“Armiqtë” e volejbollit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2018 | 19:32

“Armiqtë” e volejbollit

BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

Në Shqipëri “armiqtë” e volejbollit nuk janë pak. Përkundrazi. Ata sot gjenden kudo. Ata gjenden tek ata që nuk shkojnë me pa volejboll. Gjenden tek ata që janë caktuar të punojnë për sportin shqiptar andej e këndej, por të cilët as nuk duan t’ia dinë se dikur Shqipëria ka qenë një ndër forcat e volejbollit të Europës. “Armiqtë” e volejbollit gjenden sidomos në qeveri, e cila nuk do t’ia dijë për volejbollin. Ata gjenden në mënyrë të veçantë në Ministrinë e Arsimit dhe të Sporteve për çka nuk e dimë nëse në korridoret e saj pëshpëritet ndonjëherë sadopak për volejbollin. Në të vërtetë, ne nuk e dimë se sa vend zë volejbolli në sferën e përkujdesjes së saj për këtë sport, që përveç të tjerave, ka qenë sporti më i parë sidomos në shkollat shqiptare. Pra, përveçse olimpik, volejbolli është edhe një sport shkollor i edukimit fizik të nxënësve në tërësi.

Dukem i rreptë? Ndoshta. Mirëpo, kjo më vjen prej pyetjes që më lind vetvetiu: a e dinë “armiqtë” e volejbollit se javët e ditët e fundit, skuadra Kombëtare e Shqipërisë në volejboll për femra ka fituar 6 ndeshje ndaj katër shteteve: Estoni, Gjeorgji, Austri, Izrael? Janë të gjitha shtete më të përparuara se Shqipëria në të gjitha fushat e nivelit të jetës: qysh nga kultura e deri tek ekonomia dhe sidomos tek arsimi. Shqipëria ka fituar me këto shtete jo në ndeshje lokale, por në ndeshje europiane. Në atë që quhet “2018 Women’s European Voleyball League”, në shqip “Liga Europiane në Volejboll për Femra”.

Shqiperia volejboll

Nuk kam dëgjuar gjithë këto kohë, që një takim, garë, “duel” me Europën shoqërore, politike, ekonomike, artistike apo kulturore, Shqipëria të ketë triumfuar kësisoj ndaj katër shteteve. Volejbollistet “e panjohura” shqiptare kanë marrë, pra, plot 6 fitore dhe kanë pësuar vetëm 2 humbje, duke u renditur në vendin e tretë në Grupin B të saj, duke zhvilluar ndeshje tejet tërheqëse e me nivel. Mbi të gjitha, duke ringjallur një shpresë për një rimëkëmbje të këtij sporti deri para pak vitesh ndër më popullorët në Shqipëri, lartësuar deri në treshe apo katërshe të Europës me Dinamo-t tona të famshme të Vangjel Kojës e Kreshnik Tartarit, madje me Kombëtaren deri në Kampione të Mesdheut e të Ballkanit. Sigurisht janë harruar të gjitha. Ngaqë, Shqipëria vetëm harron. E, fatkeqësia më e madhe është kur ata që harrojnë janë shtetarët, ministrat, deputetët. Ata, të cilët populli i paguan pikërisht edhe për të mos harruar. Në të vërtetë, për të drejtuar e fuqizuar shtetin, kombin, kulturën, sportet…

Shqipëria e volejbollit të vajzave Prenga, Bici, Thaka, M. Tuci, Marina, Sijoni, Xheka, Fejzullai, Rexhepi, Picaku, E. Tuci, Dodani, Kushi apo Shehi me trajner Altin Martirin, ka fituar 3-0 me Estoninë, dy herë 3-0 me Gjeorgjinë, 3-2 me Austrinë, dy herë me Izraelin 3-1 e 3-0, duke u renditur e treta në Grupin e saj B.. Kjo është historia e re, befasuese e ndezjes së një shkëndije për përtëritjen e volejbollit shqiptar, që doemos nuk u ka bërë përshtypje assesi “armiqve” të volejbollit. Nuk po merremi kësaj here me çka ka bërë volejbolli shqiptar në vite. Vetëm po rikujtojmë se qysh 63 vjet më parë, më 1955, Kombëtarja krejt e panjohur e Shqipërisë e meshkujve befasoi kontinentin, duke u renditur në 10 shtetet më të mirë të Kampionatit Europian të Bukureshtit për meshkuj: Shqipëria – Finlanda 3-1, Shqipëria – Egjipti 3-0, Shqipëria – Austria 3-0, Shqipëria – Belgjika 3-2 dhe drama Italia – Shqipëria 3-2! Ka qenë Shqipëria e kapitenit legjendar për ne, Petrit Murzaku dhe shokëve të tij, Fatmir Meka, Napoleon Llala, Vangjel Koja, Jorgji e Andon Kona, Qemal Gjinali, Shevqet Kau dhe Egon Gjadri. Me rastin unikal të stërvitur e drejtuar prej një trajnereje femër: sovjetikja Zoja Korjak, por dhe atë rumune, Nikola Terkila. Këtu ka nisur jetën volejbolli europian i Shqipërisë, që nga meshkujt kaloi te femrat për t’u ngjitur në majat e nivelit modern të këtij sporti.

Mandej, gjithë këto vite gati për t’u shuar prej “armiqve” të volejbollit dhe po papritmas këto ditë për të dhënë shenjën e rimëkëmbjes. Volejbolli shqiptar po aq befas ndodhet përpara një pengese të madhe që janë “armiqtë” e tij, mospërfillësit, ministra e deputetë, parlamentarë e punonjës “sportivë” të Ministrisë përkatëse, të cilët sapo mund të vërshojnë në emisionet televizive për Kupën e Botës në futboll, me të cilën nuk kanë asnjë lidhje a vokacion, asnjë detyrim përveç etjes së shfrenuar për t’u dukur, për të shitur dituri të dyshimta rreth Kupës së Botës, për t’u vetëreklamuar. Në një kohë që vetëreklamohen gjatë gjithë vitit, madje orë e çast, qysh prej krerëve qeveritarë e deri te ministrat, qysh prej deputetëve e deri te kryetarët bashkiakë, duke mos ndikuar assesi për të zgjidhur jo punët e futbollit botëror, por para së gjithash problemet e mëdha që ky popull ka.

Europa e Kupës së Botës në futboll po çuditet se si është e mundur që një shtet i vogël si Shqipëria, brenda një nate ka plot 7 emisione televizive kopje të njëri-tjetrit për Kupën e Botës, ndonëse nuk e ka atje Kombëtaren e saj! Se si ka mundësi që menjëherë mbas një arritjeje europiane të një sporti të saj, që në këtë rast është volejbolli i femrave, ajo hesht në mënyrë shembullore (emblematike)! Ishte vërtet interesante të dielën në mbrëmje kur emisioni më i rëndësishëm i Italisë fqinje, “La Domenica Sportiva” e RAI-t, nuk denjoi të merrej assesi me Kampionatin Botëror të futbollit. Natyrisht, edhe ngaqë ekskluzivitetin për këtë Kampionat e ka eminenti televiziv, Mediaset. Dhe RAI u mor me ngjarjet sportive të shtetit që përfaqëson.

Ndërsa, Shqipëria merret në 7 emisione të plot 7 kanaleve, njëri më i panevojshëm se tjetri, me Kupën e Botës “RUSSIA 2018”! Doemos me pamjen folkloristike të “analistëve”, “komentatorëve” që në Shqipëri u gjendkan më fort se askund tjetër, sidomos tek ata, të cilët nuk kanë të bëjnë aspak me Kupën e Botës apo me sportin e futbollit. Ndërkaq, po presim me padurim që midis këtyre shtatë televizioneve t’i vijë radha edhe kreut të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve me shpresë se një gazetar i mençëm do ta pyesë: “Si ju duket Kombëtarja e volejbollit të femrave zonja ministre”?

Këtu po e mbyll. Natyrisht, duke ju kujtuar se autori i këtij shkrimi, i cili ka botuar në shqip katër libra për historinë e Kampionateve Botërore të futbollit, nuk është kundër pasqyrimit dhe jehonës së një “RUSSIA 2018”. Ai është kundër “mbidozës” që thuajse po ia ndal jetën tjetër shtetasve të Republikës së Shqipërisë. E në kahun sportiv, kjo “mbidozë” (“overdozë” siç e ka përcaktuar një gazetar i madh i huaj) po lë të sundojnë “armiqtë” e volejbollit, po të Republikës së Shqipërisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"