”Kaos institucional”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 12, 2020 | 15:28

”Kaos institucional”

BESNIK DIZDARI

Edhe “kaos”, edhe “institucional” gjuha shqipe i ka bërë të sajat prej dekadash. Ndonëse shqip “kaos” do të thotë “pështjellim”, ndërsa “institucional” do të thotë “me mkambë”, “me ndërtue”, “me rregullue”. Pa shkuar te disa kuptime të tjera. Kësisoj, për këta rreshta titulli më i bukur për mua do të ishte “Mëkambje pështjelluese”, doemos në gegnishten letrare.
superiore6
Tash, disa kërkesa, protesta apo “kërcënime” dorëheqjeje nga zhvillimi i kampionatit të Shqipërisë ndaj qeverisë, ndonëse të drejta, më duket se edhe këto hyjnë, më e pakta, në përpjekje për një lloj “mëkambje pështjelluese”, ndonëse nuk mbërrij t’i përcaktoj si “organizime çorganizuese” (prapë jo shqip).

Ndodhi pra, që kryetarë klubesh të futbollit shqiptar gjetën nga kufijtë ish-sovjetikë, Minskun e trazuar të Bjellorusisë për të kërcënuar qeverinë shqiptare për moszhvillimin apo shtyrje të kampionatit kombëtar për disa kërkesa të drejta, kryesisht financiare, që nuk i janë plotësuar. Them se edhe kur kemi qenë një me Bashkimin Sovjetik, nuk ma merr mendja se do të pranohej që në Moskë a Leningrad të mblidheshin kryetarët e klubeve të futbollit të Shqipërisë për të marrë ndonjë vendim kërcënues ndaj qeverisë së tyre të Tiranës. Rasti është për enciklopedinë e futbollit tonë, nëse ndonjëherë do ta ketë Shqipëria një enciklopedi të këtij lloji…

Kështu pra, u tha se në Minsk u mblodh “Liga” e futbollit. Nuk di nëse në historinë e Shqipërisë ka ndodhur ndonjëherë që një seksion apo një institucion të marrë vendime të rangut kombëtar shqiptar nga një vend i huaj! Përjashto mbledhjet e shoqërive atdhetare shqiptare në kohën e Perandorisë Osmane, që për shkaqe të cilat dihen, ato mblidheshin në Taksimin e Stambollit, në Sofje apo Bukuresht. Nejse…

Kanë të drejtë plotësisht, pra, por a vërtet kujtojnë se e “xen” ndopak kryet kjo qeveri për shtyrje kampionatesh?

Ndërkaq, çudia është se këta kryetarë apo presidentë protestojnë vetëm për kërkesa financiare, doemos të drejta këto, dhe… vetëm kaq? E shkruante bukur dje “Panorama Sport”, në një kolonë që po e quaj “trafiletto”, ndonëse ajo e kishte titullin, që ishte ky: “Kaosi në sport, po sikur të protestohej edhe për…”. Dhe përmendte trukimet, dhunën, licencimet, përdorimin më atdhetar të të ardhurave prej UEFA-s e të ndonjë tjetre.

Ndërkohë, të vjen keq që shtypi e quan “Minskun shqiptar” një mbledhje të Ligës, kur dihet se “Liga” nuk ekziston, as formalisht dhe as informalisht.

Për shembull, në këtë “kaos institucional” papritmas shohim se “Liga” nuk vendos vetë, por i merr leje FSHF-së. Dhe kjo, si të ishte pronarja e shumëpushtetshme, ia miraton kërkesën për shtyrje të kampionatit. Është pra, po kjo FSHF, që nuk do t’ia dijë për këtë “Ligë”, por mbledh Komitetin e saj Ekzekutiv dhe ia miraton kërkesën Ligës. Robëri e tanë! “Liga” shqiptare si askund në botë qenka pra thjesht një sektor i vogël i FSHF-së, sepse siç kanë njoftuar me kohë, kjo Ligë përbëhet vetëm prej 10 vetëve (kryetarët e nënshtruar të 10 klubeve) që i luten FSHF-së për të shtyrë kampionatin. Dhe kjo mblidhet tash në Tiranë dhe ia plotëson kërkesën. “Liga” ul kryet, që nuk besoj se e ka, megjithatë. A nuk ia hodhi edhe shortin e kampionatit po FSHF-ja? Pra, “Liga” nuk guxon as të hedhë shortin e kampionatit.

Ky është “kaos institucional” (“mëkambje pështjelluese”).

Dhe kjo FSHF vërteton, provon se edhe nëse kjo “Ligë” ekziston, ajo u varka plotësisht nga FSHF-ja, urdhërohet prej saj. Merre me mend, siç e kemi thënë kushedi sa herë: përderisa në krye të “Ligës” është zëvendëspresidenti i FSHF-së, “Liga” nuk ekziston. Përsëris edhe këtu se është vërtet çudi se si një zëvendëspresident i Federatës pranon të jetë njëkohësisht edhe president i “Ligës” dhe që guxon e nuk jep dorëheqjen ose nga presidenti i “Ligës” ose nga roli i zëvendëspresidentit të FSHF-së.

Kështu, vazhdon për bukuri “kaosi institucional” (“mëkambja pështjelluese”).

E pra, përveç atyre çka i trajtoi “trafiletto” e gazetës, nuk kuptohet përse nuk ka një protestë të fuqishme ndaj FSHF-së, e cila ende tash një vit a s’di se sa, nuk i jep, të paktën një përgjigje, kërkesës së mbi nja 30 kryetarëve dhe trajnerëve të klubeve që patën kërkuar shtimin e skuadrave në kampionat. Më keq se qeveria që nuk plotëson kushtet e premtuara financiare. Mirëpo, siç thuhet, çdo institucion i një vendi ka fytyrën e qeverisë që e drejton. Pra, nëse qeveria jeton edhe ajo si një “kaos institucional” (“mëkambje pështjelluese”), po kështu jetojnë edhe ingranazhet e tjera të jetës së një kombi.

Do të ishte ideale që klubet e Kategorisë së Dytë, Flamurtari i Vlorës, Besa e Kavajës, KS Elbasani i Elbasanit, Tomori i Beratit, Luftëtari i Gjirokastrës, KS Lushnja e Lushnjës, Dinamoja e Tiranës të formonin Ligën e tyre të pavarun e të fillonin një orë e më parë kampionatin e tyre kombëtar, qoftë edhe kësisoj të varfër në financat e shkatërruara të tyre. Kjo, si një sfidë atdhetare ndaj një FSHF-je që i ka braktisur me kohë. Dhe do të bëja një propozim: Ta quanin kampionatin e tyre kombëtar “Kampionati i Qyteteve të Shqipërisë”.

Ky shkrim i përket ciklit “Rënia e kampionatit të Shqipërisë”. Për vazhdimësi shih shkrimet “Kundër servilizmit dhe vetëkënaqësisë”, “Rasti Vllaznia: Kampionati “armik” i të rinjve”, “Rasti ‘21-vjeçarët’: janë të Kampionatit të Shqipërisë”! (“Panorama Sport”, 3, 4, 8 shtator 2020).

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"