Ndalojeni “VAR-in shqiptar”!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2021 | 18:34

Ndalojeni “VAR-in shqiptar”!

Nga BESNIK DIZDARI

Sepse për Shqipërinë është i parakohshëm. Sepse Shqipëria e futbollit ende nuk ka formuar specialistë të VAR-it. Sepse Shqipëria e futbollit ka probleme shumë më të mëdha se VAR-i. Sepse ky nuk është “VAR-i i Europës, por është “VAR-i i Shqipërisë” së vogël.

Ferataj VAR logo

Sepse vetëm duke parë se çka ndodhi këtë të shtunë e të diel me “VAR-in shqiptar”, vetëm kaq mjafton për ta ndalur urgjentisht atë. Lind pyetja: Sa shtete e kanë vënë VAR-in në kampionatet e tyre kombëtare? Pak, shumë pak. Në të vërtetë, nuk ka ku shkon më pak. Dhe pyetja tjetër:

Përse nxitoi Shqipëria e FSHF-së po të vogël për ta vendosë atë? Sepse (prapë me “sepse”) FSHF-ja don të na mbushë mendjen se po bën gjëra moderne për futbollin e brendshëm shqiptar (jo atë të Kombëtares). Sepse, me gjasë, po e modernizon tejet kampionatin saj “vogëlush” me vetëm 10 skuadra.

var

Sepse kujton se kemi harruar që Besën e Kavajës, Apoloninë e Fierit, KS Lushnjën, Tomorin e Beratit i ka në Kategorinë e Dytë dhe se KS Elbasanin, AF Luftëtarin e Gjirokastrës e Flamurtarin e Vlorës i ka në Kategorinë e Tretë! Mjerim që nuk e shëron “VAR-i shqiptar” i këtij kampionati që të duket se është kampionati i Shqipërisë së Mesme: SK Tirana, Partizani e Dinamo të Tiranës; KF Laçi, Kastrioti i Krujës, Teuta e Durrësit, Egnatia e Rrogozhinës, që do të thotë se 70 për qind e kampionatit përfaqëson një qerthull me rreze largësie të vetëm nja 30 a 40 kilometra rrugë! Kësisoj, në vend që të harxhojë ndoshta miliona për VAR-in, FSHF e ka për detyrim të harxhojë miliona për t’i kthyer skuadrat e qyteteve ndër më tradicionalet e futbollit kombëtar në kampionatin kombëtar të Shqipërisë.

Sepse dihet që Shqipëria ka vetëm një kampionat kombëtar. Ata të kategorive më të ulëta janë kampionate “rezervë” të kampionatit kombëtar. Të shtunën dhe të dielën “VAR-i shqiptar” provoi dështimin e tij deri në vendime thuajse skandaloze. Shkatërroi keqas javën e kampionatit, duke i ndërprerë ndeshjet për “mbledhje të padukshme” deri në 8 e 10 minuta, çka dihet se kjo më tej shkatërron ritmikën e ndeshjeve, ul rregullsinë e zhvillimit të tyre në vazhdimësi, ndërpret hovet autentike të emocioneve të vërteta të futbollit deri në një ftohtësi shembullore të vetë garës dhe e bën spektatorin të dalë nga stadiumi.

Jorgji VAR

Kështu, ngaqë ky nuk mund të durojë “enigmat” artificiale të kësisoj mbledhjesh midis gjyqtarëve përmes kufjeve “misterioze” që nuk bëzajnë. E pra? Nuk ka rrugë tjetër veçse ta ndalosh urgjentisht “VAR-in shqiptar”. Dhe mbasi ta ndalosh, me që kujton se ky VAR-i do të shpëtojë situatën tejet të varfër të kampionatit kombëtar të Shqipërisë, atëherë bëj të paktën nja 6 muaj kurse specializimi e gjej gjyqtarë të sprovuar për ta vërtetësuar dobinë e tij.

kreshnik cjapi var

Kaq dhe vetëm kaq. Ndonëse nuk po rri pa ju kujtuar se Shqipëria ka 100 vjet futboll pa VAR. Ndalojeni sa më parë “VAR-in shqiptar”! Dhe mos harroni se ky VAR-i nuk është ndonjë shpikje që po trondit botën e futbollit. Është thjesht një “moviolë” gjatë zhvillimit të ndeshjes dhe për të cilin ende bota moderne e futbollit është duke diskutuar për vërtetësinë a mosvërtetësinë e efektivitetit të tij, teksa po shkakton ndërprerjen e tonusit të ndeshjeve, duke cenuar tejet vetë natyrshmërinë e futbollit. Sepse futbolli nuk është as basketboll e as volejboll. Është diçka tjetër…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"