Të shkruash dhe të meditosh kur nuk ka sport…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 6, 2020 | 21:41

Të shkruash dhe të meditosh kur nuk ka sport…

BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

Çka mund të shkruash kur nuk ka sport?

E kam fjalën kur nuk zhvillohen veprimtari të përjavshme sportive. E, një historian i sporteve nuk e ka problem, sepse shkruan histori, natyrisht, histori të bukura, të rëndësishme e të vërteta. Mundësisht prej atyre që nuk njihen fort. Ndërkaq, një gazetar i përqendruar tek aktualiteti, në këtë situatë, e ka më të vështirë ngaqë është mësuar që të ndjekë ngjarjet e ditës pra: çka ka ndodhë, çka mund të ndodhë, çka thonë protagonistët – sportistë, e doemos edhe se çka mund të ngjasë. Dhe të përshkruajë. Një analist sportiv, jo i televizionit, i cili është mësuar vetëm të flasë mbas një ndeshjeje në studio, por ai që di të analizojë problematikën aktuale të sportit kombëtar – sigurisht nëse është një pendë e sprovuar në gazetari – mund ta ketë më lehtë, sepse i futet analizave për ato çka ndodhën para se të mbërrinte ky virus.

Siç shihet, edhe pa sport, mundësitë për të shkruar, natyrisht nuk mêhin. Vërtet, nuk ka gola për t’i përshkruar, nuk ka rekorde për t’i njoftuar e përimtuar; dhe as intervista protagonistësh të garave javore.

Atëherë?

Për një çast unë po i flak tej të gjitha këto mundësi. Dhe po hidhem diku në “mbrapaskenë” që papritmas bëhet skenë. Ka plasë ndërkaq, si në gjithë Europën, një temë e vetme: kur do të rifillojë sporti, sidomos futbolli. Sigurisht, “dikur” do të mbërrijë rifillimi. Atë ditë kur ky virus të mos jetë i rrezikshëm e të mos përçohet kësisoj nga njeri te tjetri. Mirëpo, për sa kohë ai është midis nesh, nuk mund të luhet as fuboll dhe as basketboll, as volejboll e nuk mund të bëhen as gara atletike. Mirëpo, mendja rri gjithnjë te futbolli. Si do të shpallet kampioni e nënkampioni apo zbritjet nga kategoria? Po a vërtet është kaq e rëndësishme kjo?…

Le të shpresojmë se virusi do të largohet, se do të mpaket pa qenë i rrezikshëm. Kur? E kushedi!…

Atëherë?

Qofsha i gabuar, por edhe unë si të tjerë, do të mendoja se duhet pritur me shpresë. Mandej të mund të rifillojnë, bie fjala, kampionatet e sporteve individuale (gjimnastika, peshëngritja, pingpongu… ). Mandej sportet me skuadra, pra dhe futbolli, basketbolli e volejbolli për t’u shpallur kampionët e të tjerë… Do të ishte një lloj epilogu disi i shpejtë, ndryshe nga ecuria e deritashme, ndoshta me ndeshje disi të shpejta dy herë në javë, qoftë edhe duke pranuar një lloj gare jo aq të natyrshme. Edhe për këtë, prapë na duhet të presim edhe pak…

53212822_304

Mirëpo, ja që, vetvetiu po mendoj se më shumë se ankthi se kur do të rifillojmë, do të ishte më mirë që gjithë këto javë të meditonim e të meditojmë. Kush të meditojë? Sigurisht, ata që drejtojnë sportet. Kjo situatë pa sport të fushave apo pallateve të sporteve, për njerëz të mençur, ma do mendja se do të vlente për të medituar, pra. Për të medituar ose përsiatur për se çka mund të bëhet për organizimet e ardhshme të sporteve. Sepse, a nuk e shikoni se organizimet tona janë vjetëruar tejet? Sidomos me rutinën e organizimit të kampionateve të futbollit. Shumë pak skuadra (10), ndarje të pajustifikuara të krahinave, të skuadrave të qyteteve në kategoritë më poshtë. Pak skuadra parësore edhe në basketboll e volejboll, pak gara atletike (kjo edhe për mungesë të pistave në shumë qytete, madje deri dhe në kryeqytet); ndërsa nuk di a është konform kohës së sotme zhvillimi dhe fuqizimi sportiv në gjimnastikë, not, në qitje a mundje.. Se për sa i përket, bie fjala, shahut, nuk di se ku gjendet ky sport i mendjes  që ka pasë nderuar Shqipërinë deri në Olimpiadat Botërore.

Kësisoj, them se kjo periudhë “qetësie” e çuditshme, më duket fort e përshtatshme për të kaluar nga meditimi në veprimin e riorganizimit të përgjithshëm të ecurisë së mëtejshme të sporteve në Shqipëri. Edhe ngaqë duke hyrë mandej pak më thellë në histori, do të shohim se shumë organizime kanë qenë më të mira në të kaluarën, qoftë edhe gjatë kohës kur Shqipëria ishte Regjim.

Për një gjë jemi të sigurt: që, në fund të fundit, do të gjendet mënyra e rifillimit. Mirëpo, ti që je zgjedhur apo emëruar në krye të një federate, a thua nuk e mendon, se ndërsa pate dhe ke gjithë këto ditë të qeta, kjo mënyrë e drejtimit të sportit tënd, kështu siç ka qenë deri tash, nuk ka qenë e mirë? Apo vërtet të duket gjithçka mirë?…

Çka ke ti Ministri, KOKSH, FSHF, FSHB, FSHV, që të kaluan gati tre muaj pa sport dhe nuk ke thënë asgjë tjetër, veçse kur do të rifillojë? Dhe nuk të ka shkuar sadopak ndër mend, që t’u rikthehesh muajve që kaluan dhe të kuptosh se nuk e ke drejtuar siç duhet sportin. Dhe nuk po ke aftësinë të zotërosh, të përvetësosh një kuptim tjetër nga ky i sotmi…

S’kam çka bëj! Do të pres edhe unë si shumë të tjerë, jo thjesht për të pritur deri sa të rifillojnë veprimtaritë, por për të medituar edhe unë si gazetar, se çka kemi bërë gabim e çka mund të bëhet më mirë.

52805860_303

Kur Lojërat Olimpike patën marrë udhë, mbasi devijuan jopak, themeluesi Pier De Coubertin meditoi dhe tha se “kryeveprën tonë e shkyen dhe e bënë copë”. Ishin prishur jo pak idetë me fitoren si qëllim më vete, e pak më vonë edhe me simptoma të komercializmit. Ai nuk arriti ta ndalë atë lloj “kataklizme” të kuptimit human të shpirtit olimpik të ecurisë së sporteve për njerëzimin. Mirëpo, të paktën ai iku me nder, sepse paralajmëroi plagë, të cilat vetëm kur u zgjeruan edhe më, mbasardhësit e tij nisën luftën e pakompromis për t’i shëruar. Sidomos kundër dopingut e racizmit, e mandej edhe me idenë e madhe të olimpizmit nën atë që i thonë “fair play”. Për fat, ende nuk i është arritur qëllimit, ndërsa lufta vazhdon, megjithatë…

Në sportin shqiptar nuk ka një luftë të tillë. Ka një rutinë dëmtuese, madje më parë se tek organizmat sportivë, kjo rutinë vërehet më fort edhe te qeveria, edhe te shteti. Pse jo, edhe te populli, sidomos te një pjesë e gjerë e rinisë, e cila më shumë se për çdo gjë, po shqetësohet që nuk po fillon Serie A e Italisë. Edhe pse kjo Serie A nuk ka të bëjë aspak me ecurinë dhe zhvillimet e sportit në Shqipëri!

Krejt papritmas, këto ditë kam mësuar një të re të rrallë. Kur sapo ishte zgjedhur presidenti i SHBA, John Fitzgerald Kennedy, ndërsa kishin kaluar vetëm nja tre muaj mbasi ishte zgjedhur pra, ai në më mënyrën më sensacionale do të botonte një shkrim në revistën më të famshme sportive të SHBA “Sports Illustrated” me titullin “Amerikani i brishtë”. Tema dhe problemi i shkrimit ishte një dhe vetëm një: edukimi fizik i rinisë amerikane është shumë larg përhapjes dhe zhvillimit të kulturës fizike në krahasim me Europën! Dukej që presidenti kishte medituar apo menduar gjatë kësaj kohe edhe për një ndryshim thelbësor të edukimit fizik të rinisë, çka në fund të fundit, kishte të bënte  me rritjen e forcës së kombit. Aq më tepër kur Lufta e Ftohtë kishte përfshirë botën dhe kur Bashkimi Sovjetik, siç theksonte presidenti Kennedy në shkrimin e tij, po ia kalonte SHBA-së në edukimin fizik e kulturën fizike të rinisë.

Duke iu kthyer Shqipërisë sonë të vogël, duket qartë se po bëhen vite që thuajse askush nuk e prek këtë temë. Kësisoj, nuk mund të pranohet se Shqipëria gati-gati sa nuk po fiton garën për t’ia kaluar Europës, ndërsa për çudi fort të madhe dashka të jetë e para në kontinent që mund të rifillojë kampionatin e futbollit! A vërtet kjo është më e rëndësishmja?

Qofsha i gabuar, por mendimi apo meditimi më thotë se më parë se ankthi për të mbërritur sa më shpejt te ky rifillim i veprimtarive sportive, është kjo tjetra: ndryshimet frytdhënëse dhe mënyrat më të përparuara që do të na çonin sa më parë te një përmbysje për mirë të gjendjes së sotme të sporteve dhe te fuqizimi i kulturës fizike në Shqipëri.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"