Futbolli i Kamzës, Kukësit, Laçit…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 9, 2017 | 21:25

Futbolli i Kamzës, Kukësit, Laçit…

Nga BESNIK DIZDARI

Besnik-Dizdari

Këto të ditëve të fundit, për Kampionatin Kombëtar të Futbollit në Shqipëri, janë çaste disi historike. Papritmas, mbas 13 javëve, që është diçka më shumë se një e treta e Kampionatit, në rolin e përkohshëm të Nënkampiones së ardhshme të Shqipërisë shfaqet KF Kamza – skuadër e një qyteze bri Tiranës, që sa vjen e zmadhohet, ndërtohet, rritet. Është një ngjarje që s’ka të bëjë me asnjë rast të mëparshëm në historinë e Kampionatit Shqiptar. Mbas KF Kukësit – Kampion në fuqi i Shqipërisë, KF Laçit – dy herë fitues i Kupës së Shqipërisë, kjo dukje e spikatur e KF Kamzës, e cila merr pjesë vetëm për herë të dytë në Kampionatin Kombëtar, pa dyshim përbën risinë e tretë në zhvillimet gjeopolitike të futbollit shqiptar.

Për kah përngjasimi, rasti mund t’u afrohet deri diku rasteve të skuadrave të tjera “episodike” të kampionatit të Shqipërisë, atyre të Yllit të Shkodrës së vitit 1945 që u rendit i pesti në kampionat, të Dinamos së Shkodrës të vitit 1956 që u rendit e 6-ta më 1952, e prej historisë së Kampionateve të Luftës, edhe rastit të Prizrenit, i cili u rendit i 3-ti më 1942. Tash, nuk po zgjatem më tej me këtë prolog, por nëse shpërthimi i një skuadre si KF Kamza kalon në heshtje – e ndoshta në heshtja ka për të kaluar – kjo do të jetë një tjetër provë se në Shqipëri studimet për zhvillimet dhe ecurinë e Kampionatit Kombëtar të futbollit nuk ekzistojnë.

Kamza5

Duket qartë: befasia e madhe e skuadrës së KF Kamzës (dikur “Dajti” i Kategorisë së Dytë e të tretë) që mbas 13 javëve është i dyti i Kampionatit të Shqipërisë pa qenë i lidhur thuajse aspak me zhvillimin e futbollit në shtresat e popullsisë rinore të këtij qyteti, normalisht duhet ta trondisë mjedisin e futbollit të brendshëm kombëtar të Shqipërisë. E pranuam KF Kukësin, i cili, madje më 2013 bëri edhe një shpërthim jo të vogël ndërkombëtar për futbollin shqiptar të klubeve nën drejtimin e trajnerit Armando Cungu – tash i mënjanuar prej stinës futbollistike shqiptare (?!), teksa qe përshkuar në plot katër ture të Kupës së Europës.

Po a duhet ta pranojmë edhe dukurinë me emrin KF Kamza si zhvillim përparësor të futbollit në Shqipëri? Kjo pyetje normalisht duhet të nxisë diskutime të zjarrta. Ndonëse askush në Shqipëri prej vitesh nuk nxit diskutime të zjarrta. Sigurisht, mendimet këtu mund të jenë të ndryshme. Unë për vete, “rastin KF Kamza” nuk e quaj zhvillim të futbollit në këtë qytezë, madje qytet tashmâ, përderisa skuadra është formuar me djem të mbledhur jashtë trojeve kamziote, siç po më pëlqen t’i quaj. Qofsha i gabuar, por ma do mendja se kemi të bëjmë me një zhvillim jo aq social-sportiv, ndoshta as social mirëfilli, por thjesht një organizim i këndshëm urban.

Luftetari

Pra, qyteti duhet të ketë edhe skuadrën e tij të futbollit dhe ejani ta bëjmë. Dhe KF Kamza e bëri. Madje, me sa duket e ka bërë mirë. Mirë në kuptimin që “ka blerë” futbollistë të tjetërkujt dhe, nën drejtimin serioz të trajnerit RaPROBLEMATIKË E MPREHTË Futbolli i Kamzës, Kukësit, Laçit… madan Ndreu, i ka bashkuar, i ka harmonizuar dhe në Javën 13 ndodhet në krye të vendit të dytë të Kampionatit, duke u bërë pjesë e një pesësheje vërtet historike: Skënderbeu, KF Kamza, KF Kukësi, Flamurtari, KF Laçi! Kjo është gjysma e pjesëtarëve të Kampionatit Kombëtar qytetar të Shqipërisë.

Mbrapa kësaj pesësheje qëndrojnë Partizani 15 herë Kampion i Shqipërisë; Teuta 1 herë kampione, 6 herë Nënkampione dhe 7 herë e treta e Shqipërisë; Vllaznia 10 herë Kampione, 13 herë Nënkampione, 17 herë e treta. Ndërkohë nuk ekzistojnë në Kampionatin Kombëtar Dinamo, KS Elbasani, Besa e Kavajës, Tomori i Beratit apo Apolonia e Fierit – mungesën e të cilëve unë e kujtoj përherë, madje deri në mërzi, për mosnjohësit e historisë së Kampionatit të Shqipërisë. Çka do ta vazhdoj po përherë për të forcuar sadopak “inatin” e anëtarëve të “klubit tonë të njohësve” të kësaj historie, siç po e emërtoj sot.

A duhet ta quajmë dukurinë “KF Kamza” zhvillim gjeopolitik në rritje të futbollit shqiptar? Eh! Ndërkaq, në mos qofsha i gabuar, diku në një televizion dëgjova një thënie gë- zimplote që m’u duk shembullore (emblematike). U tha pak a shumë se “shumë keq që Kosova ka 12 skuadra e jo 10 sa Shqipëria, kur Mali i Zi, Kroacia a Sllovenia e kanë po me 10 sa Shqipëria”. Sigurisht, autori i këtij shkrimi – dhe jo vetëm ai – vazhdon ta quajë si një nga shkaqet më shkatërruese për forcimin sportiv, qytetar, social, madje dhe të vetë politikës sportive në tanësi, shkurtimin e skuadrave të Kampionatit të Shqipërisë në 10.

Arrbal Kamza

Edhe pse tre a katër shtete ballkanikë e kanë po me 10 skuadra. Në një kohë që nuk mund të harrosh se ka edhe nja pesë shtete të tjerë të Ballkanit si Bosnja Hercegovina, Kosova, Bullgaria, Rumania, Serbia që e kanë kampionatin e tyre me 12 e deri në 16 skuadra. Ndërkohë që gati nja 70 për qind e shteteve të Europës, e kanë me mbi 12, 14 apo 16 e 18 skuadra. Sigurisht, siç e kam thënë dhe do të vazhdojmë ta them: shumica e shteteve që e kanë me jo shumë skuadra kampionatin e tyre të parë, kanë liga të dyta e të treta të një niveli mbiprofesionist, ndërsa ti i ke këto kampionet (sepse nuk janë liga e nuk ke ligë) në nivele të ulëta amatore.

Mos vallë fakti që kampionia e mirënjohur KS Elbasani, e cila ka rënë në të tretën dhe Dinamo, Tomori i Beratit apo Besa e Kavajës – për dekada forca të para të futbollit qytetar shqiptar – nuk arrijnë të kthehen, tregon se Kampionatet e kategorive të dyta apo të treta të Shqipërisë kanë nivel europian?… Sigurisht moskthimi i këtyre skuadrave ka të bëjë me punën e dobët të tyre, por ka të bëjë jo pak edhe me nivelin gati shpërbërës të këtyre kampionateve të përshkuar prej një indiference moszhvilluese, çorganizuese, spontaniteti e mosinteresimi të paparë.

laci

Dhe kur mandej bëhet pjesë e tyre një Elbasan, një Kavajë, një Berat, një Dinamo, një Fier, pse jo, edhe një Kuçovë apo Lezhë, vetvetiu të ikë kënaqësia edhe për të luajtur. Ndoshta këtu po reziston vetëm shembulli i SK Tiranës, e cila, me sa duket ka vendosur që të rikthehet një orë e më parë. E mjera ajo! Ka rënë në Kategorinë e dytë thjesht se ka zënë vendin 9 në Shqipëri. Pra ka rënë thjesht për shkak të numrit të vogël, vetëm 10, të skuadrave.

Si Vllaznia më 1956, kur ra duke u renditur e 8-ta në Shqipëri. Thjesht po prej numrit të paktë të skuadrave, që ishin vetëm 9! Nuk po them ndonjë gjë të re me këtë. Vetëm po përsëris në motërzime (variante) të tjera të këtij argumenti. Ndonëse di që trokas në një derë që nuk don të dëgjojë e aq fort të mbrojtur sidomos prej një mjedisi të sotëm të ekranit të vogël. Gjoja kompetent i kampionateve të huaja. Nuk them se është, por them se të duket si një shtëpi që kujton se Kampionatin e Shqipërisë e ka pronë vetjake!

plaku ndreu kamza

Dhe i rikthehem “rastit KF Kamza”. Ose shkoj te pesëshja e parë e Kampionatit, kjo Korçë- Kamzë- Kukës-Vlorë-Laç. A është një zhvillim kjo “hartë”? Ose, duke përjashtuar sunduesin e paprekshëm me emrin Skënderbeu i Korçës, a vërtet mendoni se ky është një zhvillim cilësor i Kampionatit të Shqipërisë? Befas, mbas plot 55 vjetëve ka vënë kandidaturën për të rënë Vllaznia e Shkodrës – sot pjesë e katërshes së fundit, kësaj Lushnjë – para kohe e një lamtumire – Gjirokastër – Shkodër – Durrës! KF Kamza i sheh nga lart. Ka 11 pikë më shumë se Vllaznia dhe jo pak, por 8 nga Teuta. Pa harruar 13 pikët epërsi ndaj Gjirokastrës. Madje, edhe nja 5 pikë mbi Partizanin.

Nuk po merrem me epërsinë e KF Kukësit ndaj katërshes së fundit, sepse dihet, ai është kampion në fuqi. Dikush në injorancë të plotë na thotë se gara e ashpër për rënien, që gjithë këto vite po rrëzon qytetet tradicionalë, e zbukuroka tejet kampionatin. Ashtu siç e “zbukuroi” vitin që shkoi me rënien e skuadrës më historike të Shqipërisë, Sportklub Tiranës. Natyrisht duhet përgëzuar KF Kamza dhe, në fund të fundit, historitë e mëdha edhe kështu mund të nisin. Në fillim duke marrë hua. Mandej, shembulli i huasë të vlen për të ndërtuar atë, të vërtetën apo autentiken tënde.

Kukesi vs Skenderbeu

Mirëpo, për fat të keq, jemi shumë larg prej kësaj. Nuk ka vend për krahasim, por shkurt po tregoj një histori aktuale gjermane. Rasen Ballsport LEIPZIG. Është Nënkampione në fuqi e Gjermanisë. Është themeluar vetëm para 9 vjetësh, më 2008, e mbështetur nga shoqëria e famshme Red Bull, e cila në 10 vjet ka investuar 100 milion euro! Rasen Ballsport LEIPZIG, ose thjesht RB Leipzig, ka mbërritur në Bundesligë, ku pra është

Nënkampione e Gjermanisë 2017, mbrenda këtyre 8 vjetëve, duke u përshkuar në kampionatet gjermane të kategorive IV, III, II. I ka nisë garat me një stadium prej vetëm 5000 vendesh: “Stadion am Bad Markranstadt”. Por menjëherë i është kthyer stadiumit dikur 100 mijësh, gjigantit të Lajpcigut “Zentralstadion” të RDGJ-së, aty ku më 1958 Partizani ynë fitoi vendin e dytë të Turneut të skuadrave të të ashtuquajtura “të ushtrive mike” të vendeve komuniste – një sukses madhështor për kohën. Sot stadiumi quhet “Red Bull Arena” ultramodern, natyrisht tash me vetëm 45.000 vende, por krejt i mbuluar. RB Leipzig në fillim u bë me lojtarë të blerë, por mbrenda 8 vjetëve mbërriti te ndërtimi i një klubi me vlera autentike.

kukesi

Më 2011 ngriti qendrën e stërvitjes “Trainingszentrum am Cottaweg” të Lajpcigut – 6 hektarë tokë me 6 fusha futbolli, 4 me bar natyral, 2 sintetike, si dhe dy fusha për mosha të reja. Dhe me seli zyrash e shërbimesh administrative të klubit, por dhe me një pistë atletike. Është mjaft interesant ajo çka ndodhi më 2014 për sa u përket organeve kolegjiale të drejtimit të klubit. Deri më 2014, këshilli administrativ përbëhej vetëm prej njerëzve, zyrtarë apo nëpunës të Red Bull. (A thua kanë këshill administrativ klubet shqiptare?). Mirëpo, Federata e Futbollit e Gjermanisë këtë e konsideroi në kundërshtim me atë që quhet “Rregulli 50+1”.

Ky është një rregull që synon të ndalojë abuzimet e pozicioneve sunduese, diktatoriale, vetjake në klubet e futbollit. Kë- sisoj, e pakta 50%+1 e aksioneve të një klubi profesionist, duhet të jetë në duart e një shoqërie të hapur dhe të një anëtarësimi publik dhe të lirë. Dhe janë këta aksionerë ata që mund të kenë të drejtën e votës në asambletë drejtuese. Ndërkohë që klubit i duhet të tërheqë edhe të ashtuquajturat “kuota sociale” edhe prej tifozëve të zakonshëm, të cilët duhet të paguajnë çdo vit një lloj kuote në euro. Një tarifë kjo te RB Leipzig, madje më e lartë se sa çfarë e ka Bayern (60 euro). E, ndërkaq, shkëlqen sektori i të rinjve me lojtarë që i formon dhe i rrit po klubi.

kukesi partizani

Mbrenda një kohe krejt të shkurtër, por falë një pune intensive të disiplinës gjermane, është mbërritur deri te skuadra NEN 23 vjeç e RB Leipzig, e cila është pjesëmarrëse e Kategorisë IV të Gjermanisë (Regionalliga Nordost). A ishte e drejtë që të bëja një krahasim me Gjermaninë dhe Kamzën e Shqipërisë? Kurrsesi! E bëra vetëm për t’i kujtuar Shqipërisë sime se pa krijuar, përforcuar organizimin me themel të lëvizjes futbollistike të një qyteti, zhvillimet e futbollit të një vendi do të mbeten thjesht spontanë dhe jo të qëndrueshëm.

Shoh këto ditë, një lloj lëvizje apo “turbullimi propagandistik” në prag të zgjedhjeve të FSHF vitin e ardhshëm. Vërej një lloj synimi naiv që i ngushton këto zgjedhje thjesht si zgjedhje për presidentin e FSHF. Madje, disi me një lloj synimi thjesht për ta rrëzuar atë që është sot e me sjellë një tjetër. Nuk më pëlqen të përfshihem në këtë dukuri. Thjesht duhet të kujtoj se ky “guxim” apo ngushtim për të rrëzuar një president e për të sjellë një tjetër – nuk mund të jetë synimi i zgjedhjeve. Synimi i zgjedhjeve do të ishte mirë të ishte diçka më universale.

Një lloj “universale”- je që ka të bëjë me një organizim krejt të ri të futbollit shqiptar, një platformë e re. Dhe pa dashur të mohojmë atë çka është arritur (sigurisht që është arritur) më në fund të bëhet sa më e mundur që të shkojmë te një organizim sa më europian. Doemos, duke iu përshtatur veçorive të Shqipërisë. Në fund të fundit, e gjitha kjo nuk ka të bëjë me një katërshe të re të kampionatit që ndodhet befasuese mbi tradicionalët e Shqipërisë dhe që kryesohen prej KF Kamzës “së panjohur”, pjesë e së cilës janë edhe “të rinjtë” me emrin KF Kukës e Laç! Ka të bëjë me mendësinë shqiptare, të prapambetur edhe këtu, që mpak zhvillimin e futbollit kombëtar. Dhe prej së cilës duhet hequr dorë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"