Mbi “servilizmin federalist” dhe “mendjemadhësinë gazetareske” të tipit të ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2018 | 23:38

Mbi “servilizmin federalist” dhe “mendjemadhësinë gazetareske” të tipit të ri

BESNIK DIZDARI

Besnik-Dizdari

Të shtunën në mbrëmje Kombëtarja e Shqipërisë ka pësuar humbjen më të rëndë në fushën e vet në gjithë historinë. Kështu, 0-4 prej Skocisë është më e rëndë se 1-5 prej Spanjës më 22 shtator 1993. Ngaqë me Spanjën, edhe pse është po me 4 gola pësim, duke qenë se prej Shqipërisë është shënuar një gol, ajo renditet mbrapa humbjes së të shtunës që shkoi.

Ndërkaq, mbas humbjes, me përjashtim të një shkrimi të trajnerit të hershëm të Kombëtares, Neptun Bajko, në “Panorama Sport”, gjithçka tjetër, sidomos në njëanshmëritë televizive, ishte kundër trajnerit Panuçi. Njeriu, i cili natyrisht është një nga (përsëris: “një nga”, pra jo i vetëm) përgjegjësit kryesorë për këtë humbje. E kur kujton se Bajko ka përqindjen më të lartë të suksesit modest prej të gjithë trajnerëve shqiptarë në kualifikimet euro-botërore të Kombëtares (27.27 për qind), bindesh edhe më fort për mbarëshmëninë (modestinë) në gjykimin e tij kritik, pa asnjë ndjenjë “vetëmadhështie” e as servilizmi ndaj diçkasë apo dikujt.

shqiperi skoci

Ai shkroi: “Konservatorizmi në drejtimin e FSHF-së u përçua më së miri edhe në ekipin kombëtar… Ata që punojnë në këtë sektor tepër të rëndësishëm, nuk di nëse ndiejnë përgjegjësinë apo jo që kanë përpara futbollit në Shqipëri. Kjo ndeshje tregoi të gjitha vuajtjet dhe mënyrën jo të mirë të drejtimit të futbollit tonë. Duhet të kuptojmë njëherë e mirë që futbolli mbështetet mbi dy shtylla: kampionatet dhe ekipin kombëtar; ka ardhur koha në një pikë që duhet të ndryshojë sa më parë”.

E unë do të thosha se, ndërsa Kampionati Kombëtar rrezikon rënien e madhe, të paktën të shpëtojmë reputacionin e Kombëtares. Ndonëse kjo për kah rëndësia vjen e dyta, pra mbas Kampionatit Kombëtar, i cili ka për detyrë të kënaqë, të qetësojë e të çlodhë shqiptarët, jo pesë a gjashtë herë në vit, por çdo javë. Mirëpo: sulm vetëm kundër trajnerit Panuçi! Madje, shumë më tepër sesa, bie fjala, ndaj lojtarëve (sepse këta luajtën, apo jo?) ose qoftë dhe ndaj kapitenit tonë – një emër i shquar për ne – por i cili pa dashur e la Kombëtaren me 10 vetë qysh në minutën e 22-të, çka lehtësoi tejet shkarjen drejt një humbje kësisoj të thellë e të papranueshme. Duke i ndjekur këto sulme – sidomos televizive, edhe kësaj here – të vjen shumë keq që përsëriten edhe në gazeta një ditë më mbas, kur dihet se gazetat kanë opinionet e tyre, siç u veprua shumë mirë me rastin e shkrimit të Bajkos.

Kësisoj, të dukej sikur këta “analistë” – specialistë apo gazetarë të nënshtruar – kanë marrë urdhër prej FSHF-së për ta goditur sa më shumë që të jetë e mundur trajnerin Panuçi, në mënyrë që përgjegjësia të lokalizohet te vetëm ai, si të donin ta detyronin ose të japë dorëheqjen, ose të shkarkohet. Çka sigurisht këto ndodhin dhe janë pjesë e jetës edhe të një skuadre kombëtare. Kjo lloj gazetarie është pra dukuria, të cilën unë për vete e kam quajtur dhe po e quaj prapë si një lloj “servilizmi federalist” (pro Federatës)… së cilës nga ana tjetër, më duhet t’i bashkoj dhe një lloj “mendjemadhësie gazetareske”, pasojë e këtij servilizmi.

Dhe në këtë lloj “mendjemadhësie” kam parasysh edhe dukurinë tjetër shqiptare, atë të menjëherë mbas ndeshjes, edhe prej specialistëve të futbollit, që si në një hetim, e marrin në pyetje trajnerin e Kombëtares sikur duan t’i bëjnë gjyqin publik. Harrojnë karrierën e tyre, për fat aspak të pasur, qoftë dhe në drejtimin e ekipeve kombëtare, pavarësisht se nuk ka qenë faji i tyre, sidomos në kushtet e vështira të regjimit që shkoi. Mirëpo, epërsia e gjykimit të lokalizuar ndaj trajnerit të Kombëtares ka kaluar tashmë çdo arsye.

Si ka mundësi vërtet, që kaq shpejt kanë harruar se çfarë gjendje psikologjike kanë pasur vetë ata kur humbnin kësisoj? Dhe nuk arrij të kuptoj sesi nënshtrohet vetë trajneri i Kombëtares deri aty, sa që menjëherë mbas ndeshjes jep dy intervista të veçuara, një për një televizion privat dhe një për një televizion publik. Kjo do të thotë se kështu, ai pranon dy hetime apo dy gjyqe të njëkohshëm! Këtë nuk e njeh historia e gazetarisë. Kur dihet ndërkaq, që gjithçka duhet të marrë fund me një tribunë shtypi të njëkohshme për të gjithë, pra në sallën e shtypit të pasndeshjes dhe aq.

Tjetër punë mandej nëse ti të nesërmen mund të bësh një intervistë të posaçme (speciale) me trajnerin për gazetën a televizionin tënd. Sigurisht, nëse trajneri e pranon këtë. Mirëpo, ja që Shqipëria vazhdon jashtë çdo parimi të këtyre punëve që ndeshjen e transmetojnë në të njëjtën kohë dy televizione: një me pagesë dhe një pa pagesë. Është e çuditshme sesi këtë, të paktën ta studionte paksa për “origjinalitetin” shqiptar të llojit edhe vetë AMA. Po a është vërtetë çështje gazetarie, kjo e shfaqjes së kësaj drame të humbësit të madh, vetëm me një protagonist: trajnerin dhe pa personazhe të tjerë?

Po shkoj tek Italia. Nuk u kualifikua për Botërorin 2018. Iku trajneri, por në mënyrën më të shpejtë iku edhe presidenti i Federatës Italiane të Futbollit. Sepse në universalen e përgatitjes së një ekipi kombëtar është edhe ai përgjegjës i dorës së parë. E pra? Përse nuk u drejtuan kritikat përveç Panuçit, edhe ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit dhe lidershipit të saj? A vërtet vetëm Panuçi i ka fajet? Po përse nuk paska faj e përgjegjësi edhe Federata Shqiptare e Futbollit, të cilën “servilizmi gazetaresk” televiziv nuk e prek një herë me pupël? Një kritikë sidomos për Kampionatin Kombëtar që deri para do kohe “servilizmi gazetaresk” guxonte deri aty saqë në mënyrën më të rrêjshme ta quante si “më të bukurin e viteve të demokracisë”. Në një kohë kur ky Kampionat është shkatërruar jo pak.

Dhe jo vetëm thjesht prej mungesës së skuadrave të qyteteve kryesore të Shqipërisë apo të rënies së spektatorëve deri në 100, 200, 300 apo 500 për ndeshje (rekord i 90 vjetëve futboll kampionat në Shqipëri), pa shkuar te ndeshjet e dënuara pa spektatorë (rekord ky i stinës 2018-19 për gjithë Europën). Por sidomos me nivelin e tij të ulët, aspak formues. Deri aty, saqë pardje në 14 lojtarët, të cilët luajtën kundër Skocisë, vetëm 2 lojtarë i kishte nxjerrë Kampionati Kombëtar i tokës së Republikës së Shqipërisë. Dhe, teksa “fjala fjalën e tjerrë”, nuk do të gjesh ndonjë kritikë për FSHF-në për këto dukuri çarmatosëse të zhvillimit. Dhe asnjë kritikë qoftë edhe për faktin sesi ndodhi që mbas një De Biazi të një jo pak përvoje, ajo caktoi një trajner të ri, me shumë pak përvojë (vetëm trajner i dytë i Rusisë për vetëm dy vjet). Çka u bë Shqipëria e vogël? Shkollë formimi trajnerësh?

Ndonëse për hir të së vërtetës, me Brocic-n e Ballkaniadës 1946 dhe me De Biasi-n e EURO 2016, çuditërisht Shqipëria “shkolloi” paksa. Ky pra është “servilizmi federalist”, që po dëmton jo pak vetë informimin e drejtë të opinionit publik për çështjet e futbollit kombëtar në tanësi. Të duket se kemi të bëjmë me një servilizëm të tipit të ri që ka shpërthyer në Shqipëri, për fat, jo vetëm në sektorin e “propagandës” sportive. Servilizëm i llojit shqiptar që po zhbaraspeshon vërtetësinë e kritikës publike që kërkon koha.

Çka në rastin e këtushëm, nuk ka asgjë të përbashkët as me futbollin e Kombëtares, as me gazetarinë sportive dhe as me botën profesioniste televizive. Një servilizëm i tipit të ri që, qofsha i gabuar, në Shqipërinë e sotme sportive dhe josportive, më duket se nuk i përngjan fort as servilizmit tonë të kohës së Partisë, një servilizëm që ne e zbatonim si rregull të pashkruar ndaj një regjimi të diktaturës – pra jo të demokracisë për të cilën thuhet se nuk është diktaturë e mendimit, por liri e mendimit.

Bie fjala, ai lloj servilizmi nuk mbërrinte kurrë që të përsëriste fjalët që iu thanë para do kohe disa aktorëve a regjisorëve, të cilët një lidership josportiv i mori me vete dhe i çoi te kantieri i ndërtimit të stadiumit kombëtar (pa pasur të paktën durim që stadiumi të përfundonte) ku iu tha: “Është një stadium, pa dyshim më moderni sot në Europë, nga rifinitura deri te koncepti bazë!” (“Sic!” nga gazeta “Panorama”). Ashtu siç i merrte regjimi për dore nxënësit e shkollave të Elbasanit e i çonte te Kombinati Metalurgjik për t’iu treguar se çka po bënte Partia për popullin. Mund të them megjithatë, se për sociologët, antropologët, psikologët është një rast fort i bukur për të studiuar një orë e më parë servilizmin e tipit të ri që sapo ka lindë në jetën “moderne” të Tiranës me stadium pa pistë atletike dhe pa monumente kulture të historisë si në rastin e Teatrit Kombëtar.

Apo dhe me qëndrimin ndaj Kombëtares së futbollit, duke anatemuar vetëm një njeri: trajnerin e saj. E, kjo, ndoshta edhe ngaqë ky nuk ia ka arritur ende të bëjë disa miq në Shqipëri. Natyrisht do të ishte mirë të mbanin pra, një qëndrim universal kritik, qoftë edhe ndaj kësaj humbjeje të Kombëtares së Shqipërisë, e cila thuajse nuk tregoi asgjë. Po ashtu edhe ndaj trajnerit të Kombëtares, i cili në 13 ndeshje ka fituar vetëm 3 e ka humbur 8! Po ashtu edhe ndaj FSHF-së, e cila në fund të fundit, është përgjegjësja kryesore e vetme e përgatitjes së ekipit kombëtar, madje e të gjithë ekipeve kombëtare.

Ndërkaq, nga ana tjetër, na u dashka të pengojmë edhe zhvillimin e “mendjemadhësisë” në vetë mënyrën e trajtimit të Kombëtares. Si të ishte Kombëtarja e Gjermanisë apo Spanjës e Francës. Duke harruar se kjo është thjesht Kombëtarja e Shqipërisë së vogël, humbëse e rregullt në historinë e saj. Deri aty saqë këtë të shtunë ajo pësoi humbjen e 176-të në 326 ndeshje me vetëm 82 fitore në 72 vjet jetë! Pa harruar se ndonjëherë ajo ishte edhe një fitimtare “sui generis”, ndoshta disi edhe sensacionale. Si në rastin e fundit të kualifikimit për në EURO 2016; apo për në tetëshe të Europës 35 vjet më parë me 21- vjeçarët, duke eliminuar Gjermaninë, Austrinë e Turqinë.

Dhe nuk di se cila është më e madhe: Shqipëria e EURO 2016 kryesisht me djem shqiptarë jo të tokës së Republikës së Shqipërisë apo Shqipëria e Kampionatit Europian NËN 21 e vitit 1983 me djem shqiptarë të gjithë të tokës së Republikës së Shqipërisë. Temë e bukur për një shkrim të ardhshëm analitik (përimtues)… Tash, mendoj se na duhet të qetësojmë zemrat e shpirtin futbolldashës e të ulim kryet.

Dhe të heqim dorë sidomos prej një protagonizmi, që aq më pak u shkon për shtat jo vetëm analistëve e specialistëve të futbollit, por sidomos gazetarëve, kronistëve, komentatorëve apo telekronistëve, sidomos disave prej tyre, të cilët nuk iu takon të harrojnë se i kanë zënë vendet e punës jo me ndonjë konkurs të rreptë që kërkon ky profesion i vështirë. Pra, jo siç e ka zënë vendin e trajnerit një Christian Panucci, falë reputacionit të tij botëror si futbollist i madh i kohëve. Duke shpresuar kështu se Shqipëria, para se Kombëtares, do t’i kthehet më fort futbollit të saj të brendshëm që është në rrezik të madh për një rënie edhe më drastike… Edhe kjo temë për një herë tjetër. Jo vetëm për autorin e këtushëm…

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama Sport. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"