Të synosh bukurinë e Partizani-Vllaznia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 3, 2021 | 17:18

Të synosh bukurinë e Partizani-Vllaznia

NGA BESNIK DIZDARI

Dizdari2

Nga vëllimi 9 i veprave të dr. Vasfi Samimit, bashkautor i të cilit jam – figurë poliedrike e jetës shqiptare, shkencëtar, pedagog, studiues, gazetar, një nga themeluesit e blegtorisë moderne në Shqipëri, organizator i shquar i sporteve, futbollist i Fenerbahçes, Flamurtarit të Vlorës dhe Sportklub Tiranës kampion me të po marr këtë fragment të autorit të njohur, Gëzim Peshkëpia: “…Më kujtohet kur isha adoleshent po loznim futboll në rrugicën tonë. Pranë nesh u duk doktor Samimi me çantë në dorë. Nuk hyri në shtëpi.

Ndoqi për disa minuta lojën tonë duke bërë vërejtjet e tij. Mbasi u fut brenda doli përsëri i veshur me tuta dhe me dorezat e portierit. Portieri u spostua dhe ai zuri vendin e tij. Njëri prej nesh që luante me skuadrën e të rinjve të njërës prej skuadrave të qytetit, filloi të gjuante fort, mirëpo na la me gojë hapur. Ai priste të gjitha gjuajtjet dhe njëkohësisht tregonte stilin si duhet mbërthyer topi e kur duhej grushtuar. Saxho, gruaja e tij, mbështetur te porta, e ndiqte me sy dhe qeshte. Ajo u fut brenda dhe pas pak çastesh e ndoqi edhe ai. Ndodhesha pranë portës. Doktori mbajti këmbët dhe më tha: ‘Goethe thotë: ‘Tek çdo i rritur fshihet një fëmijë që nxjerr kokën here mbas here…’”.

Them se ky përshkrim episodik i shpejtë i Peshkëpisë tregon jo vetëm ndjenjën, si të thuash, të botës së brendshme universale të futbollit, bukurisë së tij që ky sport i milionave ngjall, por edhe vlerat njerëzore që ai blaton përmes forcës së tij interpretative. E pra, a merremi sadopak me këto vlera të futbollit, të çmueshme edhe për ne, shqiptarët? Dhe po ndal te ndeshja Partizani-Vllaznia e së dielës që shkoi.

Partizani-Vllaznia Elbasan Arena

Mendoj se nuk gaboj kur them se kjo ishte ndeshja më e bukur e kampionatit. Dhe me përjashtim të golave, ajo i pati të gjitha. Ndeshja pati gabimet e saj, natyrisht, por ajo nuk pati asnjë veprim së koti. Ajo pati gjithnjë mendim. Ajo pati një barazi të pagabueshme: një Vllazni disi eprore e pjesës së parë, një Partizan kësisoj i pjesës së dytë, madje deri në të 93’, krejt afër fitores. Vllaznia e donte barazimin, por megjithatë edhe këtë donte ta përfitonte duke sulmuar. Partizani e deshi fitoren dhe nuk iu nda deri në fund.

Kujtojeni se si qe e mundur që në një terren të vështirë të demonstrohej taktikë dhe teknikë, larmi ndërtuese e lojës deri në skaj. Shpesh çuditesha se si nisnin sulmet nga e majta dhe nga e djathta, në qendër vertikalisht e në pasime mjeshtërore. Se si sulmonin edhe mbrojtësit anësorë, se si pritën portierët e të dyja skuadrave. Dhe e rralla tjetër: një pasuri e pandalshme aksionesh. Ndalime (stopime) mjeshtrash, gjuajtje të një teknike mirëfilli dhe pritje portierësh të një niveli vërtet ndërkombëtar. E mandej? Mandej edhe një burrëri futbolli, edhe pse ndonjëherë disi ashpër, por gjithnjë brenda etikës së lojës, qoftë edhe duke mos u ndalur te dy përjashtime lojtarësh. Cilët mund të veçoj?

Ndoshta dy trajnerëregjisorë, Daja dhe Brdariç, të cilët qëndruan në këmbë pa ndalur, ndërsa shiu dimëror binte pamëshirë mbi ta. Nuk do të përmend asnjë emër futbollisti. Kështu, ngaqë rrallë kohët e fundit kam parë 22 e 26 lojtarë sa qenë, që të jenë kaq të barabartë në mjeshtëri si në këtë ndeshje. Ato pak portrete që munda të shijoja, teksa fytyrat e tyre na afroheshin në ekran, të një serioziteti të rrallë, nuk mund t’i harroj, ashtu siç ato shfaqeshin, në një preokupim të thellë për ta kërkuar fitoren me futboll tërheqës.

Nuk pati fitore. Ishte 0-0. Po në të vërtetë pati një fitore të madhe: ishte fitorja e bukurisë së futbollit. E tash? A nuk e shihni se në Shqipëri sot flitet shumë pak për bukurinë apo hijeshinë e futbollit? Edhe në vitet tona në regjim, është folur çdo javë për bukurinë e futbollit. Madje, kjo ka qenë mbi të gjitha. Ndërsa sot kujtojmë se synimi i vetëm i një kampionati është të shpallesh kampion. “Synim” që po ia merr frymën gazetarisë sonë, në këtë rast edhe 20 javë pa mbaruar kampionati. E kjo e shoqëruar me terminologjinë e komercializimit të futbollit, edhe ndër ne, qoftë edhe përmes të ashtuquajturës “merkato (tregut) të janarit”. Na e merr frymën shitblerja e lojtarëve, na mbisundon jo bukuria e këtij sporti, por na mpak “egërsia” e parave. Na “çorodit” prania tej mase e presidentëve (kryetarëve) të skuadrave që shpesh zënë vend më shumë sesa lojtarët. Kësisoj, ne harrojmë të përshkruajmë bukurinë e futbollit dhe “moviola” e televizionit nuk merret kurrë me këtë bukuri përshkruese të një episodi të pashlyeshëm mjeshtërie.

Thjesht ajo merret me “ishte apo nuk ishte”, “e lagu apo nuk e lagu”. E përsëris edhe këtu: Shqiptarët e nesërm, dashamirë të mëdhenj të futbollit, do ta kenë të vështirë të mësojnë se si kanë luajtur apo si kanë interpretuar talentet tona të një hijeshie fubollistike. Aq pak ata sa mund të jenë. Ndonëse me shpirtin shqiptar, që dikush e pati quajtur “luftarak”, them se ata nuk janë fort pak. Është vërtet interesante se si ngjet që ish-futbollistë – tash “komentatorë” apo “analistë” të televizioneve – nuk ndalen te bukuria, te episodi i një elegance të futbollit, nuk ndalen te mënyra tërheqëse e lojës që të fal një aksion i bukur i një teknike e mendimi krijues i futbollit, ndonëse kur kanë qenë vetë futbollistë mund të kenë qenë aktorë të paharrueshëm, interpretues të pashlyeshëm të sa e sa bukurive të tilla.

Kam lexuar jo pak çka u shkrua në shtypin e huaj për ndarjen nga jeta të Maradonës për të cilin një tjetër mbret i bukurisë dhe hijeshisë së futbollit, Pele, tha: “Unë kam humbur një mik, bota një legjendë. Një ditë do të luajmë së bashku në parajsë”. As dhjetë për qind nuk iu dha vend titujve të shumtë kampionalë që ka fituar Maradona. Nëntëdhjetë për qind iu kushtua bukurisë së futbollit të tij, mjeshtërisë, improvizimit, elegancës, krijimtarisë së golave të tij monumentalë. E pra, synimi nuk mund të jetë jo thjesht “merkatoja e janarit”, po as edhe titulli i kampionit.

Të dielën apo të shtunën ndeshja e futbollit është një festë. Dhe, festat kanë forcën e bukurisë brenda tyre. Ndeshjet janë një dëfrim, nuk janë mërzi edhe kur skuadra humbet, përderisa në ato 90 minuta është shfaqur bukuria, qoftë edhe te ndeshja e futbollit tonë modest, siç qe kjo Partizani–Vllaznia. Ka shkruar shkrimtari i madh Pier Paolo Pasolini: “Çdo gol është një shpikje dhe gjithnjë ai nuk ka një kod: çdo gol është një vetëtimë drite e pashmangshme, është një mahnitje, një pakthyeshmëri. Po ashtu siç është fjala poetike”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"