Juventusit, Dobran e Ipswichit apo Selmanin e Menemenspor-it, të cilët i bëjnë nder të veçantë kësaj fitoreje. Problematika është e hapur, ndërsa kritikat tona dashamire, vështirë të ndalin…

Ky shkrim i përket ciklit “Rënia e kampionatit të Shqipërisë”. Për vazhdimësi shih shkrimet “Kundër servilizmit dhe vetëkënaqësisë”, “Rasti Vllaznia: Kampionati “armik” i të rinjve”. (“Panorama Sport”, 3, 4 shtator 2020).

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"