Braktisja e madhe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 8, 2019 | 15:10

Braktisja e madhe

BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

Sigurisht nuk duhet të shkruaj kaq shpesh. Mirëpo, problematika e vrullshme që shfaqet çdo ditë, arkivi im i tejmbushur, sidomos në thuajse 60 vjet gazetari të përditshme, shqetësimet kombëtare të ngulitura edhe prej atdhetarisë mëkuar prej paraardhësve, çka vjen edhe përmes sportit, mbi të gjitha situata e tashme e kampionatit kombëtar të Shqipërisë gjithnjë e më fort në rënie, vetvetiu të detyron.

Këtë editorial e quajta “Braktisja e madhe”. Mirëfilli ky nuk është një titull i ri. Kështu lakonik, megjithatë, ai mund të konsiderohet i ri. Nxitja më erdhi prej një lajmi disi krejt të shkurtër, disi kronikal (e për mua do të duhej të kishte qenë sundues i faqes së parë), botuar në numrin e djeshëm të “Panorama Sport”. E edhe pse ashtu, krejt i shkurtër, ai ishte sa i vërtetë, po aq me plot të drejtë edhe i pamëshirshëm. “Goleadë në 4 stadiume për vetëm… 1200 tifozë”.

lushnje kukesi

Ky ishte titulli. Dhe më tej: “…Ballshi 800 tifozë, në Laç ishin 250, në Vlorë 100 dhe në Lushnjë vetëm 50”. Kaq mjafton për ta titulluar “Braktisja e madhe”. Madje mund ta titullosh edhe: “Turp!” Po interesantja është se e gjitha kjo nuk i bën më përshtypje askujt. Nuk i bën përshtypje në radhë të parë Federatës Shqiptare të Futbollit. Se po t’i bënte përshtypje, që të nesërmen duhej të mblidhej urgjentisht, e të gjente “përse”-në. Nuk i bën përshtypje ministrisë përkatëse.

Nuk i bën përshtypje qeverisë shqiptare. Nuk i bën përshtypje shtetit shqiptar. Nuk u bën përshtypje televizioneve shqiptare që thuajse në të gjitha emisionet e tyre për futbollin anojnë nga Federata Shqiptare e Futbollit. Nuk i bën përshtypje pjesës dërrmuese të shtypit të shkruar shqiptar, që për futbollin do t’ia dijë vetëm kur luan Kombëtarja. Me sa kuptohet, këtë e kanë thjesht për të konsumuar në faqet e tyre “krenarinë”. Me gjasë atë kombëtare. Ndonëse për absurditet, gati çdo ditë, në faqet e tyre gjen informacione sidomos për Serie A të Italisë, ndonëse është shtet tjetër. Pra, që nuk ka të bëjë aspak me shpirtin “kombëtar”.

kukesi luftetari

Java e 9-të e kampionatit duket qartë që vendosi një rekord europian të braktisjes së kampionatit të futbollit të një shteti. Kampionati kombëtar i futbollit në Shqipëri, që është sporti më tradicional në vend, ka dështuar. Ai është braktisur. Dhe kuptohet që është braktisur edhe për shkak të organizimit krejt të papërshtatshëm të tij. (Për nivelin e tij mund të shkruajmë një herë tjetër). Fajtorët duhet t’i gjejmë te katër instancat apo institucionet e sipërpërmendura, që janë sportive, qeverisëse, publike, kombëtare.

Ndërkaq, pyetjet që të lindin janë pambarim. Këtu po shtrojmë vetëm nja tri a katër prej tyre dhe jo më tepër. Atëherë:

Përse u zhvilluan ndeshje në orën 13.00? Përse Partizani – Skënderbeu u zhvillua në orën 15.00? A nuk janë ende në punë njerëzit? Sepse nuk ishte as e shtunë e as e diel, apo jo?

Këto pyetje kërkojnë përgjigje të shpejtë dhe “dënim” për fajtorët. Një “overdozë” futbollistike ndërkombëtare në TV ka pushtuar keqas Shqipërinë. Deri edhe e tipit Sasuolo – Inter po të shtetit tjetër. Madje e ritransmetuar dje deri në mërzi. Edhe pse kësisoj ndeshjesh nuk përbëjnë aspak vlera të veçanta.

bylis tirana

Ka ardhur koha që të shtrohet e rreptë pyetja: ky transmetim gjigant, i mbidozuar i ndeshjeve ndërkombëtare, pra të shteteve të tjera deri në këtë skajshmëri të papame, a vërtet i ka shërbyer informacionit të mirë, kulturës së vërtetë të futbollit? Se asaj sportive, shihet qartë që assesi. Madje, a i shërben edhe kulturës në tanësinë dhe universalizimin e edukimit të rinisë së një kombi?

Mbushja e ekranit me ndeshje të shumta futbollistike, krejt të rëndomta të kampionateve, qoftë dhe të shteteve të Europës Perëndimore, shpesh është si rrjedhja e një uji, që nuk zbret nga pastërtina alpesh, por nga magazina tregtare apo të biznesit të fryrë deri në skaj. Them se është reformuar e gjitha. Ashtu siç duhet të ndalet ritmika artificiale e telekronistëve, që thërrasin në kupë të qiellit në eufori krejt të papranueshme nga dhoma ku transmetojnë dhe për çudi i ulin tejet këto tone “të rrufeshme” kur transmetojnë ndeshjet e Shqipërisë. Natyrisht, ngaqë për to, këto ndeshje, vetë kampionati shqiptar, iu përkasin me sa duket, një kategorie të ulët… Në fund të fundit, të parëndësishme. E mandej, doemos, vetëm 1200 shikues për katër ndeshje…

laci teuta

Krejt kjo dukuri, që më shumë është një modë artificiale se një zhvillim gazetarie e mirëfilltë, sa përbën një absurd, po aq nxit për një rishikim urgjent edhe të politikës së shitjes deri dhe të të drejtës së ndeshjeve për transmetim të kampionatit të Shqipërisë.

Mendoj se nuk gaboj kur shtoj se televizioni publik shqiptar, ai që njihet si “RTSH”, për politikën institucionale kombëtare publike që me ligj ai bart, duhet t’i vijë pak rëndë që prej vitesh nuk është i zoti t’i blejë ai ndeshjet e kampionatit të Shqipërisë për t’ua dhënë ato falas paguesve të tij, shqiptarëve. Pse jo, edhe që të bëhet interpret që edhe ndeshjet e Kombëtares të mos transmetohen njëkohësisht edhe prej dikujt tjetër për më tepër me pagesë. Merret me mend, që fajtor nuk mund të jetë vetëm ai, por dhe FSHF – sigurisht nëse kjo ka lidhje të mbidheshme apo të nëndheshme me televizionin me pagesë. E po kaq fajtorët duhet t’i gjejmë edhe te qeverisja sportive, kulturore, publike në tanësi.

Ndryshe faktet vijnë e bëhen tejet të rrezikshme për vetë përhapjen dhe zhvillimin e futbollit shqiptar. Shqipëria televizive apo mediatike, federaliste apo qeverisëse, quaje si të duash, është pushtuar prej një pasioni të sëmurë për të “propaganduar” me përparësi ndeshjet e shteteve të tjera dhe për të punuar po kështu për braktisjen e kampionatit të saj kombëtar të futbollit deri sa s’ka ku shkon më. Apo thjesht deri me vetëm 1200 spektatorë për katër ndeshje. Duke vendosur pa drojë rekordin europian të fajësisë. Fajësi që ia vlen ta dënosh. Si do të mund të ishte dënimi?

E para. Kampionati t’i hiqet prej duarve Federatës Shqiptare të Futbollit, e cila me shkurtimet e saj historike ka lënë jashtë gati gjysmën e qyteteve më tradicionalë të futbollit kombëtar, madje duke u bërë gati për të përjashtuar edhe nja dy të tjerë. Mandej si në gjithë Europën, kampionati t’i dorëzohet Ligës Kombëtare të Futbollit. Federatës i dalin dhe i teprojnë ekipet kombëtare të Republikës së Shqipërisë. Sigurisht mbasi Liga të themelohet. Një Ligë e përbërë jo prej qerthullit të njerëzve të sotëm të nënshtruar të FSHF-së të cilët nuk bëzajnë. Dhe merreni me mend: president i pseudoligës pa i bërë tërr syri askujt, vunë nënpresidentin e FSHF-së.

E dyta. Transmetimin e kampionatit kombëtar do të ishte mirë ta marrë (ta blejë, natyrisht) “Radiotelevizioni Publik Shqiptar” (RTSH). Ai i cili tashmâ, me aq shumë kanale që ka, zotëron plotësisht mundësitë shumëtransmetuese. Kështu, në mënyrë që këtë kampionat shqiptarët ta ndjekin pa pagesë edhe përmes TV-së. Ta shohin të gjithë. Pse jo, qoftë edhe për t’ia njohur më në vazhdimësi të metat, nivelin, organizimin apo çorganizimin e tij. E përveçse ta shijojnë pjesën e ndershme të garës së tij, nga ana tjetër, të revoltohen e të kërkojnë ndryshimet për atë tjetrën, pjesën që mund të mos jetë aq e ndershme e tij. Sot për sot, lufta kundër “braktisjes së madhe” këtë kërkon. Mënyrat e tjera mund të vijnë kur të vijnë stadet e tjera të zhvillimit të futbollit të brendshëm shqiptar, që është aq larg me organizimet e stilit europian në strukturë, në financa, në menaxhim, në përhapje, në popullarizim.

Zhvillimi i ndeshjes Partizani – Skënderbeu në orën 15:00, edhe në këtë rast të një dite pune, siç kuptohet, siç mund të merrte me mend, thjesht për hir të transmetimit komercializues të ndeshjeve ndërkombëtare të mbas disa orëve, është po aq shpirtvogël dhe i shërbeu bukur e mirë “braktisjes së madhe”. U pa edhe në këtë ndeshje parësore, se spektatorët nuk mbushën as një të katërtën e kapacitetit të stadiumit. Një grup i vogël, madje i mbështetësve të kampionëve, me gjithë përpjekjet, ashtu, jo i dendësuar siç ishte, nuk mundi të ndizte aspak një atmosferë të fuqishme, ndonëse rezultati qe i bukur për skuadrën e tyre që mori edhe kryesimin e kampionatit. Qofsha i gabuar, por mendoj se Partizani – Skënderbeu, i orës së gabuar, 15:00, braktisëse prej publikut, është zgjedhur ngaqë pak më vonë, po televizioni transmetues i ndeshjeve të kampionatit të Shqipërisë, transmeton edhe ndeshjet e Ligës së Europës. Çka të bën të mendosh se ky televizion parësore nuk ka ndeshjet kombëtare, pra ato të atdheut e të kombit të tij (të dyja këto me germa kapitale), por ato ndërkombëtare, të jashtë garës e kufijve të Shqipërisë.

E treta. Luftë propagandës së njëanshme që ekzalton një palë dhe “shtyp” një palë tjetër. Është njëanshmëri e madhe që ndeshjes të quajtur në mënyrë pompoze si “derbi i kryeqytetit”, ajo SK Tirana – Partizani (e kemi shpjeguar një herë këtë) i bëhet një propagandë sidomos televizive, në dëm të ndeshjeve të tjera. Kur ky i ashtuquajtur “derbi” prej vitesh ka humbur fort nga rëndesa e tij. Imitimi kësisoj kopjuar prej derbit të vërtetë të shteteve paraprijëse të futbollit europian, është sa naiv, aq dhe mashtrues. Asnjë peshë të veçantë nuk ka sot ndeshja Partizani – SK Tirana në raport me të tjerat sa për ta sunduar kaq rreptë publiciteti i njëanshëm.

Për shembull, përveç orarit të papërshtatshëm, mos ishte edhe “heshtja” publicitare, ajo që ndeshja Partizani – Skënderbeu nuk mbushi as një të katërtën e stadiumit me spektatorë? Nuk po shkojmë ndërkohë, te fjalori pompoz i reklamës televizive për ndeshjen e kryeqytetit, që është për t’u marrë si një shembull për studim i pompozitetit të publicitetit, i pavërtetësisë së epiteteve e thirrjeve gjigante për një javë të tanë të një ekstaze çoroditëse. Si të ishte finalja e Kupës së Botës. Kur sot ajo nuk është asgjë tjetër përveçse një episod në tanësinë e episodeve që pasqyrojnë atë pra, “braktisjen e madhe”.

Dhe ndërkohë: si thirren, si tërhiqen spektatorët për ndeshjet e tjera? Zero! Dhe doemos vetëm 1200 spektatorë për katër ndeshje. E po varfëri e tërë edhe për Partizani–Skënderbeu 3-1, për Bylis–SK Tirana 3-0, për Flamurtari–Vllaznia 1-3, për KF Laçi–Teuta 3-0…

Shihni me vëmendje publicitetin dhe njëanshmërinë e trajnerëve – komentatorë (gjithnjë e më pak gazetarë), që nuk kanë tjetër në gojë veç “derbin” dhe “stërderbin” artificial, deri aty sa që gati “zhdukin” deri dhe emrat e vërtetë të tyre që janë Partizani e SK Tirana. Kështu vetëm në të mirë të përcaktimit “derbi”! Madje deri dhe si të vetmit e mundshëm që 27 javë para mbarimit, u parashikuakan si të mundshmit e vetëm për titull. Dhe o burra të shkarkohet Ardian Mema apo dhe të tjerë vetëm e vetëm se skuadra ka humbur dy ndeshje apo për çastin ngaqë ra në renditje, që po ndërron çdo javë. Ngaqë nuk durohet më. Çka do të thotë se nuk durohet që Bylis i Ballshit të guxojë të sfidojë kryesimin apo që Vllaznia, e cila ka një 11-she tjetër lojtarësh në skuadrat e tjera, të trajtohet si diçka krejt e përkohshme në fillimin e saj befasues, ndonëse me një mori problemesh…

Kampionati i Shqipërisë po rrezikon ndërkaq, të shkojë te një klientelizëm amatoresk falë trysnisë kryeqytetase që përveç të tjerëve i mëshon jo pak gazetaria e njëanshme me në krye televizionet. Çka po aq ka ndikuar jo pak në “braktisjen e madhe”.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"