Thomas Strakosha apo Igli Tare…?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 26, 2019 | 21:23

Thomas Strakosha apo Igli Tare…?

BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

Në raftet e arkivit tim, kam një bllok më të veçantë, ndonëse me shumë pak faqe të shkruara. Në të shënoj vetëm ecurinë e futbollistëve shqiptarë të cilët kanë arritur të luajnë në kampionatin e Italisë, në të famshmen Serie A.

Këtë veçim e bëj duke u nisur nga dukuria që na thotë se të luajë një shqiptar në Serinë A të Italisë është një arritje shumë e madhe, kur dihet se është fjala për një nga pesë kampionatet e futbollit më të fuqishëm e më popullor në botë. Në njëfarë mënyre, është një lloj rekordi apo arritje sportive e përmasave të paktën europiane, sa vetjake për futbollistin po aq edhe për vetë zhvillimin dhe ecurinë ndërkombëtare të talenteve të futbollit shqiptar.

Strakosha tare

Dhe kështu, javën që shkoi, patëm një arritje tjetër: një futbollist shqiptar me emrin Thomas Strakosha, që po duket qartazi se është një nga portierët më të mirë të Serisë A, fitoi me skuadrën e tij, Lazio të Romës, Superkupën e Italisë, madje duke fituar 3-1 përballë një prej klubeve më të forta të botës, që është Juventusi i Torinos. Strakosha “junior” është biri i portierit të madh të Kombëtares së Shqipërisë, Foto Strakosha, dhe mbas plot 77 vjetëve, qysh nga viti 1942, ai bëhet futbollisti i tretë shqiptar në krejt historinë, që fiton një titull në Itali.

Dihet, ndërkohë, se kush janë dy të parët. Janë të famshmit tanë Riza Lushta e Naim Kryeziu – historitë e të cilëve, siç e din lexuesi i vëmendshëm, vetvetiu mund të më çojnë te një libër voluminoz. Sot këtu po paraqes vetëm një rreshtim të shpejtë për ta, si në kërkesat e një enciklopedie:

RIZA LUSHTA (1916-1997).

Lindur në Mitrovicë (Kosovë). Futbollist i SK Tiranës, Barit, Juventusit, Napolit, Alessandria, Cannes (Francë). Kampion me SK Tiranën 4 herë (1934, 1936, 1937, 1939). Golashënuesi më i mirë i kampionatit shqiptar në dy edicione: 1936 (11 gola) dhe 1937 (25 gola). Talenti më i madh i futbollit shqiptar të paraluftës dhe midis më të mëdhenjve për të gjitha kohërat. Qendërsulmues i një talenti e force të papërmbajtshme. I pari futbollist shqiptar i përmasave europiane me një karrierë të shkëlqyer edhe në Itali. Qendërsulmues dhe golashënues i madh.

riza lushta juventus-milan

Dy herë (1942, 1943) golashënuesi më i mirë i lojtarëve të huaj në kampionatin italian. Fitues i Kupës së parë të Shqipërisë (1938- ’39) me SK Tiranën. Fitues i Kupës së Italisë më 1942 me Juventusin në finalen 4-1 kundër Milanit, 3 gola të tij. Luajti si titullar i madh me Barin, Juventusin dhe Napolin në 218 ndeshje dhe shënoi 68 gola në 7 kampionate të Serisë A të Italisë, duke e mbyllur karrierën më 1954! Me 80 ndeshje dhe 42 gola të shënuar, ai është sot e kësaj dite midis 10 shënuesve të huaj më të mëdhenj për të gjitha kohërat në historinë e Juventusit.

Themelues dhe lojtari kryesor i Kombëtares së Shqipërisë kur ajo doli për herë të parë në fushën e lojës më 1936. Trajneri Vittorio Pozzo i Italisë – kampione e botës, e grumbulloi atë edhe me kombëtaren e Italisë për ndeshjen me Hungarinë në Xhenova më 1 dhjetor 1940, krahas futbollistëve më të mëdhenj të botës, si Piola, Foni, Rava, Biavati, Locatelli. Më 2004, për nder të tij, stadiumi i Mitrovicës ka marrë emrin “Riza Lushta”. Në Shqipëri, me propozimin e autorit të këtushëm, për nderin e tij është emetuar një pullë postare.

 NAIM KRYEZIU (1918-2010). 

Lindur në Gjakovë (Kosovë). Futbollist i SK Tiranës, Romës, Napolit. Fitues i Kupës së parë të Shqipërisë më 1938-’39 me SK Tiranën dhe kampion i Shqipërisë me të më 1939, golashënuesi më i mirë me 7 gola. Pas Lushtës, i dyti talent i madh i futbollit shqiptar të paraluftës si dhe ndër më të mëdhenjtë e të gjitha kohërave. Sulmues i krahut të djathtë, i një force, teknike dhe shpejtësie të rrallë dhe me një karrierë të shkëlqyeshme edhe në Itali. Lojtar i përmasave europiane. Kampion titullar i Italisë me Romën më 1942, i një 11-shi të famshëm, duke qëndruar i barabartë pranë emrave të tillë të përmasave të botës për kohën, si Masetti, Amadei, Bonomi.

kryeziu

Sot është pjesëtar i panteonit të 40 lojtarëve më të mëdhenj romanë së bashku me emra të famës botërore, si Amadei, Ancelotti, Angelillo, Benardini, Cerezo, Conti, De Sisti, Falcao, Giggia, Serantoni, Voeller Deri më sot i pari dhe i vetmi shqiptar që fiton një titull të kampionit me një superfuqi botërore të futbollit. Luajti si titullar në 10 kampionate të Serisë A, 2 në B, 1 në D nga 1940 deri më 1954. Luajti 312 ndeshje dhe shënoi 66 gola. Universitar i edukimit fizik për nga diploma, pas studimeve në ISEF të Romës, ai arriti të ishte deri trajner i dytë i skuadrës së Romës në periudhën 1962-’65, madje për disa muaj edhe trajner i parë i saj më 1965, duke zëvendësuar pikërisht trajnerin e shquar të kombëtares së Italisë dhe të Zvicrës, ish-kampionin e botës, dr. Alfredo Foni.

Është themelues dhe lojtar kryesor i Kombëtares së Shqipërisë kur ajo doli për herë të parë në fushën e lojës më 1936. Në Shqipëri, me propozimin e autorit të këtushëm, për nderin e tij është emetuar një pullë postare. Tash, i treti shqiptar i cili fiton një titull në Serinë A të Italisë, bëhet Thomas Strakosha me Superkupën e vitit 2019 me Lazio të Romës. Pikërisht këtu, mbas kënaqësisë për arritjen e madhe të shqiptarit tonë, papritmas shfaqet “mëdyshja” ime. Në bllokun tim arkivor unë shënoj vetëm ata futbollistë shqiptarë të Serisë A, të cilët kanë dalë prej kampionateve të Shqipërisë. E këta janë vetëm 6: Riza Lushta, Naim Kryeziu, Loro Boriçi, Erion Bogdani, Igli Tare, Ervin Skela.

Dua të përshij këtu edhe Elseid Hysajn, sepse si një djalë 12-15-vjeçar ai ka luajtur me ekipet e moshave të Vllaznisë, por ende nuk bindem plotësisht nëse duhet ta përfshij në këtë “panteon” origjinal, kur mendon se rrënjët e tij formuese i përkasin edhe klubit italian Empoli. Kështu pra, ngaqë në tek unë përfshij vetëm ata futbollistë të cilët kanë dalë prej kampionateve të Shqipërisë, që do të thotë se ata janë prodhim i drejtpërdrejtë i futbollit më parë të Mbretërisë e më mbas të Republikës së Shqipërisë. Sidoqoftë, do ta mendoj më gjatë përfshirjen e Hysajt, teksa në fund të fundit, talenti i tij, hapat e parë të futbollit të tij ia zbuloi dhe ia përforcoi për herë të parë Shqipëria.

Mbërrij tash te mëdyshja më e madhe, që është kjo tjetra pra: A duhet ta përfshij Thomas Strakoshën në këtë “panteon”, në një kohë kur ai nuk është as zbulim, as prodhim, as formim i futbollit të Republikës së Shqipërisë, por i klubit Panionios të Greqisë? Logjika e statusit të “panteonit” tim duket se më pengon që ta përfshij. Thomas Strakosha është zbulim dhe formim i futbollit të Greqisë dhe jo të Shqipërisë.

Natyrisht ai është një “bir arti” (“figlio d’arte”), pra zbulim dhe formim i babait të tij Foto Strakosha, i cili patjetër që e udhëheq në rrugën e tij të ndritshme. Pa harruar se nga ana tjetër, i mëkon atij trashëgiminë futbollistike shqiptare, duke ia blatuar me plot atdhetari atë Kombëtares së Shqipërisë. E në këtë shqiptarësi, them se arritja e madhe e Thomas Strakoshës na gëzon fort dhe vetvetiu pasuron vetë historinë e futbollit shqiptar. Edhe pse në “juridiksionin” tim vetjak, ndoshta unë kam të drejtë të mos e përfshij atë në podiumin “italo-shqiptar” të futbollistëve të cilët fitojnë tituj në Serinë A mbasi kanë dalë prej kampionateve të Shqipërisë.

Dhe ja ku mbërrin ajo që në muzikë i thonë “contrapunto”: mendja më thotë se në këtë “panteonin” në fjalë, për fitimin e Superkupës së Italisë nga Lazio e Strakoshës, pranë Lushtës e Kryeziut të përfshij Igli Taren. Kjo sigurisht që duket disi paradoksale, kur mendon se Igli Tare, edhe pse ka luajtur 8 kampionate të Serisë A të Italisë (Brescia, Bologna, Lazio), sot ai nuk luan më. E megjithatë, unë them se Igli “luan”. Madje, “luan” me një forcë e paraqitje vërtet tejet nderuese.

Igli Tare është drejtor teknik i Lazio të Romës, çka do të thotë se është një nga njerëzit më kryesorë që e drejton, e udhëheq Lazio-n, që do të thotë se ai ka merita të veçanta në fuqizimin e këtij klubi, rrjedhimisht që ka merita të veçanta edhe në këtë sukses të Lazio-s të Romës. Kësisoji, edhe pse ai nuk luan, pranë fituesit të Kupës së Italisë 1942 Riza Lushta dhe pranë kampionit të Italisë 1942 Naim Kryeziu, në arkivin tim unë shkrova edhe emrin e Igli Tares.

E, ndërsa ata janë futbollistë të fushës së blertë, Igli Tare është drejtor në ndërtesën moderne që udhëheq sot Lazio-n e Romës. Gjithmonë kam thënë se arritja e Igli Tares është e bujshme: drejtor i një klubi të Serisë A të Italisë! Si e ka arritur ai këtë, nuk e di. Ajo që di është se në këtë arritje ai mbetet një lloj kampioni i kampionëve. Në ekranin e vogël e pashë të shkelte edhe ai fushën e blertë të mbrëmjes së paharrueshme të Riadit.

I përzier plot gëzim me lojtarët e klubit të tij së bashku e presidentin Claudio Lotito e trajnerin Simone Inzaghi e të tjerë, edhe pse me kostumin e zyrtarit, mua më dukej se po admiroja futbollistin e 8 kampionateve të Serisë A të Italisë, shqiptarin e dalë prej Partizanit të Tiranës – ndonëse të vetëm pak ndeshjeve – Igli Taren. Dhe mëdyshja m’u largua, teksa shënova emrin e tij pranë kampionëve të pashlyeshëm të 77 vjetëve më parë, Riza Lushta e Naim Kryeziu.

Tash nuk di se çka thotë babai i Igli Tares, një personazh i vjetër dhe mik imi, mjeshtri i shquar i sportit e atletikës sonë kombëtare, Isa Tare: 4 herë rekordmen i Shqipërisë dhe 14 herë kampion kombëtar në garën e diskut dhe 5 herë kampion i Shqipërisë në garën e gjyles. Tjetër histori kjo, prej ku lind edhe historia ndërkombëtare e birit të tij Igli Tare – i vetmi drejtor shqiptar i një klubi të një shteti tjetër në rangun botëror.

Dhe po e mbylli me dy pyetje sa retorike po aq problematike: Përse nuk ka arritur Shqipëria të rrisë dhe të formojë sot brenda kufijve të saj drejtorë, kryetarë të një rangu modern europian në klubet tona sportive e të futbollit? Dhe tjetra: Sa vjet u bënë që Kampionati i Republikës së Shqipërisë nuk po lind e formon një futbollist të rangut të Thomas Strakoshës – fitimtar i denjë dhe i veçantë në Serinë A të Italisë…?

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"