Shpërthen Kosova e futbollit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 10, 2018 | 20:23

Shpërthen Kosova e futbollit

BESNIK DIZDARI

Besnik-Dizdari

… Paksa të duket se Kosova e futbollit shpërthen edhe për inat të disa shqiptarëve megalomanë, të cilët në injorancën e tyre kujtojnë se janë eprorë ndaj Kosovës së futbollit. Ndonëse historia na tregon se kurrë Shqipëria nuk e ka pasur, bie fjala, futbollin e saj siç e ka pasur Jugosllavia eurofutbollistike në kampionatin e saj, në të cilin për disa vite me radhë pat shpërthyer edhe Prishtina e Kosovës me gati 100 për qind lojtarë shqiptarë. Mirëpo, edhe pse Kosova shpërthen, “Kosovofobistët” e Shqipërisë prapë vazhdojnë. Nuk e di sepse. Ndoshta nga padija.

Ndoshta nga inati se rrezikojnë që Kosova t’ua kalojë. Ndoshta ngaqë nuk janë të zotë të mbështeten te talentet e brenda Shqipërisë, për shpërthimin e të cilëve duhet fort punë – çka ata nuk kanë bazament për ta bërë. Ndoshta se është tronditur Federata Shqiptare e Futbollit, e cila për çudi paska nevojë të mbrohet prej një servilizmi që, aty këtu, madje vjen edhe prej medias. Ndërkaq, unë pa pikë modestie po ndiej se, për mohues të shumtë, më duhet të kujtoj se e gjitha çka kam shkruar këto vite për futbollin e Kosovës më është realizuar.

kosova-4_1521748571-9725171-470x258

I pari, absolutisht i pari, qysh në fillim të viteve ’90 kam propozuar në shtypin shqiptar që lojtarë shqiptarë të Kosovës të luajnë për Kombëtaren e Shqipërisë, përderisa ajo nuk e kishte një Kombëtare të sajën. Dhe, hap mbas hapi, kjo m’u realizua. Por mandej, kur erdhën kohët e tjera, i kam shkruar dhe botuar letër presidentit të UEFA-s, Michel Platini, për pranimin e Kosovës në UEFA. E ai nuk më është përgjigjur, por, mbas do kohe, Kosova është pranuar ashtu siç kam shkruar unë. Doemos ashtu siç këtë e ka kërkuar Kosova mbarë.

Mandej, kam shkruar se Statuti i FIFA-s nuk lejon që një klub i një shteti të luajë në Kampionatin e një shteti tjetër. Pra, kam shkruar se mos humbni kohë, kjo nuk mund të realizohet. Ndonëse disa “të mahnitshëm” kërkonin me vetësiguri që Prishtina të luajë në Kampionatin e Shqipërisë. Kam thënë përmes shkrimeve të botuara, absolutisht i pari, se Kosova do të ketë Kombëtaren e saj. Më kanë quajtur kundëratdhetar, por tashmë Kosova e ka Kombëtaren e saj. Mandej, kam shkruar se Kosova do të marrë pjesë në kampionate europiane e botërore. Dhe ajo po merr pjesë.

Kam thënë, duke shkruar e zeza në të bardhë, se nuk mund të ketë “një kampionat për dy shtete” dhe as “një Kombëtare për dy shtete”, edhe pse përbëhen të dy nga shqiptarë. Dhe e shihni që, këto ëndrra naive të paditurish, nuk u realizuan. Ja që kam shkruar po i pari, po e bardha në të zezë, se nuk duhen “grabitur” përmes kampeve të fushimit futbollistët shqiptarë të Kosovës në Zvicër dhe që duhej shkrirë sektori megaloman i “zbulimit të talenteve në Europë” (kupto të talenteve të Kosovës). E tashmë nuk guxon më askush të shkojë e të ngrejë më kampe fushimi atje për këto rrëmbime që nuk i pat duruar as Zvicra e butë.

kosova

Dhe i kam mbrojtur me shkrime lojtarët shqiptaro-zviceranë kur “analistë të ndritur” televizivë – të cilët natyrisht nuk kanë të bëjnë aspak me gazetarinë – këmbë mbi këmbë, i quanin “tradhtarë”. Ajo që nuk më është realizuar, është kjo tjetra: pata shkruar se asgjë nuk mund të pengojë që klubet më të mira të Kosovës dhe të Shqipërisë (pse jo, edhe klube të Maqedonisë apo Malit të Zi) të organizojnë një turne të herëpashershëm midis tyre. Nuk m’u realizua se disa mendje të prapambetura të Shqipërisë duan veç t’i rrëmbejnë lojtarë Kosovës. Mirëpo, bash këtu historia merr fund.. Dhe shpërthen Kosova! Shihni tash se çka ka bërë vetëm këto ditë me “Kombëtaret” e saj. Ndodhi, pra, që për herë të parë në histori, Kombëtarja e parë e Kosovës fitoi dy ndeshje rresht: 1-0 me Madagaskarin dhe një tjetër 2-0 me Burkina Faso. Modeste do të thoshte i infektuari prej “Kosovofobisë”.

Mirëpo, të dyja ato janë Kombëtare të hershme, të shumë dekadave para Kosovës. Dhe shihni mirë se prej çfarë klubesh vijnë kombëtarasit e Kosovës, Ujkani e F.Aliti, Rrahmani e Kollolli, Vojvoda e Paqarada, Kryeziu e Shala, Celina e Zeneli, B.Berisha e Nuhiu, Zhegrova e Voca, Taipi e Rashica, Rashani e Muriqi: klubet e tyre janë Cremonese, Dinamo Zagreb, Lausanne, Luzern, Ipswich. Heerenven, Werder, Sheffield, Grashoppers, Genk. Sa për të përmendur disa. Mirëpo, shpërthimi i kësaj pranvere të Kosovës nuk ndal këtu. Kosova NEN 19 u kualifikua për Elite Raund në ndeshjet e Kampionatit Europian mbasi mundi Izraelin e Lituaninë 2-1 e 3-0. Kur shkoi te Elite Raund, këto ditë, ajo iu dorëzua 5-0 e 3-0 Portugalisë dhe Irlandës. Ky është futbolli i pamëshirshëm. Gati si puna e Shqipërisë së tashme: 1-7 me Norvegjinë NEN 19 apo 1-4 me Sllovakinë NEN 21. Mirëpo, Kosova në ndeshjen e fundit fiton 2-1 me Sllovakinë duke e lënë mbrapa atë. Emrat e protagonistëve të saj janë Gashi, Reqica, Ademi, Limani, Salihu, Celina, Behrami, Sinani, Kqiku, Pajaziti, Bali, Kryeziu…

Klubet e tyre i kanë emrat: Karlsruher, Bohum, Milan… E, për habinë tuaj edhe 2 Korriku, KEK, Drita e Besa të tokës dardane. Dhe ja tek shfaqet Kosova NEN 21. Këtu madje është dhe shpërthimi më i madh. Luan në grupin 5 të Kampionatit Europian në vazhdim. Renditja e grupit është kjo: Gjermania 16 pikë, Irlanda 13, Kosova 11, Norvegjia 11, Izraeli 7 dhe Azerbajxhani 1. Ditët e fundit, më 27 mars, Kosova barazoi 0-0 me Kampionen e Europës në fuqi të 21-vjeçarëve që ishte Gjermania me lojtarë të Schalke 04, Bayer L., Hannover, Werder, RB Leipzig, Borussia Dortmund…

kosova

Një ndeshje e bujshme, mbasi Kosova pesë ditë më parë kishte fituar 2-0 me Azerbajxhanin. Emrat e kë- tyre djelmoshave janë Bekaj, Xhemajli, Ismaili, Kabashi, Mema, Krasniqi, Jashari, Feka, Maloku, Broja, Shabani, Hasani, Korenica, Sulejmani. Emrat e klubeve të tyre janë Neuchatel, Hajduk Split, Sion, Eintracht, Luzern, Diosgiori, Hannover. Si edhe Trepça, Llapi apo Liria e Kosovës. Këtu duket se ezaurohet edhe tema jonë e kësaj historie. Sigurisht nëse nuk ia vlen t’ia dëgjojmë zërin një lapsusi, edhe pse ndoshta disi fyes, të trajnerit të Shqipërisë, Panuçi, rreth çështjes “Zhegrova”, që nuk ka asgjë të përbashkët me të bujshmen çështje “Januzaj” të së shkuarës, së cilës “atdhetarët” artificialë të Tiranës, nuk patën lënë epitet tradhtie pa i vënë. Ndërkaq, Zhegrova i talentuar i Genk të Belgjikës thotë se “jam krenar që përfaqësoj vendin tim, që është Kosova”, pa shkuar te rastet e “përjashtimit” të treshes së Kosovës nga pjesëmarrja në “EURO 2016”.

Po i quajmë episode. Ndoshta më duhet të shtoj se Federata e Futbollit të Kosovës nuk ka përse të ndiejë asnjë “inferioritet” ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit. Janë dy Federata të pavarura të dy shteteve po të pavarur – anëtare me të drejta të barabarta të UEFA-s e të FIFA-s. Shpërthimi i kë- toditshëm i Kosovës në arenën ndërkombëtare, siç e treguam më sipër, i vë vulën hapjes së një faqeje të re edhe për ecurinë e ekipeve Kombëtare të Republikës së Shqipërisë, e cila tash e mbrapa, për fatin e saj të mirë, do të mbështetet te talentet e tokës së saj. Ose edhe te talentet me prejardhje nga Republika e Shqipërisë, të cilët luajnë jashtë. E, këtu, krejt papritmas, del problemi tjetër, me të cilin mund të merret një shkrim tjetër: përse nuk prodhon më Shqipëria lojtarë të cilësisë së lartë, të cilët mund të luajnë me klube të Europës?…

Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet riprodhimi i pjesshëm apo i plotë pa lejen e gazetës.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"