“Rrënuesit” e sportit shqiptar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 7, 2018 | 22:34

“Rrënuesit” e sportit shqiptar

BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

Për fatin tim të mirë, unë nuk jam “rrënuesi” i sportit sh qiptar. Përkundrazi! Janë të tjerë. Janë ata që 30 e më vjet mbas pjesëmarrjes së parë të Shqipërisë në Lojërat e Mesdheut shkaktojnë që Shqipëria të paraqitet më jorezultative se asnjëherë tjetër. Janë ata, të cilëve kurrë nuk iu shtyhet as edhe një ditë të vetme marrja e rrogave të larta, që ky popull i varfër ua blaton. Por, të cilët rënien e sportit shqiptar veç e shtyjnë dhe e thellojnë për kushedi se deri kur. Këta janë ata, të cilët shpërthejnë në euforinë infantile për Kupën e Botës në futboll, një eufori sidomos televizive që përbën rekord botëror në llojin e vet. Dhe as që iu shkon nëpër mend të nxisin qoftë dhe një rekord ballkanik për sportin shqiptar. E, për fatin tonë të keq, “rrënuesit” e sportit shqiptar i gjen gjithandej.

shqiptaret koksh

30 vjet më parë, më 1987 (thueji 31, po deshte) Shqipëria ka marrë pjesë për herë të parë në Lojërat e Mesdheut çuditërisht e drejtuar prej një nga regjimeve më të tmerrshme të Europës paqësore, atij të komunizmit më fanatik që mund të mendohej. Por, i cili papritmas vendosi të shkonte në Lojërat e Mesdheut. Dhe bëri një bujë të plotë. Fitoi 8 medalje: 3 ari (volejboll e basketboll për femra dhe qitje Kristo Robo), 1 argjendi (çekiç Ajet Toska), 4 bronzi (Adriana Vejkollari në 800 metra, Pavlina Evro në 1500 metra, Hysen Cenaj dhe Fatmir Bushi në peshëngritje). E sot? Vetëm dy medalje: 1 ari prej të zakonshmes Luzia Gega në 3000 metra – për të cilën nuk dihet se ku stërvitet – dhe 1 argjendi prej debutuesit të talentuar, Krenar Zeneli në boks. Kaq pak ngaqë këndej pari sundojnë “rrënuesit” e sportit shqiptar. Jo se i vënë mina me duart e tyre, se këtë assesi nuk mund ta bëjnë, por sepse sportin shqiptar e përdorin vetëm për interesa të tyre. Madje, nga të gjitha kahet që ta marrësh.

E prej kësaj vjen edhe “rrënimi”. “Rrënimin” e përdor edhe Federata Shqiptare e Futbollit – e ajo prej vitesh nuk ia arrin ta çojë futbollin në Mesdhe – ngaqë do vetëm 10 skuadra në Kampionatin e Shqipërisë, me sa duket për ta sunduar më lehtë. Por, ajo ia arrin ta çojë në Kategorinë e Dytë skuadrën më të famshme për kah historia, Vllazninë e Shkodrës dhe vë buzën në gaz. Federata Shqiptare e Futbollit pra, e cila me parimin shpirtngushtë, se asgjë nuk zgjat më shumë se 24 orë, kujton se kemi harruar që ajo është shkaktarja e parë e mosthemelimit të Ligës Kombëtare të Futbollit, për të cilën ka dy vjet që thotë se do të themelojë, e nuk e themelon.

Dhe me dinakëri hesht! Me sa duket, edhe ngaqë frikësohet se po ta themelojë Ligën, i zbehet tejet diktatura e drejtimit të futbollit kombëtar. Për vete e përdor sportin edhe Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, përderisa mezi e thotë një fjalë edhe kur dështon. Ta do mendja se po kështu e përdor po për vete sportin edhe Ministria e Arsimit dhe e Sporteve, përderisa në zyrat e saj, nuk di a punon më shumë se vetëm një i merituar dijetar (po, po dijetar) i sporteve. Ajo, e cila edhe pse e kishte një Këshill Kombëtar të Sporteve – edhe pse ndoshta pa e mbledhur asnjëherë – papritmas, pa dhënë asnjë shpjegim (e kush jep shpjegime në këtë vend!) nuk dimë se me çfarë kriteresh krijon një tjetër, shumica e caktuar e anëtarëve të të cilit janë dukshëm më të pamerituar se ata që kishte

Këshilli i mëparshëm. Mos t’iu shkojë ndër mend se dua të jem unë anëtar i këtij Këshilli. I kam mbyllë me kohë këto dëshira e synime, me përjashtim të gazetarisë, ndonëse edhe kjo duhet pa. Më ka mjaftuar anëtarësia në Këshillin e parë Kombëtar të Sporteve, atë të viteve ’90, kur me në krye prof. Vesel Rizvanollin, e bëmë një revolucion të vogël në drejtimin e sportit kombëtar. E përdor sportin shqiptar për vete, edhe vetë qeveria e krerë të saj, të cilët duket qartë se nuk e kanë idenë çka bëhet me sportin e notit në Shqipëri – i vetmi vend ujor, lumor, liqenor e mbi të gjitha detar në Europë, pa asnjë pishinë të vërtetë olimpike. Ajo qeveri që as denjon të merret me krizën e peshëngritjes – sporti më i përparuar në Shqipëri!

Dhe as se çka po bëhet me sportin e qitjes “së zhdukur” – edhe kjo pa një poligon modern, që i ka dhënë Shqipërisë Kampionet e para të Europës. Po aq dhe as se çka po bëhet me sportin e gjimnastikës, për të cilën nuk dihet nëse zhvillohen gara apo jo. Dhe as se çka po bëhet me mundjen shqiptare, e cila i pati dhuruar Bullgarisë “mike” edhe një Kampion të Botës. Si kanë shkuar punët vërtet! Vëreni sa e vështirë është të shohësh rrugëve të Shqipërisë “Demokratike” çiklistë të rangut të të paharrueshmit Agim Tafili! Madje, gati nuk sheh aspak çiklistë duke u stërvitur e me të drejtë FSHÇ-ja e hedh vështrimin te djemtë shqiptarë të bregut përballë Adriatikut. Ky është, pra, “rrënimi” i sportit të Shqipërisë me në krye kryeqytetin (kakofoni e nevojshme kjo) pa pistë atletike, madje shteti që zë vendin e fundit në Europë për mungesën e pistave të atletikës së lehtë në gjithë qytetet e krahinat e tij. Kështu përjetojmë “rrënimin” e volejbollit të meshkujve, dikur në treshe a katërshe të Europës.

Ky është shteti që shoi skuadrën më të lavdishme të volejbollit europian të Shqipërisë, Dinamon e famshme dhe që po ashtu futi nën dhê gazetën sportive më të vjetër të Ballkanit: “Sporti Shqiptar” 1935! Për të gjitha këto (po edhe për të tjera që po i lëmë për një herë tjetër) federatat sportive shqiptare, ministritë shqiptare, qeveritë shqiptare, shteti shqiptar as që duan t’ia dinë. Pa shkuar mandej te “padija” e tyre se ku gjejnë vend fëmijët e nxënësit shqiptarë për t’u marrë me sportin që dikur i thoshim “masiv”. E gjithë kjo pamje e turpshme (po, po, e turpshme) bën pjesë në gjithë klimën “rrënuese” të sportit të sotëm shqiptar. Është vërtet e çuditshme se si për Mesdheun (Latakia) 1987 regjimi komunist i dha me vete ekipit olimpik shqiptar edhe një gazetar, që ishte autori i këtyre radhëve, i cili përcillte prej atje, kronika të përditshme. Madje edhe një kameraman, Astrit Omerin e mirënjohur, falë të cilit bëmë një film dokument për historinë.

A vërtet duhet ta pranojmë si publik Radio Televizionin Shqiptar, që as do t’ia dijë se ekipi olimpik shqiptar ishte në “Olimpiadën e Mesdheut” – se e tillë ajo është – teksa i ngushtohet shpirti e nuk çon një gazetar a një kamera për të informuar publikun? A do ta quaj publik këtë televizion që për hir të Kampionatit Botëror ku Shqipëria nuk merr pjesë, ndalon Rubrikën e përjavshme Sportive? Aq më tepër për faktin se pasqyrimi i sportit kombëtar në ekranin e tij sanksionohet me ligj të posaçëm. Pra, vetvetiu mbërrijmë edhe te shkelja e ligjit. Mirëpo, kur mendon se redaksitë sportive të tij mund të drejtohen nga njerëz, të cilët para se të caktoheshin në krye të punëve atje, ndoshta nuk kanë punuar as edhe një ditë të vetme në një redaksi gazete e ndërmarrje gazetarie, kot që flasim e shkruajmë.

E pra, çka qenka kjo Shqipëria jonë e dashtun, e cila përnatë nuk ka pyetje tjetër, po vetëm dy: “me kë je tifoz dhe kush do ta fitojë Kampionatin e Botës”. Pyetje që asesh nuk ndalin për rreth dy orë rresht në e pakta 8 televizione monotone të Shqipërisë. Në të vërtetë, televizione tejet “guximtare” deri aty, saqë edhe atë ditë që Kupa e Botës nuk pati ndeshje, prapë iu kushtuan Kupës së Botës dhe askush prej tyre nuk pati “guximin” e t’i jepte përgjigje pyetjes: “Përse Shqipëria u paraqit asisoj në Lojërat e Mesdheut?” E jo më t’i kushtonte një emision kësaj teme tronditëse për ecurinë dhe zhvillimin e sportit kombëtar. Në të vërtetë kjo nuk mund të bëhet, qoftë edhe për faktin se asnjë televizion, mbi të gjitha ai që e ka për detyrë parësore ligjore (RTSH) nuk çoi një gazetar në “Tarragona 2018”, siç bëri Partia e Punës më 1987 (Mjerë ne!!).

Jam i bindur se kostoja e kësaj dërgese është shumë më pak se kostoja e honorarëve të panevojshme për një tufë njerëzish të të gjitha shtresave “intelektuale” e “sportive”, të cilët paguhen për 30 ditë me radhë për bisedat e pafryt të Kupës së Botës. Mundojuni paksa e shkoni në televizionet e shteteve të tjera – qoftë dhe të Rusisë organizatore – e shihni se sa poshtë që keni rënë! Na gjeni një vend të botës ku mund ndodhë që deri në selinë e Presidencës së Republikës të mbërrijë euforia propagandistike e Kupës së Botës në futboll edhe pse vendi përkatës, në këtë rast Shqipëria, nuk merr pjesë!…

Të gjitha këto bëjnë pjesë në veprimtarinë “rrënuese” të sportit shqiptar. E megjithatë… Megjithatë, për fat po i gëzohemi ngritjes së sportit të Kosovës e cila në Mesdhe, edhe pse mori pjesë për herë të parë, fitoi medalje më shumë se “Shqipëria e Kupës së Botës”, e tifozëve shqiptarë të Kupës së Botës, të cilët dalin në televizionin e vendit të tyre me fanellat e ekipeve të shteteve të tjera. Dhe me një krenari artificiale e ksenomane të një shpirti të varfëruar tejet, madje për t’u studiuar, hidhen përpjetë se iu mund skuadra “e tyre” që na qenka Gjermania, Franca, Brazili… E tash, po artificialisht, edhe Zvicra për hir të katër shqiptarëve të Kosovës – famën e të cilëve do ta rrëmbejë pikërisht ajo, për të cilët nuk ka asnjë meritë: Shqipëria! Ajo e cila “na nderoi” aq fort në Lojërat e Mesdheut “Tarragona 2018”. Vërtet, më thuaj: “Me ke je tifoz dhe kush do ta fitojë Kupën e Botës në ‘Rusia 2018’?”…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"