Apolonia-KS Elbasani 7-0! Kujt duhet t’i vijë turp…?

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Dhjetor 12, 2019 | 23:40

FB Speciale Të fundit

Apolonia-KS Elbasani 7-0! Kujt duhet t’i vijë turp…?

BESNIK DIZDARI

Besnik-Dizdari

Ky është rezultati më i fundit his torik që mbërriti këtë javë prej ka mpionateve të Shqipërisë. Apolonia e Fierit, e cila nuk bën pjesë në 14 skuadrat e podiumit të Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë, ka fituar 7-0 me skuadrën e qytetit të Elbasanit, e cila, në këtë podium të 90 vjetëve kampionat në Shqipëri, renditet e 6-ta.

Ky podium “olimpik” gati shekullor, ku hyjnë 14 skuadra – madje 15, sepse unë përfshij midis tyre edhe Prizrenin, i renditur i treti në Kampionatin Mbarëkombëtar të vitit 1942 – është e drejtë e skuadrave të cilat në të gjitha kampionatet kombëtare kanë arritur një nga tri vendet e para, qoftë edhe një herë të vetme.

7-0 i Elbasanit kaloi në Shqipëri sikur nuk ka ndodhë. Ajo që kishte ndodhë para saj ishte fitorja 3-1 e Lazio të Romës – skuadër e një shteti tjetër, që është Italia – ndaj Juventusit të Torinos, ndeshje që me përjashtim të protagonistit të saj Thomas Strakosha, veç me Shqipërinë nuk ka të bëjë aspak. Ndërkaq, u pa që nuk shqetësoi askend katastrofa e skuadrës së Elbasanit, deri më sot 2 herë kampion i Shqipërisë, 1 herë nënkampion dhe 1 herë tjetër i vendit të tretë.

Apolonia Elbasani

Tash, pa pikë mëshire, më vjen të thërras fort: A nuk ju vjen pak turp? Për një çast logjika të thotë se turp duhet t’i vijë vetëm qytetit të Elbasanit, bashkisë së tij, familjes futbollistike të këtij qyteti të vjetër të një kulture të hershme po qytetare, madje për krejt Shqipërinë, i cili i ka dhënë aq fort edhe sportit kombëtar, që nga futbolli e deri te volejbolli. Mirëpo, ja që për çudi, unë më pak fajtor se askënd bëj qytetin e Elbasanit.

Si fajtor kryesor, të cilit i takon ta ndiejë fort këte turp, vendos Federatën Shqiptare të Futbollit dhe bashkë me të qeverinë shqiptare, ministrinë përkatëse, Komitetin Olimpik Shqiptar. Dhe turpi që, për çudi, nuk mbaron këtu. Shihni tash dy renditjet e kësaj jave të dy kampionateve të Kategorisë së 2-të (po, po e 2-të):

Grupi A – Java 10

  1. KASTRIOTI / Krujë 24 7 3 0 14-4
  2. KORABI / Peshkopi 16 5 1 4 11-10
  3. BESËLIDHJA / Lezhë 18 5 3 2 15-9
  4. ERZENI / Shijak 17 5 2 3 13-5
  5. EGNATIA / Rrogozhinë 12 3 3 4 12-11
  6. KF BURRELI / Burrel 14 4 2 4 9-11
  7. VELEÇIKU / Koplik 11 3 2 5 7-13
  8. TËRBUNI / Pukë 10 2 4 4 8-11
  9. SHKUMBINI / Peqin 10 2 4 4 9-11
  10. DINAMO / Tiranë 5 1 2 7 4-19

Grupi B Java 10

  1. KF POGRADECI / Pogradec 22 7 1 2 17-11
  2. KS LUSHNJA / Lushnjë 19 6 1 3 19-12
  3. APOLONIA / Fier 20 6 2 2 20-7
  4. KF DEVOLLI / Devoll 13 4 1 5 14-15
  5. ORIKU / Orikum 12 3 3 4 7-11
  6. BESA / Kavajë 14 4 2 4 17-14
  7. ILIRIA / Fushë-Krujë 14 4 2 4 11-12
  8. TURBINA / Pukë 10 3 1 6 8-13
  9. KF SHËNKOLLI / Shënkoll 9 1 6 3 9-14
  10. KS ELBASANI / Elbasan 7 2 1 7 8-17

 

E shihni që – të radhitura me germa në “bold” (të errëta) – në të dyja grupet, vendet e fundit me nga 5 e 7 pikë, i zënë dy ndër skuadrat më të shquara të 90 vjetëve të kampionateve të Shqipërisë: Dinamo 18 herë kampione dhe KS Elbasani 2 herë kampion! Kësisoji, ndonëse, për rastin, emblema është 7-0 i Elbasanit, kjo renditje e këtyre grupeve them se është edhe më emblematike (shembullore), çka tregojnë se janë bërë gati të zbresin në Kategorinë e 3-të (po, po e 3-të) kampionet tona të shquara KS Elbasani e Dinamo. Dinamo, pra, ajo për të cilën një ekran televiziv “që i merrka vesht të gjitha” guxoi e tha “se shpejt do t’ia dëgjoni zërin deri te titulli kësaj apo asaj Dinamoje”.

Elbasani

Kështu është kur në shpërdorim lirie shtypi, ia merr zoti mendtë edhe mjetit më të parë të informacionit publik të sotëm, që për fat të keq apo të mirë, qenka televizioni…! E pra, kështu mendoni se do ta zhvilloni futbollin e kampionateve kombëtare të Shqipërisë, duke humbur 7-0 Elbasani me Fierin? Duke u renditur të fundit e Kategorisë së 2-të, Dinamo me 5 pikë e Elbasani me 7 pikë? Dhe duke u marrë me tituj kubikë ekranesh televizive se trajneri Reja do të vazhdojë të jetë trajner i Kombëtares? Se Lazio e Romës së Italisë paska fituar 3-1 me Juventusin e Torinos po e Italisë, pra e një shteti tjetër? Se në Shqipëri po lulëzojnë komentatorët e kampionatit të Italisë, të Gjermanisë e Spanjës dhe jo telekomentatorët analistë të problematikës së kampionateve të Shqipërisë?

Dhe besoj se e dini se ka televizione kombëtare shqiptare, që rubrikën e lajmeve kryesore të ditës e mbyllin duke dhënë njoftime vetëm për kampionatin e Italisë! Kujtojnë se na ka pushtuar Italia dhe se kemi mbret Viktor Emanuelin e Tretë… Ndonëse themeluesi ynë, Anton Mazrreku, asokohe të pushtimit Italian, shkruante vetëm dy kolona të ngushta të faqes së gazetës për kampionatin e Italisë – kampione e botës në fuqi, e edhe këtu duke u përqendruar te shqiptarët Lushta i Juventusit e Kryeziu i Romës.

DINAMO

Ndërsa shkruante dyfishin, plot 4 kolona, për kampionatet e gjimnazeve e të shkollave shqiptare. Përsëris për të kushedisatën herë: Ai popull që më shumë merret me problemet e shteteve të huaja, dhe jo të tij, nuk përparon. Dhe le të vazhdojmë. Mbërrijmë kështu te KS Elbasani, Dinamo, Besa e Kavajës – tri shtylla tradicionale qytetëse të ndërtesës historike të Kampionatit të Shqipërisë, e bashkë me to edhe Tomori i Beratit, sot në Kategorinë e 3-të, të cilët në thelb nuk kanë faj që janë në mjerim. Fajin e ka organizimi krejt i papranueshëm i Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë, madje i gjithë Kampionateve të Shqipërisë, që prej vitesh tashmâ, nuk u lë skuadrave të marrin frymë, të riorganizohen, të përtërihen, të forcohen me djem të farishteve të tyre të futbollit të qytetit. Dhe o burra në “merkaton e janarit”!

Po djemtë e skuadrave të të rinjve të qyteteve, ku do të shkojnë? Tjetër turp ky për sa kohë askush nuk e pengon FSHF-në të ndalë për disa vite këtë farë “merkatoje të janarit”, krejt artificiale, madje kundërkombëtare për hir të lojtarëve të tjerë jashtë ekipeve të të rinjve të qytetit tënd. Ky kampionat i Federatës Shqiptare të Futbollit me vetëm 10 skuadra, tri prej të cilave, pra 30 për qind e tyre si në asnjë vend të botës, u dashkan të bien në Kategorinë e 2-të, është shkatërrues. Unikale (e vetme) në Europë pra: që nga 10 skuadra 2 do të bien drejtpërdrejt dhe tjetra, ajo që zë vendin e 8-të, do të shkojë ta gjejë rënien apo mosrënien te ndeshja plotësuese me një të Kategorisë së 2-të! Mirëpo, siç është thënë edhe nga njerëz të cilëve u është besuar drejtimi i futbollit në Shqipëri, “edhe Juventusi ka rënë në Serinë B”, duke harruar se si ka rënë dhe se çfarë kampionati të nivelit të lartë që është Seria B e Italisë.

Ndonëse, me rënien e Juventusit, Shqipëria nuk ka të bëjë aspak. Shqipëria ka të bëjë me organizimin tashmâ krejt të papranueshëm të kampionateve të saj. Deri aty, saqë rënia nga kategoria është thuajse një fatkeqësi. Vështroni për një çast: Plot 5 vjet ka Elbasani që nuk arrin të rikthehet në Kampionatin Kombëtar! Plot 6 vjet ka Besa e Kavajës e plot 7 Tomori i Beratit që nuk arrijnë të rikthehen në Kampionatin Kombëtar! Ka plot 8 vjet Dinamo e Tiranës që nuk arrin të rikthehet në Kampionatin Kombëtar! Ndërkaq, nuk di a ju kujtohet se sa tërheqëse dhe e bukur ka qenë pjesëmarrja e dikurshme e Naftëtarit të Kuçovës e Besëlidhjes së Lezhës në Kampionatin Kombëtar.

Madje, edhe e skuadrës së Shkumbinit të Peqinit – 19 vjet rresht pjesë jo pak tërheqëse e Kampionatit Kombëtar. Mirëpo, Naftëtari ka 33 vjet dhe Besëlidhja 17 vjet që nuk luajnë në Kampionatin Kombëtar! Ndërkohë që ka bukur nja 7 vjet rresht që mungon edhe skuadra e Peqinit. I tillë, krejt i ulët është niveli i Kategorisë së 2-të, që veç shkatërron skuadra, madje edhe ato të qyteteve më tradicionale të futbollit dhe që nuk nxit asnjë përparim.

Vështroni edhe një herë renditjet e mësipërme të dy grupeve të Kategorisë së 2-të. Në një grup të vetëm janë skuadrat e katër qyteteve të rëndësishme të futbollit shqiptar: Besa e Kavajës, KS Elbasani, KS Lushnja dhe Apolonia e Fierit. Dhe vetëm njëra do të mund të ngjitet në Kampionatin e Parë Kombëtar. Kjo do të thotë se katër qyteteve me histori po qytetare të futbollit kombëtar, Elbasani, Kavaja, Fieri e Lushnja, do t’u duhet të presin radhazi e pakta tre-katër vite për të ëndërruar për t’u ngjitur në Kampionatin e Parë Kombëtar, të ashtuquajtur krejt jashtë traditës sonë “Superligë”, ndonëse nuk ka asgjë “super”.

safe_image

Më e pakta kjo do të thotë padije, indiferencë e dënueshme dhe vetëkënaqësi e pamatë në drejtimin e futbollit në Shqipëri. Është vërtet e çuditshme se si qeveria shqiptare dhe shteti shqiptar në gjithë këto vite nuk kanë thënë asnjë fjalë, nuk kanë bërë asnjë ndërhyrje për t’u dhënë shqiptarëve të qyteteve të mirënjohura gëzimin e duhur të përjavshëm të futbollit të vërtetë kombëtar. Pa dashur ata bëhen bashkautorë të lulëzimit të një mërzie të vetë jetës publike në fundjavat shqiptare. Stadiumet thuajse janë bosh…!

Ndërkaq, Federatës Shqiptare të Futbollit po i bëhen gati dy vjet që bën sikur ka themeluar Ligën Kombëtare të Futbollit. E pra, kjo ligë nuk ekziston. Është vërtet e çuditshme se si një zëvendëspresident i FSHF-së pranon të dalë në shtyp si president i kësaj lige inekzistente, teksa ajo nuk ka publikuar nëse ka zyra, staf, statut për të qenë ligë. Pa shkuar te ajo tjetra: që president i saj nuk mund të jetë zëvendëspresidenti i federatës përkatëse.

Kësisoji ajo nuk ka asnjë kompetencë për të ushtruar pushtetin e saj të drejtimit të pavarun e modern të kampionateve të Shqipërisë, siç e kanë të gjitha shtetet e Europës. Dhe është vërtet e çuditshme që gazetaria jonë shkon e interviston madje gjerësisht një “president lige” pa ligë. Dhe kështu, shtyj sa shtyj, kalo sa të kalosh, hidhu përpjetë për stadiumin e ri – natyrisht tejet modern, por me kullë qiellore e pa pistë atletike – dhe dreqi t’i marrë Elbasanin, Kavajën, Dinamon, Beratin, Fierin. Lushnjën…! Ju duken pak…? Sa vjet kam që argumentoj se urgjentisht Shqipërisë, tash për tash, për t’u mundësuar qyteteve ecurinë dhe zhvillimin e futbollit të vërtetë, i duhet kampionati me 16 skuadra.

Mbi të gjitha, për të pasë pjesë të vërtetë të futbollit të Kampionatit të Parë Kombëtar të gjitha qytetet e historisë së vërtetë 90- vjeçare të tij dhe për të profesionalizuar 16 ekipet qytetare. E mandej, prej këtu të organizohen dy kampionatet e tjera, të dytë e të tretë, derisa edhe ata të fitojnë qytetarinë e tyre futbollistike, po profesionale. Tash nuk e di a arritët ta kuptoni humbjen emblematike (shembullore) 0-7 prej Apolonisë së Fierit të ish-kampiones së Shqipërisë me emrin KS Elbasani. Po ashtu vendet e fundit në Kategorinë e 2-të me vetëm 5 e 7 pikë të Dinamos e KS Elbasanit…!

Post scriptum 

Edhe Vlora, Gjirokastra e SK Tirana…? 

Për fat të keq, historia nuk mbaron këtu, por u dashka edhe një “post scriptum”. Dhe vështroni tash renditjen e Kampionatit të Parë të Shqipërisë:

Edhe në këtë rast, dy skuadrat e fundit, ashtu si në dy renditjet e tjera, i kam theksuar me germa në “bold” (të zeza). Janë Flamurtari i Vlorës dhe Luftëtari i Gjirokastrës në rrezik gati 90 për qind për të rënë. Janë respektivisht me vetëm nga 5 e 8 pikë. Kjo do të thotë se 22 javë pa mbaruar kampionati, Flamurtari është 14 pikë larg skuadrës më të afërt për shpëtim apo mosshpëtim! Më tej kjo do të thotë se për ta përmirësuar sadopak renditjen e tij, Flamurtarit i duhet të fitojë 5 ndeshje rresht dhe Skënderbeut të humbasë po 5 të tilla rresht.

partizani flamurtari1

Gati po kështu edhe skuadrës së Gjirokastrës. Shihet qartë që edhe dy qytete të tjera tradicionala, Vlora e Gjirokastra, kanë marrë para kohe rrugën e lamtumirës. E për këtë duhet të ndiejnë sadopak turp. Ata kanë fajet e tyre sigurisht, por po të ishte kampionati, e pakta me 14 skuadra, siç kanë qenë shumica e kampionateve më të bukur e më të fortë të Shqipërisë, kurrë nuk do të mbërrinim në këtë situatë kaq të rëndë dhe zhgënjyese për skuadrat tradicionale të qyteteve tona.

Kujtoj edhe këtu se më 1974, 17 Nëntori (SK Tirana) u rendit e 13-ta, por nuk ra nga kategoria, sepse kampionati kishte 14 skuadra dhe rregullorja ishte tejet konservatore në kuptimin më të mirë të kësaj fjale. Dhe prapë historia nuk mbaron këtu. Sot pranë dyshes së mësipërme braktisëse, Luftëtari / Flamurtari, ndodhet edhe skuadra më e lavdishme e Shqipërisë, 24+2 herë kampionia e Shqipërisë, sportklub Tirana, sepse ndodhet në vendin e 8-të që gjithashtu, për të plotësuar 30-përqindëshin absurd të përjashtimit, edhe ajo është mëtuese për të rënë.

Kështu, ngaqë vendi i 8-të për shpëtim mund ta çojë atë, apo ndonjë simotër të saj, të ndeshet me skuadrën e “e tretë” të kategorisë tjetër. Siç shihet. ka shumë mundësi që Kampionati i Kategorisë së 2-të vitin që vjen (nëse KS Elbasani e Dinamo nuk bien në të 3-tën) të ketë në gjirin e tij edhe këto skuadra, që po i vendos vertikalisht:

 KS ELBASANI / Elbasan 

DINAMO / Tiranë

 BESA / Kavajë 

LUFTËTARI/ Gjirokastër 

FLAMURTARI / Vlorë 

Pa harruar Tomorin e Beratit “të harrueshmin e madh”. E pse jo, ndoshta edhe njërën prej këtyre tri të tjerave, tash për tash kandidate bindëse për vendin 8-të shkualifikues apo kualifikues në kampionatin 2019-’20:

6. VLLAZNIA / Shkodër 20 pikë 

7. SKËNDERBEU / Korçë 20 pikë 

8. SK TIRANA / Tiranë 19 pikë 

Mund të bëhen kështu, e pakta plot 6 qytete themelues dhe fitimtarë të paharrueshëm të Kampionatit të Shqipërisë shumica të rënë! Dhe askush nuk shqetësohet për këtë. Por kësaj radhe duhet dhënë alarmi. Një alarm që kërkon jo asamblenë “artificiale” të FSHF-së me pjesëmarrës kokulur e të bindur si nxënësit e klasës së parë, por mjedisin burrëror dhe të ditur, i cili të vendosë që në fund të këtij kampionati, të rindërtojë tjetrin. Dhe sa për të dhënë një shembull: një Kampionat të Parë me 16 skuadra, një të Dytë me po me kaq dhe një Tretë në dy grupe me nga 14.

Dhe para tyre themelimin e Ligës Kombëtare të Futbollit jo me një mbledhje me 9 vetë, por me përfaqësuesit e të gjitha klubeve shqiptare të të gjitha kampionateve dhe mënjanimin e FSHF-së nga drejtimi i kampionateve kombëtare. I del e i tepron drejtimi i ekipeve kombëtare. Nuk ia harron askush meritën e madhe të kualifikimit historik të Kombëtares në finalet e “EURO 2016”. Ashtu siç nga ana tjetër, nuk mund t’ia harrojmë bilancin e freskët të ekipeve kombëtare të të gjitha rangjeve për këtë vit 2019: 22 ndeshje, 13 humbje, vetëm 5 fitore e 4 barazime me golavarazhin pësues 27-45.

Teksa kujton se nga 5 fitoret, 4 i përkasin ekipit kombëtar, ndërsa vetëm 1 fitore atyre “21”, “19” e “17” – këto të dyja të renditura të fundit në grupet e tyre kualifikues. Por, nga ana tjetër, kurrsesi nuk na shkon nëpër mend që kësaj FSHF-je t’i hiqet fuqia e drejtimit të politikave të futbollit në vend – çka përbëjnë po një të drejtë të pakundërshtueshme dhe parësore të saj. Ndryshimi nuk pret më tej. Me mend në krye dhe me një ndjenjë atdhetare, nëse kjo ekziston te këta njerëz, “deklarata e ndryshimit” do sendërtuar qysh tash dhe në verën që vjen të marrë jetë organizmi i ri i kampionatit 2020-2021, çka do të thotë që nëse u dhimbet futbolli kombëtar i qyteteve, dinakëria FSHF-iste që thotë se ndryshimi mund të bëhet vetëm mbas një viti apo dy vjetëve, do flakur tej njëherë e mirë.

tIRANA-KUKESI

“Shko rrêj ndoj tjetër”, siç thonë në Shkodër, sepse dihet, pritmëritë e tepërta janë gjithnjë shkatërruese. Çdo shtet i organizon vetë punët e tij, edhe në sport e në futboll. Gogoli i UEFA-s apo FIFA-s për kësisoj ndryshimesh është zhdukë me kohë. Ata që e lejojnë ende këtë situatë që u mundova ta paraqes këtu, them se në brendësinë e tyre u takon të ndihen të turpëruar. Ndryshe turpi mund të marrë dhênë. Binduni se thuajse ia kemi hequr gëzimet e përjavshme sportive qytetare popullit shqiptar.

E kujt? Një populli tejet të shqetësuar që po heq jo pak dhe që sa vështirë po e ka të qetësohet e të përparojë…! E për këtë, përveç të tjerëve dhe të tjerave, nuk po e ndihmon ose, më mirë me thënë, atij po i mungon edhe roli human i sportit e futbollit, madje vetë fryma kubertiane e një shpirti olimpik që aq fort pasuron.

PANORAMASPORT.AL

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com