Kundër servilizmit dhe vetëkënaqësisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 3, 2020 | 19:10

Kundër servilizmit dhe vetëkënaqësisë

BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

Mbas asnjë kuali fikimi në edicio nin e Kupave të Europës që shkoi, klubet shqiptare thuajse shpërthyen në këtë që sapo filloi. U arritën plot 4 kalime turi. Madje dy prej tyre edhe ndaj skuadrave me emër si Dinamo e Tbilisit e hershme, por paksa edhe si Sllavia e Sofjes, pavarësisht nga niveli krejt tjetër i sotëm sidomos i skuadrës gjeorgjiane, dikur kampione e Bashkimit Sovjetik dhe fituese e Kupës së Kupave të Europës.

Ndërkaq, jehona e këtyre kualifikimeve, që natyrisht gëzojnë amatorët e futbollit shqiptar, them se aty këtu i kaloi caqet e një baraspeshe që kërkon të bashkudhëtojë me përparimin e sportit apo futbollit të një vendi. Kësisoji, ndoshta nga që i kemi të rralla.

Dhe i kemi aq të rralla, sidomos kohët e fundit, saqë në dy edicionet paraardhëse, ato 2018-’19 dhe 2019-’20 kemi vetëm dy kualifikime: KF Kukësi – La Valleta e Maltës dhe KF Laçi – Anorthosis e Qipros të edicionit 2018-’19. Por asnjë kualifikim në edicionin 2019-’20.

Dhe shpërthimi i tashëm. Qofsha i gabuar, por në këto katër kualifikime të këtyre ditëve, ajo që më ka bërë përshtypje është se mënyrat e lojës së skuadrave tona kanë qenë tejet të sigurta taktikisht. Mbas kaq kohësh përjetova një disiplinë loje, një qetësi që sillte siguri, një paramendim që i mënjanohej futbollit spontan. Madje edhe ndeshja me Crvena Zvezdën po në këtë përmbajtje ishte, pavarësisht nga humbja.

tirana kampion

E gjitha kjo them se është sidomos meritë e trajnerëve Emanuel Egbo, Skënder Gega, Edi Martini dhe Armando Cungu. Rrallë si kësaj here, të paktën për mendimin tim, u pa një kompetencë drejtimi nga jashtë. Sigurisht merita më e rangut të drejtpërdrejtë u takon lojtarëve, sepse me sa u pa, ata ia arritën ta përçojnë në mënyrë krijuese mendimin e trajnerëve të tyre.

E megjithatë, nuk mund të harrojmë nivelin e kundërshtarëve që assesi nuk u afrohet elitave të sotme europiane. Por në fund të fundit, kush është Shqipëria, që të mëtojë (pretendojë) më shumë? E vogël si në gjithë këto vite në përfaqësimet me klubet, kryesisht për shkak të rënies së dukshme të cilësisë së veprimtarive të brendshme të futbollit shqiptar.

Tjetër histori mandej, kur kujton se jo rrallë në këto 60 vjet pjesëmarrje, klube të veçanta shqiptare kanë interpretuar plot dinjitet ngjarje të mëdha edhe ndaj të mëdhenjve. Kjo edhe për shkak të nivelit shumë më të lartë sesa sot të kampionatit të Shqipërisë. Dhe ja ku dal ndërkaq, te tema kryesore.

Është e pafalshme, joprofesionale, sidomos për gazetarinë që menjëherë pa mbaruar mirë ndeshja apo ndeshjet, të shpërthesh me përcaktimin se ky “sukses” “është meritë e kampionatit të Shqipërisë”! Madje edhe më tej sesa ky lloj servilizmi ndaj FSHF-së, është kur edhe nga kreu i saj del thuajse po rrufeshëm mendimi që thotë se: “…

tirana

Paraqitja e skuadrave shqiptare në Europë nuk mund të quhet surprizë, por një realitet i prekshëm që tregon qartazi rritjen cilësore të futbollit shqiptar dhe në mënyrë të veçantë të Kategorisë Superiore”. (Fjalë për fjalë nga gazeta “Panorama Sport”). E para, ajo e gazetarisë, është servilizëm i pafalshëm, pra. E dyta, që vjen prej FSHFsë, është vetëkënaqësi e dukshme dhe ndoshta vetëm me një synim: për të na mbushë mendjen se është fuqizuar tejet kampionati i Shqipërisë, ky me vetëm 10 skuadra, që sapo përjashtoi dy qytete tradicionale të futbollit (Vlorë e Gjirokastër), e që desht të përjashtonte edhe një qytet themelues të futbollit shqiptar (Shkodrën).

Sigurisht vetëm naivët mund të pranojnë rritjen cilësore të këtij kampionati me vetëm 10 skuadra. Një kampionat ky, ku dy skuadrat e fundit, e 9-ta dhe e 10-ta kishin plot 31 e 32 pikë më pak, jo nga kampionia, por nga skuadra që zuri vendin e 8-të. Vetëm ky fakt mjafton për të kuptuar rënien e qartë të kampionatit të Shqipërisë të cilit i kanë vënë emrin “Superiore”, pa pasur asgjë “superiore”. Faktet e tjera po i lë për herën tjetër… Kështu, pavarësisht se ju mund të vazhdoni me “përrallën” se kalimi i një turi prej katër skuadrave të Shqipërisë tregon fuqizimin e kampionatit të Shqipërisë, këtë 2019-’20. Apo me “superpërrallën” (meqë e keni fort për qejf “superinë”) që thotë se “Europa League foli shqip!”

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"