Garinça dhe “bukuria” e futbollit shqiptar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 2, 2021 | 23:39


Garinça dhe “bukuria” e futbollit shqiptar

Nga Besnik Dizdari

besnik dizdari

Disi paradoksal ky titull, apo jo? Megjithatë, po ju lutem të ndiqni këto dy “tregime” të shpejta:

1. “…Njëherë, në një ndeshje në Kosta Rikë, në rezultatin 1-1, loja po i afrohej fundit. Kishin mbetur disa sekonda dhe Garinça kryen karnavalin e finteve të papërsëritshme, duke i kaluar të gjithë ata që i dilnin përpara në rrugën e tij, qysh nga qendërsulmuesi e deri te mbrojtësi i majtë. Stadiumi u ngrit në këmbë: Garinça vetëm për vetëm me portierin! Ai matet, por nuk gjuan. Edhe një herë matet, por kalon në një valle tjetër, duke dribluar edhe një mbrojtës tjetër që sapo vjen. Përsëri është fytyrë më fytyrë me portierin, matet, por përsëri nuk gjuan. Gjyqtari tashmë shikon sekundomentrin. Dhe ngrihet me histerizëm trajneri Paulo Amaral. Dhe përsëri Garinça në udhëtimet e tij para sheshit të portierit, kalon gjithë skuadrën e zemëruar dhe për të tretën herë ndodhet përpara portierit. Më në fund shënon golin duke e kaluar topin midis këmbëve të portierit. Menjëherë ndeshja mbaron. Paulo Amaral fluturon për në qendër të fushës te Garinça, i thërret me të madhe duke përdorë të gjitha epitetet më të njohura të fjalorit të errët të gjuhës portugeze: – Përse nuk shënove menjëherë? – Si, çfarë? Po portieri aspak nuk donte që ta ndalonte topin, bile as me këmbë!…”

2. “…Kjo tjetra ka ndodhur më 27 mars 1960 në “Marakana” gjatë ndeshjes Fluminense – Botafogo. Mbrojtësi i Fluminense bie, humb topin dhe dëmton këmbën. Topi shkon te Garinça i cili ndodhet i vetëm përballë portierit, duke u bërë gati ta çojë topin në rrjetë, befas ai sheh se mbrojtësi ishte shtrirë në tokë, teksa po vuante nga dhimbja. Në çast Garinça kthehet dhe e dërgon topin përtej vijës anësore. Qysh atëherë kjo është kthyer në traditë në Brazil. Kur lojtari tjetër pëson traumë, ai që sulmon lë topin dhe i shkon në ndihmë kundërshtarit të dëmtuar…”.

* * *

Këto dy “tregime” të vitit 1970 nuk i kam shkruar unë, por gazetari i madh sovjetik Igor Fesunenko (1933-2016), korrespondent i përhershëm në Rio de Zhanejro i Radio Moskës, i cili u bë edhe më i dëgjuar me librat dhe shkrimet që botoi për futbollin brazilian. Ajo çka sapo lexuat më sipër, është një fragment i shkruar prej tij, i përkthyer fjalë për fjalë. E, tash, nuk dua të zgjatem me qëllim që në mënyrë, si të thuash, burokratike apo prolikse, të shtjelloj gjatë moralin e fabulës. E nxjerr vetë lexuesi, duke u bindur se ky është “Fair Play” i vërtetë, në futboll, që, me sa duket, qenka shpikur në Brazil nga Garinça legjendar. Ndërkaq, si në një antitezë, do të thosha se është e vështirë që kjo çfarë u tregua, të mund të krahasohet me rastin e asaj që ndodhi në ndeshjen KF Kukësi – Partizani, për çka nuk të vjen mirë kur gjatë transmetimit televiziv, rrufeshëm u quajt thuajse si modeli i “Fair Play-t”. Nuk dua të zgjatem me këtë, sepse gjyqtari ynë i madh, Arsen Hoxha, i ka vënë vulën me shkrimin e tij, këtu në “Panorama Sport”. Por, më shumë se si një diskutim për vërtetësinë kuptimore të “Fair Play”-t, synimi parësor në këtë editorial është të ndalem sadopak te vlera e madhe e bukurisë së futbollit. Kështu pra, sa merremi me bukurinë e futbollit tonë kombëtar? Mbi të gjitha, a e nxitim përhapjen dhe zhvillimin e tij pikërisht përmes vlerësimit dhe komentimit të bukurisë së tij? Por, vështroni se çka ndodh. Kur më 13 shtator 2020, java 13 e kampionatit, Vllaznia kryesonte me + 9 pikë mbi Partizanin, asaj më shumë se asgjë tjetër i përmendej mundësia e fitimit të titullit kampion! Ndërkaq, trajnerit të saj Brdaric, kjo nuk i pëlqente, teksa thoshte: “Është ende herët për të menduar titullin e t’i marrim ndeshjet radhë mbas radhe”. Mirëpo titulli, vetëm titulli! Pa harruar as atë tjetrën: luftën për Europën.

Kukesi-Partizani 1-2 aksion Elbasan Arena

Duket që në Shqipëri nuk ka preokupim tjetër përveç titullit dhe Europës. E keni pa se si sapo fillon kampionati shtrohet pyetja publike: “Kush e fiton kampionatin?” Të paktën as “kush e pretendon titullin e kampionit”, por vetëm “kush e fiton atë”!… Dhe kjo përmendet çdo javë, në çdo çast, në gati-gati mbas çdo ndeshjeje, si gjithnjë, sidomos në emisionet televizive. Deri aty sa që i vënë gati përherë në vështirësi edhe trajnerët. E pra, t’ia bësh gati të mundshëm Vllaznisë fitimin e titullit 26 javë pa mbaruar kampionati, kjo është pak t’i thuash naive. Dhe vështroni ndërkaq se sa shpejt e harruan Vllazninë, tash që largësia e kryesimit të saj është ngushtuar në 4 pikë, teksa pa e zgjatur fort, po ia parapërmendin titullin jo asaj, ndonëse ende ajo kryeson, por skuadrave ndjekëse. Në fund të fundit, e gjithë kjo tregon se edhe gazetaria – e gjithnjë e them sidomos për atë televizive – është bërë disi më prepotente e, edhe ajo duket se e ka mendjen te tregtia e futbollit, te komercializmi, te fitimi. Ndonëse dihet, fitimi është shumë i rëndësishëm, por jo deri në këtë shkallë. Fitimi, më fort se asgjë, është çështje e brendshme e klubit, e presidencës, e drejtimit të klubit. Një çështje tejet e rëndësishëm, natyrisht. Por, jo deri këtu, pra! E vërteta është se prej disa vitesh në “propagandimin” e futbollit në Shqipëri pak flitet për vlerat e bukurisë së futbollit, shpirtin e kësaj bukurie, harmoninë e vetë përmbajtjes, si të thuash koreografike, të lojës. Kështu, vetvetiu harrohet qëllimi kryesor i futbollit që na mëson se përveç ftesës që i bën rinisë për t’u marrë me këtë sport si edukim e kulturë fizike, çdo javë ndeshjesh është dhe një dëfrim qytetar për publikun, një çlodhje, një shfaqje e javës, ku humbja apo fitorja kurrë nuk është qëllim më vete. Dhe po aq nuk është qëllim më vete as titulli i kampionit apo hyrja në garat e Europës. Aq më keq kur kësaj lufte komerciale i jepet përparësi qysh 26 javë para përfundimit të kampionatit. Për fat, javën që shkoi kemi pa dy ndeshje shumë të bukura, ato Partizani – Laçi 1-1 dhe Teuta – KF Kukësi 2- 2, pa harruar atë të fitores spektakolare të SK Tiranës në Shkodër.

Mirëpo, çka e sundoi gazetarinë folëse? E sundoi titulli që “po i largohet” Vllaznisë dhe Europa e titulli, që “po u afrohen” të tjerëve. Ndonëse, ka edhe 15 javë kampionat! Kësisoj, ne nuk merremi me bukurinë e futbollit si spektakël dëfryes e çlodhës për publikun. Ne merremi veç me rezultatin e ndeshjes, me humbjen apo fitoren, e gati-gati me asgjë tjetër. Për mbyllje, po në këtë ide apo dukuri, zgjodha këtë episod të freskët gazetarie. Të dielën, gjatë emisionit kryesor të lajmeve të një televizioni të cilit i është dhënë statusi “kombëtar”, në fund ai njoftoi shqiptarët, madje gati si me njëfarë buje se Interi i Milanos po kryesonte 1-0 ndaj Genoa të Gjenovës, e për më tepër kuptohet që ishte fjala për një ndeshje në zhvillim e sipër. E shikoni se sa poshtë që biem apo se çfarë ndjenje inferioriteti që demonstrojmë? E pra ç’punë ka Shqipëria me një ndeshje, përveç të tjerave, krejt të rëndomtë Inter me Genoa të Italisë, e 13- ta në renditje, që është ndeshje e një shteti tjetër? Asnjë punë. Është thjesht problem i Italisë. Aq më tepër që kjo Itali as denjon të shkruajë nja tre rreshta apo një fjalë goje televizive për kampionatin e Shqipërisë. Dhe, me të drejtë. Edhe kësisoj rastesh na e marrin kohën që na takon t’ia kushtojmë bukurisë së futbollit tonë kombëtar. Natyrisht, për aq sa kjo bukuri është e pranishme. Ka thënë Pier Paolo Pasolini: “Futbolli është përfaqësimi i fundit i shenjtë i kohëve tona. Është spektakli që ka zëvendësuar teatrin”. E kam vënë këtë thënie në kapitullin 16 të librit “Shqipëria Europiane e Gianni De Biasit”. Besoj se nuk keni harruar që edhe pse në 2016, në tri ndeshje të “Teatrit të madh Europian të futbollit”, Shqipëria fitoi vetëm 1, ajo u përshëndet nga mijëra për bukurinë e futbollit të saj që paraqiti. Bukuri që bëri t’i harroheshin humbjet…

PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/