Denatyralizimi i kampionatit të Shqipërisë

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Tetor 21, 2019 | 22:26

Opinion Të fundit

Denatyralizimi i kampionatit të Shqipërisë

BESNIK DIZDARI

Besnik-Dizdari

Çudia e shtatë javëve të para që deri këtë të shtunë që shkoi, i përkiste dyshes Bylisi i Ballshit – Vllaznia e Shkodrës, mori fund. Nga vendi i parë ku ishin, tash Bylisi zbriti në vendin e katërt dhe Vllaznia në të gjashtin. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se roli i tyre, i një shpërthimi qoftë dhe vetëm i pak javëve, të zbehet.

Madje, Vllaznia e Shkodrës, me ndeshjen e së dielës, tregoi se mbetet gjithnjë një nobilitet i kampionatit të Shqipërisë. Në ditë krize të madhe të këtij kampionati, befas ajo ia mbërriti të sjellë në stadium gati nja 7000 shikues, duke krijuar shembullin e një atmosfere fort tërheqëse e qytetare për gjithë këtë kampionat të deritashëm 2019-2020.

vllaznia partizani

Pa inate, pa sharje, pa tifozë që zhvishen lakuriq, por vetëm me duartrokitje dhe etikë të lartë, nuk ka dyshim se ndeshja Vllaznia – Partizani është më e bukura e këtij kampionati. Nuk ka rëndësi rezultati, madje nuk ka rëndësi as humbja dramatike 3-1 e Vllaznisë e mbas minutës 90. Nuk ka rëndësi madje as fitorja tejet e çmueshme e kampionëve partizanas – shumë më tepër të sprovuar sesa skuadra shkodrane. Rëndësi ka se edhe në këtë kampionat fort të rënë, ka shenja se ai mund të rikthehet.

Humbi Vllaznia, teksa po kërkonte të fitonte. Humbi pikërisht për këtë arsye pra, ngaqë nuk arriti të llogariste përvojën dhe dinakërinë e Partizanit. Dhe me mallin gati të shuar të fitores, u hodh në sulm pa menduar aspak për mbrojtjen. Ndonëse përbëhet prej një brezi të ri lojtarësh, në mënyrë instinktive ajo shkoi te tradita e hershme e futbollit shkodran, çka mua më detyron t’i rikthehem portretizimit paksa “poetik” që i kam bërë para pak ditëve në “Panorama Sport”. Shkrova:

andi koci vllaznia partizani

“Pa Vllazninë në luftën për titull, dijeni se Kampionati i Futbollit në Shqipëri humbet shumë. Vllaznia kur është në luftë për titullin krijon çudinat më të bukura. Ajo e humb kampionatin mbrenda në Shkodër. Ajo e fiton kampionatin jashtë Shkodrës. Ajo e fiton kampionatin kur as ti, as unë, as i treti nuk e besojmë. Ajo e humb kampionatin kur edhe më “armiku” i saj nuk e merr me mend. Ajo shpallet kampione në çastin e fundit. Ajo e humb kampionatin qysh në javën e parë. Ajo e ndërron atmosferën katër herë mbrenda një 90-minutëshi: vranët, shi, diell, furtunë. Ajo është Vllaznia e Shkodrës që të mund, duke të lënë të kënaqesh duke luajtur futboll. Ajo kurrë nuk ta merr frymën, përkundrazi të jep ty frymë kur ti po asfiksohesh. Ajo e mbush stadiumin, edhe pse është e pesta në kampionat. Ajo është ndër të rrallat që të shtrëngon dorën edhe kur ti e ke shkatërruar mbrenda në Shkodër, qoftë edhe me hile. Ajo e vazhdon kampionatin, edhe pse gjyqtari i vjedh 9 pikë në tri ndeshje. Ajo vë buzën në gaz edhe kur ti mendon se po qan. Nuk di a është sot më e tillë Vllaznia. Sepse, ata që drejtojnë kampionatin “e vockël” të Shqipërisë me vetëm 10 skuadra, aq sa kanë denatyruar një traditë, po aq kanë denatyruar edhe Vllazninë e Shkodrës. Po kë nuk denatyruan! Prej Partizanit, SK Tiranës, Dinamos e Vllaznisë që i përplasën pa mëshirë në ‘Kategorinë e Dytë’. Dhe jo vetëm këto. Sapo ia kanë çelë rrugën e rënies Flamurtarit të famshëm të Vlorës, ndërkohë që Dinamon 18 herë kampione e kanë të 9-ën e njërit grup të ‘Kategorisë së Dytë’, Besën e Kavajës të pestën dhe KS Elbasanin gati në fund të grupit tjetër po të ‘Kategorisë së Dytë’. Dhe gjejnë njerëz që guxojnë deri në mashtrim gazetarie që t’i thonë këtij “Kampionati më bukur i mbas-Demokracisë”!..

ramadani vllaznia partizani

Kështu shkrova. Dhe ky mendoj se është problemi. Kampionati i Shqipërisë – gara sportive më e rëndësishme e këtij kombi – është denatyruar. Është denatyruar sidomos thjesht prej shkurtimit të skuadrave në vetëm 10, pa ndërtuar pra, pa profesionalizuar aspak kampionatet e kategorive të dyta dhe të treta që me mashtrim vazhdojnë t’i quajnë Kategori e Parë dhe e Dytë! E kritikoj tash sa vjet këtë organizim. Dhe jo vetëm unë. Gjithnjë duke u përpjekur për ta argumentuar këtë kritikë.

Prapë do ta kritikoj. Do ta kritikoj deri sa t’u mbushet mendja shtetit, qeverisë dhe ministrisë përkatëse, se Kampionati Kombëtar i Futbollit në Shqipëri është një pasuri kombëtare, jo pasuri e FSHF-së, ajo e cila kur i thua se ranë Vllaznia e SK Tirana, pa pikë zori replikon me rreptësi: “Ka ra edhe Juventusi!” Kaq mjafton për t’u bindur se kjo mënyrë drejtimi e sotme nuk shkon më tej. Deri aty, saqë na bën të mendojmë se ose ajo nuk e di se çka është kampionati i Shqipërisë, ose nuk do t’ia dijë.

cinari nuk feston partizani

Ndeshja Vllaznia – Partizani, nga ana e vlerave sociale, ia arriti të mbledhë gati 7000 njerëz, t’i çlodhë, t’i dëfrejë, t’i largojë të paktën për ato dy orë, nga një mori hallesh e problemesh, nga varfëria e papunësia, nga mërzia e pakënaqësitë që drejtimet e pafrytshme të sotme ua kanë sjellë deri dhe me politizimet shpesh gati të neveritshme. Çka mbushin faqet e gazetave çdo ditë deri me tri a katër fotografi njëherësh të lidershipit në fjalë, si të ishin aktorë të Hollivudit apo Ronaldo të Juventusit (Për fat të keq, po bëhen kaq vite, që në Shqipëri ka rënë tejet poshtë teoria dhe praktika e politikës së botimit të fotove, që dihet, është një mjet i pazëvendësueshëm i efektit gazetaresk në jetën publike. Por kjo është temë për leksione gazetarie…).

E, ne këtu shkruajmë për praktikën që ka shkatërruar apo denatyralizuar vlerat e vërteta të Kampionatit të Shqipërisë, përveç të tjerave, sidomos me shkurtimin arrogant të skuadrave në vetëm 10, kur dihet që kampionatet më të bukura të Shqipërisë kanë qenë ato të gati 50 vjetëve me radhë, që kanë pasë 14 skuadra. Por i përjashtuan prej kampionatit për ta bërë këtë me 10, pa i marrë leje askujt, pa marrë një mendim të gjerë kombëtar, pa e studiuar, pse jo, pa e referenduar, por me një të rënë të lapsit, jo të lapsit kolektiv, por të lapsit “personal” (“vetjak”) në zyra tejet të ngushta drejtimi që ia marrin frymën mendimit demokratik. Dhe interesant! Sa herë që shkruaj për këtë problem, më vijnë fjalë se ky “na ka inat”.

solomon partizani

Po çfarë inati mund të ketë një gazetar i vjetër, që nuk është as futbollist, as trajner, as pronar klubi, as president skuadre? “Më ka inat!” Kjo lulëzon në Shqipëri sa herë që kritikon dikë ose një dukuri. Çka, ne si gazetarë, për fat, na ka ndjekur gjithë jetën. Shkruan një njeri, në këmbë e në dorë, plot mendjemadhësi e pseudodituri, duke thënë për një sportist ndër më të famshmit se nuk jeton më, kur ai jeton bukur e mirë e plot shëndet; dhe kur dikush e shkruan këtë në gazetë, ai përpëlitet e thotë: “Ma ka bërë filani, se më ka inat”.

Ndërkohë që ky filani nuk e pranon kurrsesi që atë ta ketë rival sa për ta pasur inat. Kështu, sepse siç thotë një fjalë e vjetër, edhe kundërshtarin duhet ta zgjedhësh, pra që ta kesh vërtet dinjitoz, jo picirruk. Mirë e kanë megjithatë, përderisa edhe mbas skandaleve kësisoji dramatike të pavërtetësisë së botuar, këtyre tipave, që nuk kanë kurajo të kërkojnë të falur, u jepen rregullisht deri dy faqe gazetë, të mbushura pikërisht me të pavërteta. Eh! Me sa duket, “kemi inat” edhe kur me dhimbje (po, po, me dhimbje) shkruajmë pa ia da se kampionati i Shqipërisë duhet të kthehet në jetën e tij normale të 14 skuadrave.

Mesjetë e vërtetë!… Dhe kështu, më duhet të rikujtoj se ka rënë Partizani vetëm sepse u rendit i 9- ti i Shqipërisë. Ka rënë Skënderbeu vetëm se ishte i 9-ti i Shqipërisë. Ka rënë SK Tirana vetëm se u rendit e 9-ta e Shqipërisë. Ka rënë KS Elbasani vetëm se u rendit i 10-ti i Shqipërisë. Ka rënë Flamurtari vetëm se ishte në dhjetëshen e skuadrave më të mira të Shqipërisë. Ka rënë Besa e Kavajës vetëm sepse u rendit e 9-ta e Shqipërisë! Pesë vjet ka Elbasani që ndodhet jashtë kampionatit të Shqipërisë! Gjashtë vjet ka Besa e Kavajës jashtë kampionatit të Shqipërisë!

Shtatë vjet ka Tomori i Beratit jashtë kampionatit të Shqipërisë! Janë harruar!… Dhe çqytetarizmi i kampionatit të Shqipërisë nuk ndalet!… E pra, nëse do të kishim pasur kampionatin tradicional të Shqipërisë me 14 skuadra, me ndonjë përjashtim apo rastësi, kurrë këto skuadra tona të famshme, kampione e fituese kupash të paharrueshme, që kanë formuar plejadat më të shquara të futbollistëve shqiptarë, nuk do të kishin rënë. Mirëpo, le të bien, sepse “edhe Juventusi ka rënë!” “Mamma mia!”, siç do të mund të thoshte për këtë krahasim të çmendur eksperti më i zakonshëm italian i futbollit në Europë, i cili Kategorinë e Dytë të Shqipërisë nuk e krahason as me Serinë D të Italisë.

Habitem se si mund të rrinë të qetë në Federatën Shqiptare të Futbollit njerëz, të cilët sot kanë njëkohësisht në Kategorinë e Dytë të mjerë për kah niveli, skuadra të tilla emblema të futbollit qytetar shqiptar, si Dinamo e Tiranës, KS Elbasani i Elbasanit, Besa e Kavajës, Tomori i Beratit! Merret me mend. Këta njerëz nuk e dinë se çka ka qenë një ndeshje kampionati në Elbasan, se çka ka qenë një ndeshje kampionati në Kavajë e Berat. Dhe jo vetëm që nuk e dinë, por duket qartë se as që duan ta dinë.

Të shtunën Shkodra “e re” (Sherri 21 vjeç, Shehi 22, Marku 23, Gurishta 23, Krymi 23 e më tej Lekaj 19, Zogaj 22, Pusi 21, Repaj 19 vjeç) i dha jetë kampionatit me ndeshjen e saj me Partizanin. Ajo humbi 3-1, por në thelb ajo ka fituar thellë, sepse u blatoi qytetarëve të saj një të shtunë çlodhëse, larg shqetësimeve e jetës së vështirë që ata po kalojnë. Në të vërtetë, ajo u tregoi prishësve të pamëshirshëm se sa dëm i kanë bërë futbollit dhe kampionatit të Shqipërisë, duke shkurtuar skuadrat në vetëm 10 e duke çuar shpesh jashtë kampionatit Partizan e Dinamo, Shkodër e Tiranë, Vlorë e Korçë, Elbasan, Kavajë e Berat; pse jo, edhe Fier e Lushnjë! Kur gjysmën e të cilave, madje, i kanë ende jashtë kampionatit.

Dhe “a e dini se” (rubrikë amatore e gazetarisë së dikurshme kjo) që këta sundues kanë vendosur që edhe skuadrës që do të zërë vendin e 8-të në kampionat, do t’i krijohet mundësia “fatlume” për të rënë? Duke u bërë kështu Shqipëria vendi i vetëm në Europë që përjashton nga kampionati 30 për qind të skuadrave të saj, të qyteteve të saj. Merret me mend se përveç Luftëtarit të Gjirokastrës dhe Flamurtarit të Vlorës që po bëhen gati, duan të nxjerrin jashtë edhe një skuadër të tretë më tepër!

Çka, ndoshta prapë mund të jetë një Shkodër a s’di se kush. Mos u çuditni! Kënaquni duke pa në TV, bie fjala, ndeshjen Sasuolo – Spal, që as italianët vetë nuk e shohin aq. Temë e bukur kjo për të rishikuar, doemos në rrugë shtetërore, se me çfarë absurditetesh ua mbushim ditët e pushimit shqiptarëve të varfër. Kjo është ajo që quhet “shpëlarje truri përmes prepotencës injorante të ekranit të vogël”, çka aq bukur e ka shtjelluar Karl Popper në studimet e tij të famshme.

E pra: Çka duhet bërë me kampionatin e Shqipërisë? Ndoshta mënyra më efikase do të ishte që një herë, pra një herë të vetme, atë ta merrte ndër duar shteti, qeveria, ministria përkatëse, ngaqë ai nuk është i Federatës Shqiptare të Futbollit, e cila mund të bëjë kokrrën e qejfit duke lënë jashtë tij qytete kryesore të futbollit kombëtar, duke marrë vendime për boshatisjen e stadiumeve, duke afruar sa më pak djem të kampionatit të Shqipërisë për ekipet kombëtare të saj, të të gjitha rangjeve. Shkoni te listat, që të mahniteni! Nuk e kemi fjalën që të cenohet pavarësia e FSHF-së, por kur pavarësia e saj kalon në superpavarësi që denatyron, atëherë kudo e merr fjalën shteti, qeveria, ministria, të cilët ka kohë tashmâ që assesi nuk duan ta marrin këtë fjalë.

E, edhe pse “me që fjala, fjalën nuk e mund”, siç thotë Fishta, prapë shkurt të vjen të pyesësh: Ku është Liga Kombëtare e Futbollit, që nuk po ndihet? Ku i ka zyrat? Ku i ka njerëzit? Ku i ka sektorët e saj? Ku e ka qoftë dhe pseudopresidentin e saj? Ku e ka statutin e saj? Ku e ka veprimin e saj? Nëse ekziston, çka ka që nuk e merr ajo drejtimin e kampionatit Shqipërisë, siç veprojnë të gjitha shtetet e Europës?… Mirëpo, me sa duket, të gjitha këto janë pyetje të pavlera, sepse kjo ligë nuk ekziston dhe s’ka pse të ekzistojë kur qenka “formuar” me vetëm 9 kryetarë klubesh në një mbledhje të ngushtë zyre. Në vend që të organizohej përmes një referendumi, një plebishiti, një pjesëmarrje të të gjithë skuadrave e klubeve të qyteteve të Shqipërisë. Shkoni e studioni sadopak dhe do të shihni që kështu janë themeluar ligat kombëtare të futbollit në shtetet më futbollistike të Europës.

Ata të cilët prej dekadash ua kanë “rrëmbyer” kampionatet e tyre kombëtare federatave të tyre të futbollit dhe i drejtojnë në pavarësi të plotë këto kampionate. Në Shqipëri, duket që shteti, qeveria, ministria ka frikë se duke ndërhyrë po ia cenon lirinë FSHF-së, edhe pse kjo nuk mund ta ketë dhe nuk e ka pronë të saj kampionatin e Shqipërisë. Ngaqë ai është pronë e madhe sportive dhe shpirtërore e popullit shqiptar, pronë e atyre 7000 spektatorëve shkodranë dhe e të gjithë sivëllezërve të tyre në Atdhe. Ndeshja e Shkodrës sa qe një gëzim, po aq qe një demaskim i kësaj mënyre organizative të kampionatit të Shqipërisë që në gjithë këto vite e ka varfëruar tejet atë.

Në fund të fundit, ka cenuar pikërisht qytetarinë e saj. Vllaznia – Partizani qe shembull kuptimplotë i kësaj qytetarie, duke treguar se reformimi i kampionatit të Shqipërisë tashmâ është një urgjencë. Urgjenca e parë është vendimi po urgjent i shtimit të numrit të skuadrave në 14 qysh stinën e ardhshme, atë 2020-21. Natyrisht së bashku me riorganizimin e dy kampionateve të kategorive më poshtë, siç edhe është thënë. Dhe menjëherë rithemelimi i Ligës Kombëtare të Futbollit. Qysh stinën e ardhshme, pra. Përralla e vjetruar se duhet një vit apo dy vjet përpara, janë djallëzore dhe vonesa nuk shkon me progresin, me ndryshimet me vlerë që nuk presin.

Mirëpo, për fat të keq, u pa, që këto ndryshime nuk mund t’i bëjë më Federata Shqiptare e Futbollit. I bën vetëm një forcë largpamëse qeverisëse. Ndryshe kemi të drejtë të mendojmë se dikush nuk është i interesuar të mbushë stadiumet tona, çka do të thotë se ky popull meriton të lihet në dëshpërim e mërzi, duke i kaluar të dielat e të shtunat vetëm pranë TV-së për të “shijuar” si një skllav televiziv deri dhe ndeshjet më mediokre të shteteve të tjera, jo të vetat. Kjo nuk do të ishte diçka tjetër, përveçse një lloj shkombëtarizimi “sui generis”, një lloj braktisjeje e pamëshirshme e vlerave kombëtare në këtë fushë.

Qytetet tradicionale themeluese të futbollit shqiptar kërkojnë të rikthehen në familjen e madhe të tyre. Tash për tash, një pjesë esenciale e tyre janë pjesë e familjes më të vogël të futbollit shqiptar. Madje, me frikën se në këtë “vogëlsi” mund të mbërrijë përsëri edhe Flamurtari ynë i famshëm i Vlorës apo dhe Luftëtari i mirënjohur i Gjirokastrës. E me ta edhe një qytet i tretë. Kjo do të ishte prova tjetër e madhe e thellimit të denatyrimit të veprimtarisë më popullore sportive, po edhe shpirtërore e shqiptarëve, që është Kampionati Kombëtar i Republikës së Shqipërisë, i cili thërret: “Më jepni vendin dhe rolin që më takon tash 90 vjet!”

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 



www.minuta90.com