Nuk ishte e bukur ndeshja Vllaznia-Dinamo. E bukur ishte Vllaznia…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2021 | 20:30

Nuk ishte e bukur ndeshja Vllaznia-Dinamo. E bukur ishte Vllaznia…

…Sepse për të qenë një ndeshje e bukur duhet që të dyja skuadrat të jenë të bukura. Pra, që të dyja skuadrat të luajnë bukur. Jo vetëm njëra. Kjo nuk ndodhi në ndeshjen Vllaznia-Dinamo. E bukur ishte vetëm Vllaznia.

Besnik-Dizdari

 

Dinamo ishte tejet larg saj, madje me një lojë monotone, të rastësishme, ndonëse me fatin e madh të tre golave, të cilët të tre mendoj se ia vlen të diskutohen në seminaret e arbitrimit. Kjo, sepse u duk deri diku qartë se tre golat e Dinamos janë të mbushur me dyshime interpretimi. Si prej syve e diturisë së njeriut – arbitër, po ashtu edhe prej “syve” të veglës – mbështetëse e njeriut, asaj që quhet VAR. Dhe bukuria e vetme shkodrane e kësaj ndeshjeje qe aq befasuese në pasurinë e saj, saqë më shkon mendja se ia vlen të përimtohet sado pak edhe kjo në seminaret teknike të futbollit. Harmoni, madje rrjedhshmëri sulmi si në një balet kolektiv, gola spektakolarë, elasticitet mbrojtje-sulm, qetësi e besueshmëri për kthesë të rrufeshme loje (kujto golin e barazimit) e plot të tjera…

Më kujtoi stilin e dikurshëm shkodran të futbollit teknik sulmues të Vllaznisë së hershme, por tash përmes një ritmike të futbollit modern. Ndonëse kur shoh se në formacionin e saj pati plot 5 lojtarë sllavë (Zogoviç, Heriç, Djurdeviç, Mustedanagiç, Aralica), shto këtu edhe trajnerin Brdariç dhe drejtorin Djarmati, që bëhen 7, them se ndoshta ky nuk është stili i Vllaznisë, por stili i djemve fqinjë, atje tej në veri apo bregdetin e magjishëm dalmat. Harmoni prej së cilës të duket se shkëputet e po aq bashkohet, i mrekullueshmi i ndeshjes, “dardani” Latifi. Po shkodranët e vërtetë, prapëseprapë, me në krye kapitenin Gurishta, ishin aty.

Vllaznia pati mirësinë dhe fatkeqësinë se kundërshtari ishte shumë më poshtë, çka që më pengon t’i vë vulën gjithë asaj të bukure të mësipërme. Kjo, ngaqë bukuria e një futbolli kurrë nuk është e varur prej vetëm njërës skuadër, pra, por prej të dyja skuadrave. Ndërkohë që ne patëm vetëm Vllazninë. E ndërsa golat e saj ishin një pastërti dhe kthjelltësi piktoreske, teksa ndalonin në valëzimin “muzikal” të rrjetave, ata të Dinamos ishin krejt diçka tjetër në krejt anagramën e realizmit të tyre. Papritmas rrezikojmë që pa dashur të kthehemi në vitet ’70 e ’80 kur dolën skuadrat e forta të rretheve si Vllaznia, Flamurtari apo KS Elbasani, e çdo javë kishim luftën për të ndikuar që ndeshjet e tyre me skuadrat e kryeqytetit, të mos i gjykonin gjyqtarë nga kryeqyteti. Pati qenë një luftë e ashpër kjo, “plumbat” e së cilës çdo javë binin mbi supet e ne gazetarëve kritikë kryefortë, por që sa fort e me kompetencë madje na mbronin kryeredaktorët që kishim.

Them se nuk është normale që këtë javë në tri duelet kryeqytet – skuadra të qyteteve (Teuta–SK Tirana, Partizani– KF Kukësi, Vllaznia– Dinamo) të ndodhte që 50 për qind e gjyqtarëve, varistëve, vëzhguesve e delegatëve të ishin nga kryeqyteti. Nuk shkon. Sidomos kur kujton se sivjet 30 për qind e skuadrave të kampionatit janë nga kryeqyteti…

Duke e mbyllur gjithçka me argumentin që përmban titulli i shkrimit, mendoj se ky kampionat tejet i varfër në numrin dhe njëanshmërinë gjeografike të skuadrave, na bind edhe më fort të pohojmë se një ndeshje nuk është e bukur kur e bukur është vetëm njëra nga skuadrat. Në këtë kontekst, ia vlen të ndalet edhe euforia “e propagandës” kryeqytetase që para kohe, pa filluar mirë kampionati, e quan pretendente për titullin Dinamon e sapoardhur nga Kategoria e Dytë. Pati dalë kampione më 1950-ën sapo u themelua. Por a e dini se cilët pati lojtarë? Pati Voglin, Shaqirin, Vathin, Peqinin, Telitin, Jarecin, Z.Gjinalin, Kavajën, Mirashin, H.Bakallin. Të rrëmbyer prej Tiranës, Partizanit, Besës e Vllaznisë, ata ishin të gjithë titullarë të Kombëtares. Çka ishte e natyrshme që të shpalleshin rrufeshëm edhe Kampionë të Shqipërisë.

Dinamo e sotme është diçka tjetër, sado e përforcuar që të jetë. E rëndësishme është se rimbërriti edhe një herë mbas një mungese 9 kampionatesh. I duhet të përforcojë rindërtimin hap mbas hapi e mos t’i dorëzohet euforisë, qoftë edhe asaj gazetareske që ia merr mendtë duke e quajtur po rrufeshëm e para kohe pretendente për titullin. Ndoshta e gjithë kjo ka ndikuar që ajo pa i njohur ende mirë vlerat e veta të shkonte në Shkodër si pretendente. Ishte para kohe e gjithë kjo. Dhe bash për këto, Dinamo na bëri që të mos e quajmë të bukur ndeshjen me Vllazninë, por ta quajmë të bukur vetëm lojën e Vllaznisë…

NGA BESNIK DIZDARI

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"