Lokalizmi “i frikshëm” i vëzhguesve dhe delegatëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 30, 2018 | 20:54

Lokalizmi “i frikshëm” i vëzhguesve dhe delegatëve

BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

Është vërtet e rrallë! Të premten që shkoi, në të 5 ndeshjet e Javës 17 të Kampionatit të Shqipërisë, kemi pasur 4 vëzhgues nga Tirana dhe vetëm 1 nga “JoTirana”. Ndërkaq, për sa u përket delegatëve, për të 5 ndeshjet ishin po 4 delegatë nga Tirana! Në tanësi kjo do të thotë se prej 10 vëzhguesve dhe delegatëve të 5 ndeshjeve, 8 kanë qenë nga Tirana dhe vetëm 2 nga “JoTirana”!

Doemos ky është një monopol i papamë! Me siguri një “rekord” europian. Ndërkaq, problemi i arbitrimit në Shqipëri është një pikë tejet e brishtë e ecurisë së futbollit. Viti që shkoi qe me plot kundërshtina. Gati nuk mbet arbitër pa u kritikuar e kundërshtuar. Shpëtuan vetëm vëzhguesit dhe delegatët. E logjikshme kjo përderisa ata nuk gjykojnë. Roli i tyre është tjetër. A janë të rëndësishëm? Shumë! Po të mos ishin të tillë, nuk do të caktoheshin. Mirëpo, cili është roli i tyre për të ndikuar në përmirësimin e gjykimeve në futbollin shqiptar? Për këtë nuk kemi asnjë informacion.

?

?

Vetëm në numrin e saj të së shtunës të “Panorama Sport” u shkrua se drejtori i një skuadre dhe delegati i ndeshjes qenkan takuar, kushedi sepse, mbas ndeshjes, dhe paskan zhvilluar një bisedë. Natyrisht ky episod është një lloj cenimi i etikës së vetë disiplinës të mjedisit të një ndeshjeje zyrtare të futbollit. Këta dy njerëz nuk kanë assesi punë me njëri-tjetrin në këtë mjedis të nëntribunës. Secili ka detyrën e rolin e tij krejtësisht të ndarë nga tjetri. Tjetër punë mandej, si bashkëqytetarë në qytetin ku jetojnë. Ndonëse kur qëllon që ata të jenë shokë, asnjëherë delegati apo vëzhguesi nuk mund të caktohet delegat apo vëzhgues për ndeshjen e skuadrës që drejton shoku i tij.

Pra, është vërtet shumë interesante kur ata caktohen edhe për ndeshje të skuadrave të Tiranës, e mund të ndodhë që të kenë shoqëri me lojtarë apo trajnerë të kë- tyre skuadrave të qytetit të tyre. Kaq do të mjaftonte për të përforcuar njëanshmërinë e tyre. Si puna e kësaj të premte që ishte 8 me 2 në favor të tyre, të Tiranës pra. Është njëlloj sikur FSHF të caktonte vëzhgues apo delegatë për një ndeshje të Vllaznisë, të mirënjohurin, shkodranin Mëhill Shkëmbi, apo të një ndeshje të Besëlidhjes, të mirënjohurin, lezhjanin Prek Pjetrushi.

vezhguesitt

Dhe e dini ndërkohë, që nuk ndodh asnjëherë në ndeshjet ndërkombëtare që zhvillohen në Shqipëri që delegatët apo vëzhguesit e FIFA-s apo të UEFAs të jenë banorë apo shtetas të skuadrave të huaja që vijnë këtu. Natyrisht, nuk mund që këto radhë të përshkruajnë detyrat e vëzhguesit apo delegatit. Por nuk mund të themi se dimë diçka për se si ata, përmes relacioneve të tyre për Federatën, ndikojnë në përmirësimin e gjykimeve të futbollit në Shqipëri.

Nuk dimë po aq që bie fjala, një gazetar të përmendë në një shkrim kritik, se çka ka relatuar një vëzhgues për episode delikate të një ndeshjeje. Nuk dimë nëse këta vëzhgues ia arrijnë ta ndajnë me nivel për së mbari dhe me paanshmëri absolute – siç dhe kërkohet – në relacionet e tyre, të drejtën nga e padrejta e gjykimit të një ndeshjeje. Ajo që të tërheq, është se mësuam që nga 10 prej tyre, 8 ishin nga Tirana. E kjo më e pakta flet për dy probleme: që ose kultura e mbarështrimit apo drejtimit të gjykimeve është monopol i Tiranës (falë edhe e pranisë së përjavshme apo të përditshme të këtyre njerëzve në zyrat e FSHF-së – çka i bëjnë dashamirë të saj); ose thuajse kjo kulturë nuk ekzistoka në qytetet e tjerë, e aty nuk paska assesi njerëz të aftë për të qenë edhe ata vëzhgues apo delegatë të ndeshjeve të Shqipërisë.

Në një kohë që, edhe po të mos kishte – çka është e pamundur – i takon FSHF-së t’i formojë. Le të mos besojmë mandej, se kjo njëanshmëri krahinore, pra jo kombëtare, siç duhet të jetë veçoria tanë- sore e një Federate Futbolli të një shteti, të ketë të bëjë edhe me një problem të tretë: interesin për pagesën (shpërblimin financiar) fort “e këndshme” vetëm për ata që banojnë në Tiranë!…

Asambleja 1

E vërteta është se vëzhguesit apo delegatët e ndeshjeve nga Tirana sundojnë në mënyrë “të frikshme” thuajse çdo javë të Kampionatit të Shqipërisë. E ndonjëri madje shpejton të shkojë drejt e nga ndeshja në ndonjë studio televizive për të publikuar “gabimet” apo “mosgabimet” e gjyqtarëve. E dënueshme. Dukuri “e vjetër” kjo, si askund tjetër në botën e sotme të futbollit, çka ia ka ulë tejet autoritetin FSHF-së në këtë fushë.

E pra, si i bëhet për ta mënjanuar këtë lokalizëm të “frikshëm” të vëzhguesve dhe delegatëve? Se me thënë të drejtën, për sa u përket gjyqtarëve, FSHF duhet përgëzuar: ajo ia ka arritur ta luftojë një lokalizëm të dikurshëm kësisoj, teksa jo pak gjyqtarë nga qytetet e tjera kanë peshë të dorës së parë në gjykimin e ndeshjeve të Shqipërisë. Ndonëse për fatin e tyre të pakëndshëm, iu duhet të jenë gjithnjë nën “kontrollin” e njëanshmërisë të “klubit” (jo masonik, natyrisht) të vëzhguesve dhe delegatëve nga Tirana…

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama Sport. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"