Cilët janë kampionët e Shqipërisë 2020 në volejboll e basketboll?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2020 | 16:02

Cilët janë kampionët e Shqipërisë 2020 në volejboll e basketboll?

BESNIK DIZDARI

Besnik-Dizdari

Diçka kam lexuar. Diçka kam dëgjuar. Po që të besoj se dikush në Atdhenë tonë guxon dhe nuk shpall kampionët kombëtarë për vitin 2020 në dy prej sporteve më popullore të Shqipërisë, siç janë basketbolli e volejbolli, këtë ende nuk arrij ta besoj. Mund të jetë lojë fjalësh, mendimesh, gjykimesh e paragjykimesh, nxitimesh a s’di se çka, por të guxosh e të thuash se sivjet nuk do të shpallim kampionë, kjo është vërtet e papranueshme, madje ireale. Aq më tepër kur dihet se ndeshjet e këtyre kampionateve pothuajse kanë përfunduar. Dhe interesant vërtet! Erzeni në volejboll merr pjesë në Kupën e Kampioneve të Europës dhe nuk qenka kampione e Shqipërisë! Si mund të pranohet kjo? Por ndoshta e kam gabim dhe FSHV e njeh atë si kampione. Kështu qoftë! Ndërkaq, “interesantja” vazhdon edhe më tej. Siç njoftohet gati përditë, po mendohet e punohet për fillimin e kampionateve të stinës së re, kësaj 2020-2021. Bukur! Pra, do të luhet basketboll e volejboll.

Po përse nuk luhen edhe javët e fundit të kampionateve 2019-‘20 për të shpallë kampionët? Në fund të fundit, çka dreqin ke që nxiton, kur dihet se viti 2020 ka edhe tre muaj për të përfunduar?… Format për të shpallë kampionët janë të pafund. Me ndeshje me sistem grumbullimi midis 3 a 4 skuadrave kryesuese pak javë a ditë para se të fillojë kampionati i ri, mund të jetë një formë. Po në fund të fundit, nëse të është mbushë mendja mos me luejtë më për kampionatin 2019-‘20, merret me mend se në bazë të renditjes mund të shpallësh kampione skuadrat kryesuese dhe kaq. Për fat, nuk kam njohur se çka ka ndodhur me kampionatet e volejbollit a të basketbollit në vendet e tjera. Mundet që ndonjë shtet me kryefortësi, ka vepruar si Shqipëria, duke mos shpallë kampionët. Mirëpo, kam përpara shembuj nga futbolli. Kështu, Belgjika e ndërpreu kampionatin e saj të futbollit, madje pa u zhvilluar faza e dytë, e megjithatë shpalli kampione Club Brugge-n, skuadër që kryesonte deri në atë çast..

vollejboll

Po kështu Bosnjë-Hercegovina me kampionen Sarajevo. Franca është edhe më origjinale. E mbylli kampionatin 10 javë pa mbaruar dhe bëri një vendosje të re, duke i renditur skuadrat simbas mesatares së pikëve të fituara për ndeshje. Kështu veproi edhe Uellsi, Irlanda e Veriut dhe Skocia. Edhe dy fqinjët tanë, Maqedonia e Veriut e Mali i Zi, gjithashtu pa përfunduar kampionati, shpallën kampionë Vardarin dhe Buduçnostin. Edhe Malta ndërpreu kampionatin, por shpalli kampione Fllorina-n kryesuese. Ashtu si dhe Norvegjia me Molde-n kryesuese deri në atë çast. Mënyrat janë të pafund, megjithatë. Kampionatet shqiptare të basketbollit dhe të volejbollit thuajse kanë përfunduar. Kampionet duhet të shpallen. Mbi të gjitha duhet të shpallen për hir të historisë. E bashkë me këtë edhe për të respektuar mundin dhe djersën e atyre skuadrave apo sportistëve që në çastin e ndërprerjes u gjendën në krye të këtyre kampionateve. Këto kampionate i përkasin Shqipërisë, më saktë, ato i përkasin historisë së Shqipërisë. Janë luajtur për muaj të tanë dhe në mënyrë a cilësi qoftë dhe modeste, kanë prodhuar ngjarje të bukura dhe janë përshkruar a fiksuar në shtyp apo radio-TV.

Ata kanë ekzistuar, kanë jetuar. Dhe askush nuk ka të drejtë të marrë vendime për mosnjohje. Sepse, nqoftë se ti nuk njeh kampionet, kjo do të thotë se nuk njeh zhvillimin e kampionateve që janë zhvilluar, pra, qoftë edhe me ndeshje mangut në epilogun e tyre. Koha do të dënojë për këtë. Ndoshta, kjo çështje duke e pa me një të rënë të lapsit, duket si punë e mbaruar. Unë them se ende kjo punë nuk mund të ketë mbaruar. Forcat përparimtare të basketbollit dhe të volejbollit, qoftë brenda apo jashtë federatave përkatëse, nuk do të mund të pajtohen me këto vendime. Unë për vete ende nuk e besoj që këto katër kampionate të basketbollit e të volejbollit nuk do të shpallin kampionët e Shqipërisë. Historia na kujton, ndërkaq, se qysh nga viti 1946, me përjashtim të një edicioni të vetëm të viteve ’60, kur u ndërrua ecuria e këtyre kampionateve në versionin vjeshtë – pranverë, asnjëherë nuk kanë munguar kampionët e këtyre sporteve. Kësisoj, ato nuk mund t’i mungojnë as vitit 2020, sado “fatal” që mund të ketë qenë “ndërhyrja” e një “COVID”-i.

Ndoshta e dini se deri e pakta në 1943, edhe pse nën krismat e tmerrshme të Luftës së Dytë Botërore, bie fjala, Gjermania, Belgjika, Çekosllovakia apo Italia (dhe jo vetëm këto) kanë zhvilluar kampionatet e tyre të futbollit dhe kanë shpallë kampionët kombëtarë. Madje, siç më tregonte i paharrueshmi Loro Boriçi, asokohe i Lazio-s së Romës, “kur jipej alarmi ajror ne vraponim në strehime, e mbas pak dilnim e vazhdonim ndeshjen…”. Kaq deshta të them. Dhe nëse gjërat lihen kështu si deri tash, megjithatë, unë për vete në arkivin tim që e kam tejet të pasur, do të shënoj si kampione të Shqipërisë për vitin 2020, Mirditën në volejboll për femra, Erzenin e Shijakut në volejboll për meshkuj, Teutën e Durrësit në basketboll për meshkuj dhe Flamurtarin e Vlorës në basketboll për femra. E di që arkivi im nuk ka fort rëndësi, por e di gjithashtu se etika apo nderi i një Arkivi të Historisë – ky me germa kapitale – ka fort rëndësi. Nuk di nëse këtë e kupton një qeveri apo një shtet, që çuditërisht hesht e bën indiferentin…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"