Rasti Vllaznia: Kampionati “armik” i të rinjve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 4, 2020 | 19:44

Rasti Vllaznia: Kampionati “armik” i të rinjve

BESNIK DIZDARI

VLLAZNIA

Në rubrikën që gazeta “Panorama Sport” e emërton “Merkato e verës”, kur shkova te Vllaznia pashë se ajo kishte blerë 6 lojtarë të huaj: Aleksandër Isaevski, Bojan Zogovic, Viktor da Silva Matos, Kasius Vinicius Coelho, Kristofer Mandianku, Ismael Dunga.

Bukur, apo jo? Vllaznia – skuadra që nxjerr futbollistë si askush në Shqipëri – blen 6 të huaj, ndonëse fiton Kampionate të të rinjve gati çdo vit. E, nuk po përimtoj ndërkaq, se sa lojtarë të mëdhenj i ka dhënë ajo Shqipërisë ndër vite.

Ky pra është Kampionati i Shqipërisë, i cili hap dyert për lojtarë të huaj të panjohur e me vlera mesatare, pse jo, edhe më poshtë se kaq, pra jo pak të dyshimta, në dëm të hapjes së portave për të rinjtë e qyteteve shqiptare. E kam fjalën për djem që vijnë nga farishtet vendase, ato që pa pikë modestie e vërtetësie me pompozitet i quajnë “akademi”.

Gjashtë lojtarë të huaj te Vllaznia do të thotë se ata kanë zënë vendet e gjashtë djemve të talentuar shkodranë, me plot ëndrra të bukura. Të rinj, të cilët duke u afruar me skuadrën e parë të qytetit të tyre, pse jo, mund të bëhen Loro Boriç, Simon Dedë, Ramazan Rragam, Medin Zhegë, Sabah Biz, Luan Vukatanë, të cilët hynë te Vllaznia e të rriturve kur radhazi ishin 15, 16 e 17-vjeçarë. Dhe u bënë lojtarë të nivelit europian.

Tash ky Kampionat, kjo Federatë, dashur apo padashur, bëhen “armiq” të talenteve të reja të skuadrave të qyteteve shqiptare. Skuadra të cilat kanë rënë kaq poshtë edhe ngaqë nuk njohin gjë tjetër veçse “merkaton e verës”, që është një “armik” tjetër kundër futbollistëve të rinj shqiptarë. Mirëpo ka nga ata që tash sa vjet të thonë me plot vetësiguri: “Po a nuk e sheh Interin që gati-gati nuk ka asnjë italian?”.

VLLAZNIAAA

Këta kujtojnë se Vllaznia e Shkodrës është një superklub komercial që kërkon të fitojë Ligën e Kampioneve. Dhe harrojnë se me gjithë këta lojtarë të huaj, shumica krejt mesatarë, që i lejon rregulli dorëlëshuar i FSHF-së, skuadrat e qyteteve tradicionale shqiptare Vlorë, Elbasan, Berat, Kavajë, Lushnjë, Gjirokastër, Dinamo, por dhe vetë Vllaznia, e cila gati doli edhe sivjet në Kategorinë e Dytë, kanë mbërritur pra, në këtë derexhe. (“Kai fjalë turke ban lazem”, siç thoshte Fishta).

Këta djem ëndërrimtarë për një të ardhme, sot kanë përballë tre “armiq”: FSHF-në, “lojtarët e huaj” me kaq shumicë dhe “merkaton e verës”.

Këtu nuk është vendi për të treguar rrugët, sepse ato stërdihen: numër tejet i kufizuar i lojtarëve të huaj dhe një rregullore e posaçme për aktivizimin e detyrueshëm të talenteve vendase.

Për mbyllje, po kujtoj këtu se nga 28 lojtarët e grumbulluar nga Kombëtarja e këtyre ditëve, vetëm 6 kanë dalë prej Kampionatit të Shqipërisë. Edhe këta të prej disa vitesh, jo të viteve të fundit.

Ndërkaq, dihet se Vllaznia ka marrë si trajner një kroatogjerman dhe ka vënë drejtor një kroat tjetër. A thua këta të dy njohin ndonjë lojtarë të ri të Vllaznisë?…

Ky shkrim i përket ciklit “Rënia e Kampionatit të Shqipërisë”. Për vazhdimësi shih shkrimin me titull “Kundër servilizmit dhe vetëkënaqësisë”. (“Panorama Sport”, 3 shtator 2020).

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"