Europianizim apo “anglizim”?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 9, 2018 | 21:09

Europianizim apo “anglizim”?

BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

Sigurisht që janë të dyja. Qysh nga 2002, në plot 4 edicione të fundit, Europa e mposht Amerikën e Jugut. Dhe në këto 16 vjet, askush nuk e shtron më pyetjen “klasike” të viteve ’90 sa herë që mbërrinin fundoret (finalet) e Kupës së Botës. Ishte pyetja: “Europa apo Amerika e Jugut?”. Nuk e bën më askush. Triumfi europian, i sanksionuar më fort se asnjëherë tjetër në këtë “Russia 2018”, është punë e kryer. Pyetja “Europa apo Amerika e Jugut” është krejt arkaike, pra, jashtë kohës. Kështu, përderisa kujton se qysh prej 2002, me Brazilin Kampion të Botës, në katër edicione rresht, 2006, 2010, 2014, 2018, jo vetëm nuk ka asnjë Kampione të Botës amerikanojugore, por kësisoj edhe nënkampione, prej andej kemi vetëm një: Argjentinën më 2014.

“Bukuria” tjetër është se kësaj radhe, përveç europianizimit, kemi edhe një anglizim, nëse mund ta krijojmë këtë “neologjizëm”. Çka na lind prej faktit kryefortë se nga 85 lojtarë të aktivizuar deri tani prej katër skuadrave që mbeten ende në garë, plot 37 lojtarë vijnë nga Kampionati i Anglisë. Thuajse 50 për qind! Ky, pra, është ai që po e quajmë “anglizim” i Kupës së Botës.

angliiii

Sigurisht, në këtë shifër “37” sundon vetë Kombëtarja e Anglisë, e cila nga 21 lojtarët që ka aktivizuar deri tani, të 21-tët janë të Kampionatit po të Anglisë. Kjo më duket se është risia e këtij Kampionati datuar 2018. Duhet shumë mund për të fiksuar saktësisht, por mund të ketë mbi dy e tri dekada, që midis katërshes mëtuese të titullit botëror të mos kemi pasur një skuadër, e cila i ka të gjithë lojtarët që të vijnë vetëm prej Kampionatit Kombëtar të shtetit të saj.

E nëse “ruajna Zot!”, siç mund të thonë kompetentët e Kupës së Botës në Shqipëri, të cilët janë më të shumtë se në asnjë vend tjetër, të ndodhë që titullin ta fitojë Anglia, atëherë në strategjinë e çkombëtarizimit të futbollit të sotëm, do të kemi një goditje tronditëse. Ndërkaq, paradoksi tjetër, i cili po gjithashtu i përket Anglisë, është ky: shumica e klubeve të saj janë në duart e sundimtarëve të huaj dhe që ka ndoshta numrin më të madh të lojtarëve të huaj që luajnë në klubet e saj; por që kur vjen puna te Kombëtarja, Anglia qenka më “nacionaliste” se asnjë tjetër. Dhe befasia tjetër që i përket skuadrës më befasuese të këtij kampionati, që është Belgjika me plot 10 lojtarë – gjysma e të aktivizuarve të saj – të cilët vijnë po nga Kampionati i Anglisë.

Kësisoj, paradokset – më saktë antitezat – që nuk ndalin: një tjetër skuadër – ndër më të mirat e deritashme – që është Kroacia, ka vetëm një lojtar nga Kampionati i Anglisë: Lovrean i Liverpool-it! Duket që Kampionati i Anglisë nuk ka rival, megjithatë. Më i afërti i shifrës sunduese të tij është Kampionati i Spanjës, prej të cilit katër mëtuesit e titullit së bashku kanë vetëm 12 lojtarë, mandej vjen Kampionati i Francës me 10, Italia me 9 dhe e katërta Gjermania me 8 lojtarë nga e famshmja Bundesligë. Ky është sundimi guximtar “anglez”, i Anglisë pra, e cila, për çudi, midis katërshes mbetet e fundit.

Kryeson Belgjika që ka fituar 5 ndeshje, Franca 4, Kroacia 3, sa edhe Anglia, por kroatët nuk kanë asnjë humbje, ndërsa Anglia e ka një. Ndoshta fabula jonë nuk është domethënia e garës në vazhdim. Kështu, sepse Anglia, e cila në moshën mesatare të 21-shes së saj është nën 25 vjeç – më e re se asnjëra – edhe pse i përket vendit që ka shpikur futbollin dhe që organizimet e saj i kanë ende model të gjithë të tjerët, nuk është Kampione e Botës qysh nga viti 1966. Kampionati Botëror “Russia 2018”, që po mahnit botën me origjinalitetin dhe elegancën e tij të pafund organizative, po “vuan” për risi të tjera.

E, në cilësinë befasuese të futbollit, ndoshta risia është po Rusia. Zë vendin e 70-të në renditjen e FIFA-s, kur Shqipëria është e 59-ta! Dhe sot, sapo është në 8 më të mirat e Botës. “Futbollistët tanë janë heronj! Kombi krenohet me ta!”. Këto fjalë janë të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, menjëherë mbas eliminimit dramatik të Kombëtares Ruse prej Kroacisë. Asnjëherë në historinë e Kupës së Botës, një udhëheqës shteti nuk ka bërë një deklaratë kaq “origjinale” menjëherë mbasi skuadra e shtetit të tij është eliminuar. Në të vërtetë, Rusia e vitit 2018 ishte një çudi, teksa nga një “outsider”, për pak u shndërrua në pretendent…

Po, a nuk ia vlen që këtë editorial, disi “të cekët”, ta mbyllim po me një shembull tjetër të “anglizimit”? Në përbërjet e katërshes mëtuese janë të pranishëm plot 9 lojtarë të një klubi po të Anglisë me emrin “Tottenham”: Vertonghen, Dembele, Alderweireld të Belgjikës, Lloris i Francës dhe Rose, Dier, Alli, Kane, Trippier të Anglisë. Midis të cilëve, siç shihet, bën pjesë edhe kryeshënuesi i Kupës së Botës 2018: Kane me 6 gola.

Në Kampionatin e Anglisë që sapo ka përfunduar, ai ka shënuar plot 30 gola, po Tottenham-i i tij zuri thjesht vendin e 3-të. Ndërsa trajneri i Anglisë, 47-vjeçari Garreth Southgate, deri më sot nuk ka fituar asnjë lloj Kampionati, asnjë lloj kupe sado modeste qoftë, madje as me një skuadër klubi e as dhe me ndonjë lloj skuadre kombëtare, qoftë dhe fëmijësh! Merre me mend tash, sikur të ndodhë që mbas 52 vjetëve Anglia të shpallet Kampione e Botës. Po ku të lë Franca “dinake” apo Kroacia “kryeulë” e Ballkanit. E sidomos Belgjika “e panjohur” e 5 fitoreve të 5 ndeshjeve, me të cilën dikur, edhe pse e kishte skuadrën më të bukur se sot, e pat mundur 2-0 Shqipëria, madje po për Kupën e Botës? Pa shumë risi, megjithatë “Russia 2018” është tejet interesante. Sidomos kur mendon se prej të katërtave asnjëra nuk është ndonjë skuadër kushedi sa çka!…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"