Mos ua kërkoni me ngulm fitoren! Lërini të luajnë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 11, 2021 | 22:20

Mos ua kërkoni me ngulm fitoren! Lërini të luajnë!

Nga BESNIK DIZDARI

Besnik-Dizdari

Fitorja e dytë radhazi me Hungarinë nuk është një ndeshje e madhe. Është një fitore e madhe. Është fitorja e tretë radhazi e Shqipërisë për Kupën e Botës. E prapë nuk është kushedi se çka, ndonëse ajo është fitore historike. Jo thjesht ngaqë është e para në Hungari, por sepse është për herë të parë fitorja e tretë radhazi e Shqipërisë për Kupën e Botës. Kjo nuk kishte ndodhur asnjëherë deri më sot. Fitorja në stadiumin e Budapestit me emrin e legjendarit Ferenc Pushkash, është, megjithatë, krejt e veçantë: u arrit në atë tokë ku në 1950 Shqipëria kishte humbur 12-0 dhe Ferenc Pushkashi i pamëshirshëm kishte shënuar 4 gola.

Kësisoj, fitorja me Hungarinë, në fund të fundit, nuk e është madhe, edhe ngaqë ajo u fitua prej një Shqipërie e cila kishte në përbërje të saj plot 8 lojtarë nga kampionati i Serisë A të Italisë e cila është kampione në fuqi e Europës, madje e vitit të sotëm 2021. Pa harruar se së bashku me trajnerin Reja na bëhen plot 9 “italianë”.

Duke vazhduar me “kësisoj”, them se kjo fitore të cilën me gjithë këto “kontradiksione” nuk po rri pa e quajtur “të madhe”, është krejt e natyrshme. E panatyrshmja qëndron te fakti historik, që na thotë se për herë të parë në jetën e saj 75-vjeçare, Kombëtarja e Shqipërisë ndodhet në vendin dytë në grupin e saj kualifikues të Kupës së Botës vetëm 3 ndeshje pa i përfunduar ato. Kjo do të thotë se në qoftë se Shqipëria fiton me Poloninë dhe Andorrën në fushën e saj, atëherë përfundimisht, për herë të parë në histori, ajo zë vendin e dytë në grupin e saj kualifikues për Kupën e Botës, që po të ndodhë kjo, kuptohet se do të mund të shkohet në ndeshjet dramatike për 3 vende për në finalet e Kampionatit Botëror “Qatar 2021”. Ndeshje që zhvillohen midis skuadrave të dyta të grupeve.

Mirëpo, me gjithë këto “për herë të parë”, Shqipëria ndodhet përpara një rreziku të madh: mund t’ia marrë Zoti mendtë e mandej kushedi… Nuk po zgjatem të tjerr gjatë me renditjet (klasifikimet) marramendëse apo me magjinë e vendit të dytë në grup e kapriçot e llogarive statistikore të FIFA-s që mund të mbërrijnë deri te flamuri i Kombëtares së Shqipërisë së vogël. Po qëndroj te më e rëndësishmja që është kjo tjetra pra: “Mos ua kërkoni me ngulm fitoren! Lërini të luajnë!” E kam fjalën për ndeshjen e së martës me Poloninë tejet më e fortë se Hungaria. Çka, me këta djem të cilët në mesin e tyre kanë një djalosh vetëm 20 vjeç, lojtar i Southempton të Anglisë, i cili u bë lojtari i parë shqiptar që shënon 3 gola në 3 ndeshje rresht për Kupën e Botës, gjithçka mund të ndodhë. Quhet Armand Broja dhe është shkodrani më i fundit i Kombëtares së Shqipërisë, por i cili nuk ka luajtur asnjë ditë në futbollin e Shkodrës. Sidoqoftë, rekordet e tij nisin e bëhen mbirekorde.

Vështroni: 20-vjeçari Broja ka luajtur vetëm 12 minuta me Hungarinë në Tiranë dhe ka shënuar gol sapo ka hyrë në fushë. Ka luajtur vetëm 45 minuta me San Marinon dhe përsëri ka shënuar gol. Ka luajtur vetëm 24 minuta me Hungarinë në Budapest dhe prapë ka shënuar gol sapo ka hyrë. Ky është një fenomen “statistikor” i rrallë jo vetëm për Shqipërinë. Ende nuk e di që një 20-vjeçar, duke luajtur si rezervë në tri ndeshje të Kupës së Botës, sa futet në lojë shënon 3 gola, dy prej të cilëve japin fitoren.

Dhe, duke e parë nja njëzet herë golin e së shtunës në mbrëmje me Hungarinë, që rrufeshëm nga një njeri i vetëm nxori jashtë luftimi 6 mbrojtës të saj, mund të përcaktoj kështu: Kam shijuar driblingun brazilian, forcën angleze dhe trimërinë gjermane të futbollit. E natyrisht, edhe pasionin shqiptar për sportin tonë nobel. Sidomos kur kujton se në të tria ndeshjet, ai nuk ka luajtur më shumë se 81 minuta së bashku dhe ka shënuar 3 gola, çka do të thotë 1 gol në 27 minuta. Ndoshta rekord botëror i llojit. Të gjitha këto nën interpretimin e një shqiptari, për fat, i Anglisë.

Megjithatë, besoj se Shqipëria nuk çoroditet deri aty sa të mendojë se po thyen rekorde botërore…

Tash ajo ka përballë Poloninë. E pra, mos ia kërkoni fitoren me çdo kusht. Kini pak mëshirë, për ta lënë të qetë e lëreni të luajë ashtu siç po di ajo, në qetësinë e saj, në pasionin e saj të baraspeshuar, në forcën e saj, çka sa na duket disi e çuditshme, po aq na step me prodhimtarinë e saj konkrete. Hungaria e sundoi Shqipërinë në treguesit statistikorë të përmbajtjes së ndeshjes, por nuk e sundoi në rezultat. E kjo është më e rëndësishmja në futboll. Ky është futbolli i të fortëve, qoftë ai i vendeve të vogla apo i vendeve të mëdha.

Shpresoj se mbas-Polonia – që është ndeshja jubilare e 355-të e Shqipërisë dhe e 25- ta për trajnerin më rezultativ të Shqipërisë, Edy Reja – nuk do të jetë nxitëse e një editoriali; por do të mund të jetë nxitëse e një tregimi gazetarie i autorit të këtushëm, i cili nga ana profesionale, me futbollin e Polonisë ka një lidhje të rrallë… E rëndësishme mbetet vetëm kjo: “Mos ua kërkoni me ngulm fitoren, por lërini të luajnë!”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"