“Nuk e ka fajin Strakosha”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 13, 2019 | 20:25

“Nuk e ka fajin Strakosha”

BESNIK DIZDARI

Besnik-Dizdari

Një ton që fajëson portierin, sundoi të shtunën në mbrëmje dhe të nesërmen, humbjen 0-1 të Shqipërisë me Turqinë në Stamboll.

Ngaqë në këtë gjykim, ndihen tejet të vetësigurt, ndoshta ngaqë kujtojnë se zhvillimi i gazetarisë në Shqipërinë e sotme ka ardhur thjesht për faktin se ndeshjet i transmeton ky apo ai televizion dhe që i di të gjitha.

Shqiperia

Po, që në të vërtetë, për sa u përket ndeshjeve të Kombëtares, në mënyrën më të papranueshme, si askund në Europë, vazhdojnë t’i transmetojnë jo një, por dy televizione, njeri me pagesë e tjetri pa pagesë!

Dhe jo pak, kjo lloj gazetarie, improvizuese jo fort për të mirë, me një vetëkënaqësi euforike, thuajse rrufeshëm merr përsipër t’ia vërë fajet e një humbjeje në të 90′ vetëm një portieri, duke harruar se ky portier që gaboi në minutën e 90-të, nuk kishte gabuar asnjëherë gjatë 89 minutave të tana të lojës. Madje, duke shpëtuar e pakta nja dy gola të tjerë të sigurt, çka ndoshta do ta kishte vendosur fatin e ndeshjes shumë kohë para minutës 90.

E kam thënë dhe vazhdoj ta them: asnjëherë në historinë e Shqipërisë nuk ka ndodhur si sot që politikën, që po e quaj mediatike, të futbollit, ta sundojnë kësisoji ish-trajnerë e ish-futbollistë. Pa shkuar mandej tek ajo tjetra, që në mendimin futbollistik shqiptar nuk merr pjesë gati aspak gazetaria e vjetër, ajo e përvojës së madhe. Ndonëse ende jo pak personalitete të saj aty janë… Tjetër punë se e kanë flakur tej ata që të duket sikur ndiejnë një lloj frike nga një rivalitet profesional apo ngaqë e dinë se ata, të tjerët pra, nuk janë të gatshëm t’i nënshtrohen FSHF-së…

Turqi-Shqiperi

E kështu, sundojnë bukur e mirë, shumë specialistë, ishtrajnerë a ish-futbollistë, teknicienë e takticienë të shquar, të cilëve nuk ua paskemi njohur vlerat në këtë fushë, ndonëse një pjesë e mirë e tyre (jo të gjithë, natyrisht) kanë pasur shumë pak arritje taktiko- teknike në skuadrat që kanë drejtuar.

Natyrisht në “vijën” e tyre “ideologjike” ka edhe “komentatorë” e “analistë” joteknicienë, një pjesë e mirë e të cilëve i kanë zënë vendet, edhe pse me mungesë talenti e dijesh. Deri edhe shefa a drejtues redaksish, qoftë dhe të llojit të “drejtorëve”, siç emërtohen me pompozitet sot, të cilët pa e menduar fort, lënë mënjanë drejtimin e redaksisë, marrin mikrofonin e nxitojnë të udhëtojnë me Kombëtaren për të intervistuar drejtpërsëdrejti, bie fjala, trajnerin e Kombëtares, me pyetje që, siç e keni pa, ndonjëherë e habisin tej mase atë!… E, shembujt mbesin për një seminar gazetarie, që ka kohë që nuk është organizuar. Është faji i të gjithëve, sigurisht. Mirëpo, si nuk erdhi një iniciativë prej pronarëve e drejtuesve të televizioneve shqiptare për një seminar të tillë, qoftë edhe për të mësuar sadopak ata nga dikush tjetër, se ku kanë mbërritur me këtë lloj gazetarie?…

Strakosha222

Nejse! E rëndësishme është se “po të mos kishte gabuar Strakosha, Shqipëria do të merrte barazimin zâmadh (“zëmadh” në toskënisht) me Turqinë”! Edhe pse ky barazim nuk do të vlente aq fort për synimet e vetëkënaqura që ata ua mëkojnë Kombëtares tash e parë. Synime që ia mëkon po një gazetari disi prepotente, deri aty saqë shpesh të duket si e tipit të një Federate Futbolli, që natyrisht kërkon fitoret me çdo kusht. Ose, më e pakta, si një lloj gazetarie tejet pranë Federatës, së cilës, siç e shihni, prej vitesh ajo nuk i gjen asnjë të metë…

Kësisoji, ia arritën që t’ia ngulitnim opinionit se Shqipëria po shkonte në Stamboll për të fituar me domosdo e për t’u kualifikuar, madje. Ndonëse ndodhej bukur 6 pikë larg dy të parëve, që ishin Franca e Turqia, dhe madje edhe Islanda nja 3 pikë larg..

E mandej? Mandej “e ka fajin Strakosha”! Po të mos kishte gabuar ai, do të merrnim barazimin “zâmadh” që merrej me mend se nuk vlente assesi për këto pretendime krenare që nuk po ndalin edhe falë një gazetarie apo “pseudogazetarie”, qysh kur Shqipëria ishte midis 24- shes finaliste të “EURO 2016”. Duke harruar se mbas saj erdhi turneu kualifikues i Botërorit 2018 dhe Shqipëria “e famshme” – në të vërtetë krejt normale – e treta e grupit të saj! Doemos pa harruar mosarritjen e madhe çbarazpeshuese: plot 10 e 15 pikë larg dy të parëve që ishin Spanja e Italia.

castt

Mbas gjithë kësaj, erdhi Liga e Kombeve dhe Shqipëria e fundit në grup me vetëm 1 fitore e 3 humbje dhe me vetëm 1 gol të shënuar (1-8 golaverazhi)! Edhe pse tash nuk kishte përballë të mëdhenjtë franko-italianë, por ata skocezo-izraelitë! E mbas kësaj ka ardhur ky Kampionat Europian dhe tri ndeshje para mbarimit Shqipëria është thjesht e katërta e grupit, madje me plot 9 pikë larg dy të parave. Kjo më bën të kujtoj të kaluarën e hershme, kur titulli i Kampionit të Ballkanit 1946 ia pati marrë frymën zhvillimit dhe ecurisë të futbollit kombëtaras shqiptar për bukur nja 30 vjet, teksa nuk na ndalnin humbjet…

Në të vërtetë, parmbrëmë, në Stamboll, nuk ka ndodhur asgjë e jashtëzakonshme. Përveçse një ngjarje e zakonshme. Kësisoji, nuk mendoj se është e vërtetë që Shqipëria ka zhvilluar një “superndeshje” dhe se ka siguruar një “supertëardhme”. Mendoj se Shqipëria ka zhvilluar një ndeshje të mirë, të vendosur, profesioniste, duke merituar barazimin. E, madje nëse do t’i përdorte më mirë dy-tri rastet e krijuara prej kundërsulmit (jo sulmit) – teksa mbrojtjen e pati më të dashur se asgjë tjetër – ajo edhe mund të kryesonte ndeshjen. Sigurisht, pa parashikuar ecurinë e mëpasme të saj.

Në fund të fundit, Shqipëria ka humbur përballë një skuadre tejet më të sprovuar e më të mirë se vetja. Ka humbur prej Turqisë e cila ia ka zotëruar fushën (61 për qind përballë 39 për qind të saj), ia ka zotëruar topin në gjithë ndeshjen (523 pasime përballë 363) dhe që ka pasur fatin ta çojë te gabimi i portierit dhe mbrojtjes shqiptare në minutën 90.

I vetmi rast ky, kur në mbrojtjen e Shqipërisë qenë jo 5 a 6 mbrojtës sa çfarë ishin gjatë gjithë ndeshjes (!), por vetëm dy, përballë rreptësisë së sulmit turk. E them këtë sa për të folur paksa taktikisht edhe unë, ndonëse jam një gazetar, jo “takticien” që aq shumë të tillë paska pasë Shqipëria. Edhe pse taktika është shkenca më e sofistikuar e futbollit, prej së cilës, për hir të së vërtetës, futbolli shqiptar vazhdon të vuajë e pakta tash 60 vjet.

Në Stamboll Shqipëria ka humbur çdo mundësi për kualifikim. E megjithatë, një fitore në Moldavi do të ishte shumë e çmueshme. Sepse, dihet, kombëtaret e futbollit nuk ekzistojnë vetëm për kualifikime. Ekzistojnë për të dhuruar ndeshje e rezultate të bukura, dëfryese, që i blatojnë kënaqësi publikut të tyre. Aq më tepër që kjo do të ishte një fitore e jashtëfushës, çka Shqipëria i ka aq të rralla: vetëm 19 në plot 75 vjet! E bukur po të mbërrinim nesër fitoren jubilare të 20-të. Mbërrin kështu përkimi historik që na thotë se të parën fitore të jashtëfushës për kualifikimet eurobotëore, Shqipëria e ka mbërritur pikërisht në Moldavi.

Ka qenë Moldavi-Shqipëri 2-3 për Europianin 1996. Kishiniev, 7 qershor 1995. F.Strakosha, Shulku, R.Vata, Malko, Kaçaj, Bano, Bellai, Demollari (L.Pano), B.Kola, Kushta, Rraklli (Prenga). Të gjithë lojtarë të dalë prej futbollit kombëtar të Republikës së Shqipërisë. Në 11-shin e pardjeshëm të tillë kishim vetëm një: Cikalleshi! Asokohe, ka qenë portieri ynë i madh, Foto Strakosha. Biri i tij, portieri i sotëm, tejet i talentuar, “fajtori” Thomas, ende nuk kishte lindur. Ka kaluar një të katërt shekulli!…

Trajneri ka qenë Neptun Bajko, sot ndër komentuesit e rrallë specialistë, i cili përherë me intuitë e kulturë ka ditur të bashkojë në një analistin me gazetarin, çka aq fort mungon ende ndër ne…

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"