Të gjithë në sulm kundër Vllaznisë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 11, 2021 | 17:24

Të gjithë në sulm kundër Vllaznisë!

Nga BESNIK DIZDARI

Besnik-Dizdari

Kjo është tema. Ky është slogani. Kjo është thirrja. Ky është qëllimi. Ky është synimi.

Dhe a e dini pse? Sepse para fillimit të kampionatit, veç Vllazninë nuk e llogariste askush. Nuk e llogariste askush sepse futbolli kampional i Shkodrës, ndërsa brenda tri vjetëve mbasi kishte rënë në Kategorinë II dhe ishte rikthyer, prapë thuajse po aty kishte mbetur. E kujtoni se u rendit e 8-ta edhe në kampionatin që shkoi e rregulli i “synimit” të përjashtimit prej Kampionatit të 30 për qind të skuadrave – shpikje madhështore kjo e FSHF – e çoi në ndeshjen e rënies ose të mosrënies. Kjo datuar jo larg, por vetëm 6 muaj më parë: 2 gusht 2020: Vllaznia – Besëlidhja 3-1!

Kësisoj, në prag të Kampionatit 2020-‘21, për një Vllazni pretendente natyrisht askush nuk guxoi të fliste, ndonëse përbërja asaj po ndërronte tejet. Dhe më fort se te emrat, të cilët nuk ishin as fort të shquar dhe gati të panjohur, spikaste fakti se trajner do të ishte një lojtar, më parë i Gjermanisë, me emrin Thomas Brdariç dhe një president i ri Alban Xhaferi. Pa harruar mbështetjen e një kryetareje të Bashkisë me emrin Voltana Ademi, e cila te kujtimi i pashlyeshëm i babës së saj,i paharrueshmin Vehbi Ademi – basketbollisti dhe volejbollisti i madh i Vllaznisë, Partizanit e Kombëtareve të Shqipërisë – ajo ndien fort edhe vokacionin sportiv.

Dhe papritmas, Vllaznia që i sfidon të gjithë.

Në 18 javë pa ia ndarë, ajo e ka tronditur kampionatin e Shqipërisë dhe pa nxjerrë fjalë nga goja ka mpakë tejet ambiciet e atyre skuadrave të tilla si Partizani, SK Tirana apo KF Kukësi, që këto vite janë sunduesit e kampionatit teksa kanë fituar 3 titujt e kohëve të fundit: KF Kukësi më 2017, Partizani më 2019, SK Tirana më 2020. Pa harruar Teutën e Durrësit fituese e Kupës dhe Superkupës së Shqipërisë 2020. Kjo është një katërshe që veç konkurrencën e Vllaznisë nuk e mendonte. Madje më shumë do të ketë menduar konkurrencën e KF Laçit i cili më 2020 ishte i treti i Shqipërisë e tash prapë synon jo pak, teksa përveç të tjerave, mbetet tronditës, mirëfilli i vetëm i Vllaznisë. Kështu pra, të mësipërmeve iu duket se ka ndodhur hataja. Një Vllazni “joshkodrane”, por, mesa duket, paksa gjermanike, papritmas shfaqet nën shêjin e duelantit të pa shumë bujë,megjithatë. Dhe kryeson 15 javë nga 18, madje që nga Java 6 nuk zbret nga vendi i parë. Kaq e fuqishme duket në këtë kryesim të saj, deri aty saqë ndonëse në tri ndeshjet e fundit humbet plot 7 pikë, përsëri ndodhet në krye me 6 pikë epërsi. Arkivi më thotë se asnjëherë në historinë e Shqipërisë mbas 18 javëve kampionat,skuadra e Shkodrës nuk ka qenë në këtë epërsi prej 6 pikësh.vllaznia (1)

Mû edhe për këtë, për “ata” nuk ka rrugë tjetër përveçse:”Të gjithë në sulm kundër Vllaznisë!” Deri aty madje, saqë edhe jo pak komentatorë televizivë – kryesisht “miq” të skuadrave kryeqytetase –largësinë prej 6 pikësh nuk e quajnë asgjë. Dhe nënkuptojnë se tash fillon gara e vërtetë. Çka nuk është aspak e vërtetë. Kjo ngaqë gara nuk fillon në Javën 19, por vazhdon me Javën 19. Tjetër punë nëse mund të jetë një vazhdim dramatik, i frikshëm në të gjitha kahet. Në të vërtetë, pretendentët që po i quaj “të mëdhenj”, siç ua ka ânda, nuk dinë se kah të sulmojnë. Të sulmojnë Vllazninë apo njeri tjetrin? Ngrenë sytë lart dhe shohin Vllazninë “e vogël” gjithnjë në krye, presin rastin dhe harrojnë pra, se iu duhet të sulmojnë edhe njeri tjetrin e të sulmohen po aq edhe prej njeri tjetrit. Një “kakofoni”e tërë kjo…! Ndërkaq, Vllaznia ruan qetësinë. E cila mbi gjithçka tjetër,duket në vështrimin e qetë të trajnerit Brdariç. E edhe pse kryeson me një epërsi erëkândshme mbas 18 javëve, asnjëherë nuk thotë se Vllaznia synon titullin. Thotë vetëm: “ndeshja e radhës”. Mesa duket, do të thotë se “ky është titulli ynë”. Po “të mëdhenjtë”? Një trajner prej tyre tha se tashmë me që 9 pikët u bënë 6, kampionati u hap. Ndërsa një trajner tjetër kundërshtar, shkon te fjala e kolegut gjerman kur po ashtu tha se edhe për skuadrën tij synimi mbetet thjesht ndeshja e radhës. Duket që edhe midis “të mëdhenjve” ka kontradikta. Në mbivetdije, atyre iu nëpërmendet se përveçse me Vllazninë, kanë fort punë për të bërë edhe me njeritjetrin. Madje, ndoshta edhe me |të vegjlit”e tjerë, midis të cilëve për fat ndodhet edhe një “i madh” jo i largët,i cili dihet se është Skënderbeu i Korçës – Kampion i Shqipërisë më 2018…

Megjithatë, ndoshta shumica e tyre e harrojnë gjithë këtë strukturë, që po e quaj strategjike të brishtë. Më tepër më duket se ndodhen nën një trysnitë vetëkënaqurish, një trysni që përpiqet ta fusë skuadrën e Shkodrës në një lloj gracke psikologjike, që pse jo, mund të ketë pasojat e veta. E, Vllaznisë, nuk i mbetet gjë tjetër veçse të ruajë qetësinë, përmes filozofisë së vlerësimit mbi gjithçka, të asaj që quhet “ndeshja e radhës”. Pikërisht këtu qëndron e vërteta e këtij kampionati pa spektatorë 2020-‘21. Një kampionat me vetëm 10 skuadra – “dashuri” e madhe kjo e një federate që po provon qartë se nuk do t’ia dijë aspak për nja 5 a 6 qytete të mirënjohur të futbollit Kombëtar që i ka rrëzuar në Kategorinë II. Dhe i thotë mendja se edhe pa ato, do të ndërtojë një Kampionat disi të rangut europian, ndonëse ka bukur 7 vite që dështon pa u tronditur aspak. Si do të shkojnë punët? Është enigmë. Ndonëse një gjë është e vërtetë: e gjitha ecuria e kësaj drame e prodhuar prej Vllaznisë “së vogël”, duam apo s’duam ne, duan apo s’duan presidentët e etur të “të mëdhenjve”, them se gjithçka do të rrotullohet rreth kësaj Vllaznie. Ose ndryshe, asnjë “mirëkuptim” i rrugës së këtij kampionati nuk do të mund të realizohet pa rolin e Vllaznisë, rol i cili qysh sot ta do mendja se do të jetë një rol i madh për fatin ende enigmatik të këtij kampionati. Atëherë, çfarë kampionati është ky? Ky është një kampionat i vështirësisë së golit, i pak golave pra, me plot 24 herë të rezultatit 1-0. Ndërsa asnjë skuadër nuk ka arritur të shënojë as edhe 1 gol e gjysmë për ndeshje. Ky është një kampionat që në gjysmë të rrugës ndoshta ka nxjerrë jashtë synimeve për titull dy “të mëdhenj” që janë SK Tirana e KF Kukësi, tash në vendet 5 e 6 me 11 pikë larg kryesuesit.

Ky është një kampionat që kërkon me ngulm – natyrisht për shkak të numrit të paktë të skuadrave, që janë vetëm 10 – të përjashtojë apo të flakë tej skuadrën shqiptare më të famshme të Shekullit XXI që është Skënderbeu i Korçës. Ky është kampionati, i cili po i bën shêj Dinamos 18 herë kampione që të kthehet sa më parë, duke na “rrezikuar” që nëse do të lejohet edhe më tej që të mbesin po 10 skuadra, kryeqyteti do të ketë 30 për qind të tyre në kampionat. Kësisoj do të jetë tejet e vështirë, gati si dikur në vitet ’50 e ’60 e më tej, që të sfidosh marrëveshjet shpesh mbrapaskenore të pamëshirshme kryeqytetase. Kanë qenë kohëra kur kryeqyteti sundonte me federatë, me arbitra, me qeveritarë, me ushtarakë, me partizanë e luftëtarë. Me dikasterialë e deri dhe me ministra. Mundet që prapë t’i kthehemi atij sundimi, tash në stilin “demokratik” natyrisht, por që po tregon se për hir të së vërtetës, ka shumë shembuj që provojnë një stil “autokratik”. Bie fjala, nëse në minutën e 20-të të ndeshjes Vllaznia – KF Laçi do të nxirrej jashtë një futbollist mik – çka aq fort e meritonte – mundet që KF Laçi të mos rezistonte në 70 minuta me një lojtar më pak.

Ndërkaq, një shkodran, tifoz i vjetër,më tha se Vllaznia ka humbur edhe për shkak të ngjyrës gati të errët, të njëtrajtshme të fanellave të të dy skuadrave, në vend që miqtë të luanin me fanellat e tyre rezervë, për të kontrastuar figurën e lëvizjeve të lojtarëve gjatë lojës. Pa shkuar te pamja televizive që për këtë shkak qe thuajse e mjerë. A thua se ndeshja nuk pati vëzhgues e delegat për t’i thënë “stop” kësaj mangësie. Pse jo, edhe gjyqtarë. Pra, ndërro fanellat! Sepse dihet që fanellat me ngjyrë të përafërt, ndikojnë deri në paqartësinë e lëvizjeve taktike. Natyrisht jo për njërën, por për të dyja skuadrat. Çka do të thotë se KF Laçi zhvilloi një ndeshje të mrekullueshme dhe e meritoi plotësisht fitoren. Sidoqoftë, e gjitha kjo hyn në kulturën dhe dijen organizative që kërkon një ndeshje moderne e futbollit. Ndoshta një herë tjetër do të do të na duhet të flasim për personalitetin, dijen e kulturën e delegatëve dhe vëzhguesve të ndeshjeve. Temë kjo që për çudi nuk e ka prekur askush deri më sot. Duke i lënë përherë ata në rolin e “éminence grise”. Dhe çdo javë thuajse të gjithë janë nga Tirana. Në javën e 16-të, në mos gaboj, vetëm njeri ishte jokryeqytetas: i mirënjohuri Mëhill Shkëmbi nga Shkodra. Janë fort të rëndësishëm delegatët dhe vëzhguesit, sepse iu duhet të relatojnë përherë të vërtetat. Të vërteta që ndikojnë në përsosjen e organizimit dhe të drejtimit të ndeshjeve të kampionatit. Dhe i rikthehem Vllaznisë e rivalëve të saj. Rivalë të cilët në vetvete, ndonëse po kërkojnë të sulmojnë fort, ende nuk e kanë të qartë se si do të sulmojë nga ana e saj Vllaznia. Nuk besoj se harrojnë që ashtu si ky që është një kampionat atipik, edhe kjo Vllazni 2021-shi, është një Vllazni atipike. Vështroni se cilët janë 23 lojtarët e saj të deritashëm të këtij kampionati:

Vllaznia festa e golit

ZOGOVIC Mali i Zi (Kolubac)

ADILI Maqedonia V. (Shkupi)

ISAEVSKI Maqedonia V. (Dunav)

IMERI Maqedonia V. (O.Donjec)

DA SILVA Brazil (Virtus Verona)

DILAVER Bosnje H. (Nasaf)

DUNGA Kenia (Kalau)

AVDIAJ Zvicra (SK Tirana)

NYA-VEDJI Togo (Zeta)

KALEZIC Mali i Zi (OFK)

Këta janë plot 10 lojtarë të shteteve të tjera: Mali i Zi, Maqedonia V., Brazili, Bosnja H., Kenia, Zvicra, Togo. Plot 7 shtete – rekord në historinë e skuadrës së Shkodrës.

Vazhdojmë me lojtarë të tjerë:

IMAMI Skënderbeu

MARKU H. Kastrioti

HOXHAJ A. Flamurtari

JONUZI KF Laçi

SHEHI SK Tirana

HOXHAJ N. KS Elbasani

Këta janë 6 lojtarë shqiptarë, por që gjithashtu nuk i ka formuar Shkodra, por klubet e tjera. Dhe e mbyllim me 6 lojtarët e vetëm shkodranë të cilët janë këta:

GURISHTA, KRYMI, KRUJA, KALAJA, ÇOBA, LEKAJ (iku në janar).

Ky është absolutisht rekordi i të gjitha kohërave për Vllazninë: vetëm 6 lojtarë nga Shkodra! Siç u pa më sipër, 10 të tjerët kanë ardhur prej klubeve të huaj të shteteve të tjera, e pakta nga tri kontinente: Europë, Amerika e Jugut dhe Afrikë! Nuk mbarojnë pikëçuditjet! Në të vërtetë edhe ky shembull i Vllaznisë 2020-21 përforcon ndërkombëtarizimin e skajshëm të Kampionatit Kombëtar të Republikës së Shqipërisë. Ekonomia e tregut, komercializimi, shndërrim i paparë, risi unike e sa s’di se çka. Temë e madhe kritike kjo e gjithë këtyre kohëve të fundit,jo vetëm për Vllazninë, por për të gjitha skuadrat shqiptare. Ndërkaq, Vllaznia sot ka vetëm 5 lojtarë nga përbërja që kishte kampionatin e kaluar, kur u rendit e 8-ta dhe shkoi në ndeshjen për shpëtim. Janë Gurishta, H.Marku, Krymi, Kruja dhe Adili!

Vllaznia 5-1

Çka do të thotë se kjo është një Vllazni thuajse krejt tjetër! Kjo pra është Vllaznia 2021. Befasi e madhe e Kampionatit të Shqipërisë 2020-21, sfidë e përmasave. Dhe në krye mbas bukur 18 javëve. Po cili është futbolli i saj? Jam munduar vetëm sa ta skicoj paksa në editorialin e mbas ndeshjes me Partizanin. Vetëm paksa! Në thellësi të taktikës, mënyrës së lojës së saj si një gjykim teknik, në këtë më fort iu takon të hyjnë ata “komentatorë” apo “analistë” ish-trajnerë apo ish-futbollistë, të cilët për çudi më tepër sikur kërkojnë të bëjnë punën e gazetarit – e pra nuk ia arrijnë – se sa atë të specialistit çka dhe ju takon fort.

Problemi që më duket më interesant është se si ka qenë e mundur që brenda këtyre pak muajve, skuadra e Shkodrës ia ka arritur të njëjtësojë në një harmoni, çuditërisht po të “shkollës shkodrane”, këta 23 futbollistë, të cilët vijnë nga kontinente të ndryshëm nga shtete të ndryshëm, nga klube e stile të tjera, në fund të fundit. E keni pa se cilësia më sunduese e lojës së tyre është harmonia e një stili, që po deshe quaje edhe taktik. Vllaznia e Shkodrës, në mos gaboj, ka dalë në shitje. Ata që kanë ndër mend ta blejnë pa vonuar. Historia e saj mbi 100-vjeçare, fort e pasur, qoftë edhe me rëniet e tronditjet që ka pësuar sidomos vitet e fundit,megjithatë na bën të themi: “Lum ai që do ta blejë!” E prapë një tjetër pikëçuditje…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"