Editorial nga BESNIK DIZDARI/ Denatyrimi i Kampionatit dhe “pronarët” prepotentë të moviolës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2017 | 21:19

Editorial nga BESNIK DIZDARI/ Denatyrimi i Kampionatit dhe “pronarët” prepotentë të moviolës

Nga BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

1. Mbaj mend kur ishim adoleshentë në Shkodër dhe organizonim vetë “kampionatet” tona midis lagjeve: Kirasi me Tophanën apo Rusi me Dudasin. Kështu, herë shkonim ne te fusha e vogël e lagjes tjetër, e mandej i ftonim ne ata të luanin në lagjen tonë. Ose prapë ndërronim mendje. Mandej, kur u bë stadiumi “Vojo Kushi” (sot “Loro Boriçi”), ai kishte një aneks me fushë të mrekullueshme gati gjigante, e atëherë ne më shpesh shkonim e ndesheshim atje. Kësisoj mori fund kahu “fusha e jonë” e “fusha e juaj”. Kjo m’u kujtua kur dëgjova se kahu i ndeshjes Vllaznia-Skënderbeu u ndërrua. M’u kujtua adoleshenca jonë dhe m’u duk Kampionati Kombëtar i Shqipërisë si “kampionatet” tona të lagjeve…

Por nuk po zgjatem më tej për këtë se “Panorama Sport”, para nja dy ditësh, e ka shtjelluar fort mirë. Ajo që desha të shtoj, është kjo tjetra: në cilin kampionat të shteteve europiane mund të ndërrohet kë- sisoj kahu i shortit të ndeshjeve të kampionatit? Askund, përveçse në Shqipëri. E pra kjo do të thotë se në Shqipëri është denatyruar kampionati. Madje, me ndryshimin e kahut të ndeshjes së javës 9, këtë Vllaznia-Skënderbeu, kemi të bëjmë edhe me një lloj “falsifikimi”, teksa me zemërgjerësi, këtë përcaktim po e fut në thonjëza,

Normalisht kjo ka dëmtuar jo vetëm Vllazninë që mbeti po me 6 pikë, teksa sapo ka vënë kandidaturën e saj për të rënë, por sidomos KF Kukësin që synon titullin. Dhe i cili normalisht, duke njohur njëfarë force të fush- ës vendëse, mund të shpresonte për një lënie pikësh të korçarëve në Shkodër. Dihet tashmâ se Skënderbeu i Korçës, i cili ka një formë të shkëlqyeshme, nuk ka nevojë për kësi ndërrimesh. Mirëpo, kush ka nevojë për denatyrimin e Kampionatit? Këtë është vështirë ta mësojmë.

flamurtarikukesi

2. Dhe ja, historia tjetër. Është anuluar një gol në ndeshjen e Vlorës për pozicion jashtë loje. Bukur! Mirëpo, nëse ka një rast më të diskutueshëm se sa anulimi i këtij goli, është vështirë ta thuash. Shkoni dhe shikojeni njëqind herë në TV. Edhe nëse ka qenë pozicion jashtë loje, një njohës i mirë i rregullores e me mendje të paanshme, nuk do të ngutet “të vulosë”, teksa sheh qartë se është punë milimetrash. Madje milimetra apo centimetra janë edhe kur topi është krejt afër rrjetës, e jo më në çastin kur topi është goditur prej lojtarit Juffo të Flamurtarit. Sepse e dimë që pozicioni jashtë loje vërshëllehet pikërisht në çastin kur topi goditet drejt portës, apo jo?…

Mirëpo, “pronarët” (“padronët”) e moviolës shqiptare, të përdhelur fort edhe nga televizionet, vazhdojnë të bëjnë ligjin. Natyrisht nën miratimin e FSHF-së. Dy të tillë njëherësh i bënë në një studio televizive një mbrojtje heroike këtij “ofsajti” të Vlorës deri në çudi. Dhe me një pasion dhe vetësiguri absolute, disi duke u krekosur madje, a thua se rregulloren e futbollit e njohin vetëm ata. Madje, shpesh deri dhe me një lloj arrogance, për mos me të të lënë me fol. Pra, me një mbytje të ashpër zëri kundër atij që ka mendim tjetër. Dhe kur? Pikërisht kur është fjala për një rast krejt të diskutueshëm e madje tejet të paqartë, të pasigurt, siç është edhe rasti i golit në Vlorë. E, ndërkaq, simbas tyre, kurrsesi për kësi rastesh, nuk mund të dijë, bie fjala, një gazetar në studio, një specialist i pedagogjisë sportive apo një trajner i sprovuar i futbollit. Edhe nëse ky qëllon të jetë i maturi Shpëtim Duro, i cili tha se “një gol i tillë s’do të ishte anuluar në Kukës”.

Por nuk është thjesht këtu problemi. Problemi është në atë, se si ka mundësi që FSHF lejon të diskutojnë publikisht rastet e “ishte apo nuk ishte”, njerëzit e saj. Pra, ata që ajo i cakton delegatë apo vëzhgues ndeshjesh. Kjo nuk mund të ndodhë askund. Aq më tepër nuk mund të ndodhë që një delegat apo vëzhgues ndeshjesh i një dite më parë, të guxojë të dalë e të gjykojë veprimet e arbitrit të një ndeshjeje të një dite më vonë. Është pak të thuash konflikt interesi, konflikt shokësh e miqsh, apo konflikt federal. “Mos flisni në publik për gjykimet e gabimet e ndeshjeve që ti apo kolegët tuaj i drejtoni apo i vëzhgoni për Federatën, por në heshtje shkoni e shkruani relacionin dhe dorëzojani vetëm asaj”, thotë një rregullore ndërkombëtare e etikës së trajtimit të gjykimeve sportive. Kësisoj, pa kakofoni, natyrisht, ky është një tjetër denatyrim i Kampionatit të futbollit në Shqipëri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"