Skandal! 46 për qind e lojtarëve nuk janë të Shqipërisë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2021 | 15:25

Skandal! 46 për qind e lojtarëve nuk janë të Shqipërisë!

Nga BESNIK DIZDARI

Dizdari2

Po e mbyll triptikun tim të rubrikës së re “E ditës” me “mrekullinë” e vërshimit të lojtarëve të huaj në kampionatin e parë të Shqipërisë, atë që quhet me pompozitet Superligë, ndonëse, siç kam thënë njëqind herë, ai nuk ka asgjë “super”.

Ja dhe “mrekullia” në fjalë:

Vetëm në dy javët e para të kampionatit, 46 për qind e lojtarëve të 10 skuadrave nuk i përkasin Shqipërisë. Pra, nuk janë shtetas të Shqipërisë, çka nënkupton më të rëndësishmen: që ata nuk janë prodhim i klubeve shqiptare. Duke e thënë më qartë: nga 173 lojtarë që kanë luajtur në dy javët e para të kampionatit, plot 80 prej tyre janë të huaj, çka do të thotë se janë blerë me valutë në dorë (nuk besoj se janë falur) prej shteteve të tjera!

Zhunior Ivanovic

Kuptohet që ky është një tjetër skandal. Është skandal, sepse i thotë sektorit të të rinjve të klubeve shqiptare, që edhe në këtë rast me pompozitet i quan “akademi”, që lodhen kot. Pjesa dërrmuese e futbollistëve të atyshëm nuk do ta lidhin jetën e tyre me futbollin parësor të Shqipërisë që është kampionati i saj kombëtar. Ky është një “globalizëm” artificial shkombëtarizues sportiv i llojit shqiptar. Renditja e famshme e shkombëtarizimit për dy javë të para të kampionatit të Republikës së Shqipërisë, është kjo:

1. VLLAZNIA: 10 të huaj nga 16 lojtarë (62.5%)

2. KF KUKËSI: 10 të huaj nga 18 lojtarë (55%)

3. SKËNDERBEU: 9 të huaj nga 17 lojtarë (52.9%)

4. EGNATIA: 10 të huaj nga 19 lojtarë (52%)

5. DINAMO: 8 të huaj nga 17 lojtarë (47%)

6. SK TIRANA: 8 të huaj nga 17 lojtarë (47%)

7. KF LAÇI: 8 të huaj nga 17 lojtarë (47%)

8. PARTIZANI: 7 të huaj nga 17 lojtarë (41.1%)

9. TEUTA: 6 të huaj nga 17 lojtarë (35.2%)

10.KASTRIOTI: 4 të huaj nga 18 lojtarë (22%) Kjo është ndër renditjet më skandaloze në historinë e kampionatit të Shqipërisë. Me përjashtim të Kastriotit e deri diku të Teutës, 8 klubet e tjera i janë “shitur” shkombëtarizimit.

Por, kot me e zgjatë. Mjafton, pra, të kujtojmë edhe një herë se nga 173 lojtarë të aktivizuar në vetëm dy javë kampionat, plot 80 prej tyre nuk janë të Shqipërisë, që do të thotë se nuk kanë ardhur nga skuadrat e të rinjve të Shqipërisë, nga qyteti që përfaqëson skuadra, nga tradita futbollistike e talenteve të tyre, nga “toka nënë”.

Kuptohet, kur shkruan kështu, pa pikë zori të përgjigjen: “Shko te Interi e Reali e sheh se si mbi 80-90 për qind i kanë të huaj”. Kujtojnë se jemi kaq naivë që nuk e kuptojmë se këto janë klubet e botës, komerciale deri në rrënjë, dhe se kësisoj fitojnë kupa e kampionate ndërkombëtare. E bashkë me këto edhe miliarda.

Në një kohë që klubet shqiptare me 50 për qind lojtarë të huaj në përbërje, rregullisht, sidomos këto vitet e fundit, ose kalojnë vetëm ndonjë tur të nivelit të ultë, ose nga 20 ndeshje, humbasin 13, siç ndodhi për edicionin 2021-2022 të pjesëmarrjes së tyre në Kupat e Europës. Rezultate këto që me siguri mund të arriheshin edhe duke u mbështetur te lojtarët vendës. E po me siguri do të kishim përfitimin e madh të formimit më tej të talenteve tona.

Dihet, ndërkaq, se kjo nuk është një temë e re. Mirëpo, tashmâ ajo nuk është temë. Është skandal. Problemet këtu janë të pafund. Blihen lojtarë të huaj, krejt mesatarë, madje edhe mediokër.

Blihen lojtarë të cilët assesi nuk janë më të mirë se vendësit shqiptarë. Blihen, me sa duket, nga mungesa e dijeve të drejtuesve të klubeve, të cilët kujtojnë se meqë të blerët janë nigerianë, ganezë, malazezë, kroatë, serbë, senegalezë, boshnjakë, francezë, spanjollë, malezianë, maqedonas, kongolezë, bregfildishas, detyrimisht janë më të mirë se lojtarët e rinj shqiptarë, çka aspak nuk është e vërtetë. Dihet, ndërkaq, niveli ende i ulët i kampionatit të Shqipërisë.

E pra, si ka mundësi që këta lojtarë vijnë te ky kampionat i nivelit të ulët dhe nuk arrijnë të luajnë në ligat e tyre, kur shumica e tyre kanë nivel më të lartë se kampionati i Shqipërisë? Përgjigjja është e thjeshtë: Ata nuk arrijnë të luajnë në kampionatet e tyre dhe mù për këtë vijnë te rrogat shqiptare që konsumohen në kurriz të zhvillimit të futbollistëve të rinj shqiptarë.

Pa e zgjatur: mos ndoshta po kujtoni se jemi kundër futbollistëve të huaj në kampionatin e Shqipërisë? Dhe se me siguri jeni bërë gati të thërrisni në kupë të qiellit me këtë akuzë? Jo, jo! Le të vijnë të huajt, por jo në kurriz të lojtarëve vendës. Dhe le të vijnë me një rregullore të arsyeshme që nuk e cenon forcën kombëtare të futbollit të Shqipërisë. Për shembull, le të vijnë përmes një rregulloreje të tillë:

I. Kurrë më shumë se tre lojtarë të huaj në një ndeshje.

II. Detyrimisht 50 për qind e skuadrës të përbëhet nga lojtarë të qytetit që përfaqëson. Dhe vetëm mbasi klubet shqiptare të ngjiten në lartësi, qoftë edhe mesatare të renditjes euro-botërore të cilësisë, të bënim një rregullore tjetër.

Nuk po mbërrij te shembulli italian i viteve ‘60, kur ndaluan ardhjen e të huajve derisa klubet vendëse të mbërrinin një cilësi të re ndërkombëtare me talentet vendëse. Dhe sa mirë që u doli ky “kundërrevolucion” që solli një revolucion të vërtetë për Italinë. Histori që po e lëmë për një herë tjetër…

Tash po e mbyll duke vënë emrat e lojtarëve të Flamurtarit të Vlorës të viteve 1986- 1987 që mbasi u eliminua nga Barcelona me dy perla të rezultateve 0-0 e 1-1, në 1987 u përshkua në tre ture të Europës, duke eliminuar deri Partizanin e Beogradit e duke fituar madje 1-0 edhe me Barcelonën e Linekerit e Shusterit.

Ishin: Lekbello, O.Ruci, Taho, K.Çipi, Iljadhi, Ferko, Zajaj, Muça, Gjondeda, V.Ruci, Bubeqi, Lushaj, Arapi, Daullja, Kushta, Shabani. Ishin 99.99 vlonjatë “puro sangue”! Pra, pa asnjë të huaj. Trajneri gjithashtu i Vlorës: Leonidha Çuri. Dhe ishim në regjimin e pamëshirshëm komunist.

Sot jemi në demokraci, që ta do mendja se nuk është regjim. Dhe Flamurtarin e kemi në Kategorinë e Tretë! Bravo Shqipëria! Bravo FSHF! Bravo ministria! Bravo qeveria! Vazhdoni t’u gëzoheni kampionateve të Anglisë, Italisë, Gjermanisë, Spanjës, Francës! Ushtoni përditë në TV me Mesin e K.Rolandon!

Kurrë mos u merrni me futbollistët e rinj të qyteteve të Shqipërisë! Dhe me skuadrat vetëm për deri te ora televizive e përgjumtë 13:30! Vazhdoni t’i braktisni ata! Dhe ju telekronistë, zgjatini edhe më tej britmat tuaja imituese përtej minutës për një gol në Angli apo Itali! Amin! Mjerë ne, vërtet, me gjithë këto pikëçuditje!…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"