Një renditje që akuzon!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 20, 2020 | 22:41

Një renditje që akuzon!

BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

Vështroni këtë renditje:

  1. SK TIRANA / Tiranë
  2. DINAMO / Tiranë
  3. PARTIZANI / Tiranë
  4. VLLAZNIA / Shkodër
  5. SKËNDERBEU / Korçë
  6. KS ELBASANI / Elbasan
  7. FLAMURTARI / Vlorë
  8. TEUTA / Durrës
  9. KF KUKËSI / Kukës
  10. BESA / Kavajë
  11. LUFTËTARI / Gjirokastër
  12. TOMORI / Berat

Po, çfarë është kjo renditje?

Kjo është një renditje që akuzon! Është ajo që e kam pas quajtur “Renditja Olimpike e Kampionatit të Shqipërisë”. Është renditja e skuadrave pjesëmarrëse në 90 vjet të këtij kampionati, të cilat gjatë rrugës së tyre në kampionate, kanë zënë një nga tri vendet e para. Është një imitim i renditjes medaliste të shteteve në Olimpiadë. Që do të thotë se renditen më lart ata që kanë më shumë medalje ari, në rastin tonë ato që kanë fituar më shumë tituj kampionë. Pas tyre renditen ato skuadra të cilat kanë fituar më shumë medalje argjendi, pra ato skuadra që janë shpallur nënkampione dhe mandej ato të medaljes së bronztë, që janë skuadrat të cilat kanë zënë më shumë vende të treta.

Siç shihet, në krye është Sportklub Tirana për titujt më të shumtë si kampione e Shqipërisë. Mbas saj renditet Dinamo (18 tituj), e mandej Partizani (16 tituj), i ndjekur nga Vllaznia, Skënderbeu, KS Elbasani, Flamurtari, Teuta, KF Kukësi, skuadra të cilat gjithashtu kanë fituar tituj të kampionit, natyrisht më pak se të parat. Mbas tyre vijnë Besa e Kavajës, Luftëtari i Gjirokastrës dhe Tomori i Beratit, skuadra të cilat kanë fituar “tituj” të nënkampionit të Shqipërisë.

Është një 12-she disi absolute. Dhe nga kjo 12-she shohim se në kampionatin e sotëm të Shqipërisë me vetëm 10 skuadra, na mungojnë plot 6 prej kësaj elite dymbëdhjetëshe: Dinamo e Tiranës, KS Elbasani i Elbasanit, Flamurtari i Vlorës, Besa e Kavajës, Luftëtari i Gjirokas trës dhe Tomori i Beratit. Çka do të thotë se 50 për qind e skuadrave tradicionale të qyteteve po tradicionale të futbollit të Shqipërisë, thjesht për shkak të organizimit të garës me vetëm 10 skuadra, nuk janë pjesë e kampionatit kombëtar të Shqipërisë. Ose, për ta thënë ndryshe, e pakta 5 qytete ndër më të rëndësishmit futbollistikë të Shqipërisë: Elbasani, Vlora, Kavaja, Gjirokastra dhe Berati janë jashtë! (Pa harruar Dinamon kryeqytetase). Kjo përqindje e përjashtimit të pamëshirshëm të tradicionalëve të shquar, ngjet për herë të parë në kampionatin tonë.

Luftetari-Flamurtari

Ndërkaq, po t’i hynim gjeografisë, na del se në kampionatin e Shqipërisë, që nëse do të lejohet, (ky 2020-2021), kryesisht, madje 50 për qind e tij, i përket qerthullit të Tiranës. Kjo një lloj Shqipëri e Mesme e futbollit (SK Tirana, Partizani, Teuta, Kastrioti, KF Laçi) e cila me makinë mund të përshkohet e gjitha jo më shumë se për nja 2 orë! Mandej ngjitemi lart te Shqipëria Veriperëndimore e futbollit (Vllaznia) dhe marrim rrugën për te Shqipëria Verilindore e futbollit (KF Kukësi). Prej ku zbresim poshtë te Shqipëria që po e quajmë e Veriut të Jugut (Apolonia, Bylis). Për t’u mbyllur me Shqipërinë Juglindore (Skënderbeu).

Kështu, nëse “Panorama Sport” do të ravijëzonte hartën e futbollit të kampionatit të sotëm të Shqipërisë, më e pakta do t’i dilte e boshatisur gati e gjithë Shqipëria e Jugut (Vlorë, Gjirokastër, Berat). Dhe me një përkufizim të vetëm, do të pranonim se kampionati i Shqipërisë në 90-vjetorin e tij ka humbur qendrat bazë të themelimit të tij. Çka do të thotë se kur mendon qarqet administrative të Shqipërisë, futboll të kampionatit kombëtar, gjen vetëm te një qerthull rreth TiranëDurrësit, te një “qendërpikë” e Korçës, te një “qendërpikë” e Shkodrës e të Fierit. Nuk e harrova “qendërpikën” e Kukësit, por përderisa edhe kjo skuadër jeton në Tiranë, më vë në dyshime për statusin e vërtetë të saj gjeografik…

Kemi kështu të përfaqësuara vetëm katër ose pesë “qendërpika” të futbollit kombëtar tejet të shkëputura prej njëra-tjetrës. Asnjëherë kjo “hartë” e kampionatit nuk ka qenë më e varfër sesa sot. Qytete të tanë ndër më të mëdhatë janë jashtë. E tmerrshme është sidomos përzania e qyteteve të tilla si Elbasani e Vlora, Gjirokastra, Berati e Kavaja.

Deri aty sa që duke studiuar për së mbari këtë gjeografi ndarëse, kjo na lejon ta quajmë këtë kampionat, si “kampionati Shkodër – Durrës – Tiranë – Fier – Korçë”. Çka nuk shkon më tepër se përfaqësimi në kombëtarësinë e tij kryesisht të vetëm nja rreth 8000 kilometrave katrorë të tokës shqiptare. Ndërkaq, po të shtyhemi thellë, në rrënjët e themelimit të kampionatit shqiptar andej kah vitet e para ’30, na del se sot në te mungojnë gjysma e themeluesve: Vlora, Elbasani, Kavaja, Berati.

Kësisoji, drama qëndron te kryefakti i mungesës së skuadrave të qyteteve që për historinë e kampionatit, duhen quajtur të mëdha: ElbasanVlorë-Kavajë-Gjirokastër-Berat. Nuk shqetësoheni për këtë?…

Renditja jonë Olimpike të bën të mendosh shumë për këtë humbje. Interesante është ndërkaq, se disa prej stadiumeve ndër më historiket dhe ndër më të mëdhatë të Shqipërisë, me në krye modernin e Elbasanit, apo edhe ai i Beratit e Vlorës, nëse do të lejojmë këtë pseudoorganizim, për një kohë të gjatë, nuk do të mund të jenë arena të kampionatit kombëtar!

Kjo është varfëria e madhe e kampionatit të Shqipërisë, varfëri që i bën ata që e kanë për detyrë, të mos e përkujtojnë 90-vjetorin e themelimit të kampionatit. Do të turpëroheshin!…

E pra, si ndodhi kështu? Ka fajtorë, madje ka fajtorë të mëdhenj për këtë humbje po të madhe. Do t’i gjejmë në “arkivin” tejet të pasur që do të shpalosim për shkrimet e ardhshme të ciklit tonë…

———————-

Për vazhdimësi ju kujtojmë shkrimet paraardhës të ciklit: 1. Një organizim “i çmendur” me “play off” dhe “play out”. (“Panorama Sport”, 18 gusht 2020);

Një organizim i çmendur me “play off” dhe “play out”

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"