Kampionati “atipik” i Shqipërisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 18, 2019 | 19:22

Kampionati “atipik” i Shqipërisë

BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

Kur me “atipik” kuptojmë atë që na thotë se gjithç ka është ndryshe nga ajo që është normale. Kampionati i Shqipërisë 2019-2020 është, pra, “atipik”. Ose ndryshe nuk është në jetën e tij normale të të gjitha viteve të tij. Asnjëherë në historinë e tij nuk ka ndodhur që mbas 15 javëve, 80 për qind ose 8 prej 10 skuadrave të tij të jenë në garë për titullin kampion.

E po aq, plot 8, të jenë në garë për vendin e 8-të në renditje, vend ky që në bazë të rregullit të padije të Federatës Shqiptare të Futbollit, të çon në ndeshje për rënie a mosrënie. Kampionati 2019-2020 është kështu, atipik, sepse pa mëshirë kërkon të përjashtojë 3 nga 10 skuadrat ose 30 për qind të tyre. Kjo është sikur bie fjala, Gjermania me 18 skuadra, ta ketë rregulloren të tillë që në fund të përjashtojë 6 skuadra! Kështu është.

Kategoria Superiore

Mirëpo, Gjermania përjashton vetëm 3 prej 18 skuadrave, aq sa çka qejf të përjashtojë edhe Shqipëria e FSHF-së, por e cila nuk ka 18, por vetëm 10 skuadra. Po të imitonim Gjermaninë (ndonëse ka do kohë që ne nuk dimë as të imitojmë), atëherë Shqipërisë i takon të përjashtojë afërsisht vetëm 1 skuadër ose 1 skuadër e gjysmë nga vetëm 10 skuadrat që ajo ka në Kampionatin Kombëtar. Më vjen keq vërtet, por sot mund të them se ky kampionat drejtohet nga njerëz që nuk e njohin.

Nuk njohin historinë e tij, nuk njohin zhvillimet e ecurisë së tij 90-vjeçare, nuk njohin zhvillimin social qytetar të tij, nuk njohin as se çka duan sot qytetet shqiptare për futbollin, nuk njohin dëshirat e futbolldashësve, në tërësi nuk njohin traditat e vetë ecurisë së futbollit tonë kombëtar. Ky kampionat në krejt “atipiken” e tij është tejet artificial. Sado që shërbëtorë të FSHF-së, që për fat të keq ndodh që të vijnë edhe nga mjedisi i medias, të hidhen përpjetë për një ndeshje të bukur e të nivelit të lartë, siç qe në të vërtetë ajo Partizani-SK Tirana, e të shpejtojnë plot shërbëtorësi ta quajnë një mrekulli të kampionatit – çka nuk ishte në të vërtetë – Kampionati mbetet krejt artificial në atipiken e tij.

Trajneret

Java e 15-të, pa asnjë argument bindës, shkaktoi shkarkimin e “tre trajnerëve për dy orë”, siç titulloi “Panorama Sport” faqen e parë në numrin e saj të së dielës: Lerda i Partizanit, Shkëmbi i Teutës, Marantas i Luftëtarit! Nuk arrita të gjeja në arkivin tim një rast të tillë të ngjashëm të shkarkimit të tre trajnerëve për dy orë. Ndoshta kam harruar, ndoshta nuk i kam shënuar me kohë.

Ndoshta…! Ndërkaq, vetvetiu më shkon ndërmend të pyes: Nëse Cobbinah nuk do të kishte shënuar golin e fitores për SK Tiranën në minutën e 91-të dhe ndeshja do të kishte përfunduar 1-1, a do të ishte shkarkuar trajneri i Partizanit? Nëse Teutës së Durrësit, e cila deri para pak javëve ishte kryesuese, fataliteti i “topit kapricioz” nuk do t’i kishte dhuruar tre 11-metërsha të çuditshëm në një ndeshje të vetme, siç i ndodhi të dielën, a do të ishte shkarkuar trajneri Shkëmbi? Nuk e di.

Derbi

Ajo që di është kjo tjetra: Kështu nuk bën, kështu nuk shkon! Ky kampionat atipik ka mbërritur në një drejtim gati personal (vetjak) të skuadrave shqiptare, për të cilat plasa me ditë se cilat janë kryesitë këshilluese e, pse jo, edhe vendimmarrëse të drejtimit të tyre. Mos ndoshta skuadrat janë vetëm të kryetarëve të tyre (presidentëve), të cilët i shohim në televizione e gazeta thuajse po aq sa dhe futbollistët e trajnerët? As këtë nuk e di… Ajo që di edhe në këtë rast është kjo tjetra: Kësi kulture nuk mund të vazhdojë më tej në Shqipëri. Mirëpo, ja që vazhdon.

Ndoshta edhe ngaqë nuk ka Ligë Kombëtare të Futbollit pra, të njohur ligjërisht dhe përderisa mungon kështu statuti i saj që i detyron klubit të paraqesin simbas ligjit, gjithë organizimin tipik të drejtimit, jo atë atipik. Me kryesi e këshill, me rregullore e platformë, me kompetenca të përimtuara të drejtuesve të tij e plot të tjera… E, tash, o burra të zëvendësojmë trajnerët e shkarkuar, teksa “krejt natyrshëm” mund të shkarkohen javët që vijnë, edhe të sapoardhurit. 8 trajnerë të shkarkuar brenda 15 javëve të një kampionati me vetëm 10 skuadra, natyrisht kjo është më shumë se atipike.

Dhe nuk është vendi këtu që t’u kthehemi kampionateve të shkuara e të tregojmë se në gjithë këto vite të fundit shkarkimet kanë mbërritur përherë përtej mbi 50 për qind të trajnerëve brenda një kampionati. Merret me mend që kështu nuk ecet në futbollin e sotëm. Shqipëria e sotme nuk po e formon figurën e trajnerit.

Çuditërisht, falë medias televizive, po kërkon me një pasion të madh të formojë figurën e “trajnerit analist” në studio. Nuk dua të fetishizoj kohën e shkuar, kur për shumë arsye e shkaqe të atëhershme, trajnerët qëndronin me vite te një skuadër – çka i bënte ata figura emblematike, teksa udhëhiqnin në mënyrë e sjellje thuajse sa burrërore po aq edhe kompetente e të një qytetarie, ecurinë dhe përforcimin e skuadrave të tyre. Kështu si sot është e pafalshme.

Teuta festa e golit (1)

Në këtë kuptim, Loro Boriçi e Myslym Alla, Rexhep Spahiu e Xhevdet Shaqiri mund të përbëjnë një kuartet nderimi jo thjesht për një subjektivizëm timin. Hyni paksa në jetën e tyre dhe do të mësoni shumë. E, në të vërtetë, shkoni edhe shumë mbasardhës që mësuan prej tyre. Nuk po e zgjas me listën e emrave të këtyre të fundit, sepse ajo do të më dalë tejet e gjatë në gjithë ecurinë tipike të kampionatit të Shqipërisë. Por jemi tek “atipikja”.

Një “atipike”, që nga ana tjetër, shfaq edhe një dukuri tjetër të saj. Dhe e shihni, pra, që plot 8 skuadra, pra 80 për qind e tyre, të duken si kandidate bindëse për titullin e kampionit të Shqipërisë. Ndërsa po këto 8 skuadra shfaqen si kandidate për vendin e 8-të përjashtues të shpikur nga FSHF për të realizuar, me sa duket, braktisjen e madhe të “stilit shqiptar” të një rënieje sa më të mundshme një kategori më poshtë të plot 30 për qind të skuadrave.

Për çudi, ndodhi që SK Tiranën e ndihmoi pak fitorja e saj e bukur ndaj Partizanit, sepse nuk shkoi më lart sesa te vendi i 6-të, që do të thotë “kryesuese” e pesëshes së dytë, thjesht i ashtuquajturi “mesi i artë”, që duket se nuk ka asgjë prej ari. Në vendin e 8-të përjashtues ka zbritur kampionia e jonë e madhe e dekadës së fundit, Skënderbeu i Korçës.

Skenderbeu-Vllaznia

Dhe ajo që është më e rëndësishmja: nga vendi i 8-të te vendi i parë janë vetëm 7 pikë ndryshim. Kjo është ajo, atipikja, që nuk e kemi përjetuar kurrnjiherë deri më sot. Lind pyetja: Kjo a është diçka pozitive? Në pamje të jashtme, po. Sepse duket një rivalitet i fuqishëm: 80 për qind e skuadrave që janë mëtuese për titullin…! Po nga ana tjetër, kjo më tepër se pozitive të shfaqet disi artificiale, sepse nga java në javë mund të zbresësh më e pakta nga vendi i dytë në të tetin.

Këtë javë kryesuesja Kukës luan në Shkodër, Partizani në Durrës, Laçi në Ballsh. Nëse fitojnë vendësit, renditja rrezikon të bëhet e pakomentueshme. Megjithatë, le të ndodhë. Do të ndodhemi përballë çudinave të jashtëzakonshme. Në fund të fundit, do të pohojmë se ky kampionat atipik nuk ka asnjë skuadër tipike. Kur me tipike, në këtë rast, nënkuptojmë një skuadër të fortë, që dallon nga të tjerat për qëndrueshmërinë dhe harmoninë e lojës e të rezultateve të saj. Vështroni për një çast.

E pakta 7 skuadra kanë thuajse numër të barabartë humbjesh, nga 3 deri në 4. Madje, numrin më të paktë të humbjeve e ka skuadra që zë vendin e 7-të, Teuta. E ndërsa skuadra e Kukësit ka numrin më të madh të fitoreve (8), plot 7 skuadra të tjera thuajse kanë numër krejt të përafërt fitoresh: nga 6 deri në 7. Krejt atipike edhe kjo. Po të shkojmë mandej te golat, vërejmë një barazi tjetër po atipike. Asnjë skuadër nuk ka arritur të shënojë mesatarisht 2 gola për ndeshje dhe 4 skuadra nga 10 që janë, nuk kanë arritur të shënojnë mesatarisht as edhe 1 gol të vetëm për ndeshje!

kukesii

Teuta është më atipikja: me vetëm 9 gola të shënuar ka marrë 22 pikë. Mund të jetë e para në Europë në këtë dukuri atipike të saj. Ndërkaq, është vështirë të gjesh një kampionat të gjithë këtyre viteve të fundit ku mbas 15 javëve, një skuadër nuk ka asnjë fitore. Është i lavdishmi ynë Flamurtari i Vlorës me 0 fitore, vetëm 6 barazime, vetëm 6 pikë, po me 30 gola të pësuar në 15 javë!

Merreni me mend sikur në fund të këtij kampionati, Luftëtari i Gjirokastrës, Flamurtari i Vlorës dhe Skënderbeu i Korçës, që tash për tash zënë tri vendet e fundit, të mbesin po aty e të zbresin në Kategorinë e Dytë! Çka do të duhej të bënim mbas rënies së këtyre skuadrave të dëgjuara të tri qyteteve të famshme edhe për futbollin në Shqipëri? Më e pakta do të duhej të shkarkonim “en bloc” Federatën Shqiptare të Futbollit dhe të rindërtonim kampionatin tipik të Shqipërisë, atë të vërtetin. Madje, nga themelet…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"