Çudia e shtatë javëve të para: Bylisi & Vllaznia!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 9, 2019 | 22:35

Çudia e shtatë javëve të para: Bylisi & Vllaznia!

BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

Çudia e shtatë javëve të para i përket dyshes Byli si i Ballshit – Vllaznia e Shkodrës. Thjesht, sepse janë dy skuadrat e sapombërritura prej kampionatit të rangut të dytë të Shqipërisë, që me prepotencën e padijes vazhdojnë ta quajnë Kampionati i Kategorisë së Parë.

Është mungesë e kulturës historike të futbollit shqiptar. Kjo do të thotë se këta njerëz që fati u ka dhënë ndër duar futbollin shqiptar, ende nuk e dinë se Kategori e Parë për mbi 50 e mâ vjet është quajtur Kampionati Kombëtar i Shqipërisë. Ky që, po për padijeni historike, prej tyre quhet Superligë, edhe pse Shqipëria ende nuk e ka themeluar në funksion Ligën e Futbollit.

Fakte të stërnjohura këto shtrembërime të përsëritura gjithnjë prej nesh e që do të përsëriten derisa punët e futbollit të shkojnë edhe në duart e njohësve të traditave e të zhvillimeve historike të tij. Tash po kalojmë te ky Kampionat i Parë i ynë, datuar 2019-2020 ku na ndodh që mbas javës 7 të kryesojnë dy skuadra që vijnë nga “Kategoria e Dytë”: kampionia e kësaj kategorie që është Bylisi i Ballshit dhe nënkampionia Vllaznia.

vllaznia

Asnjëherë në historinë e Kampionatit të Shqipërisë nuk ka ndodhur që mbas 7 javëve të para atë ta kryesojnë dy skuadrat e sapoardhura nga “Kategoria e Dytë”. Nuk e di nëse duhet të gëzohemi apo të hidhërohemi për një dukuri të tillë që na vjen kaq papritmas. Kështu, ngaqë ky kampionat krejt “amator” në organizimin e tij ka vendosur edhe një rregull tjetër absurd, që mundëson të bien një kategori më poshtë edhe tri skuadra, pra 30 për qind e tyre – rast unikal në botën e futbollit të kontinenteve të sotme.

Nuk na prish aspak punë nëse shkoni e gjeni një rast tjetër të rrallë si ky e të thoni se “nuk ka faj federata, sepse edhe shteti ‘iks’ kështu vepron”. Vazhdoni kësisoji. E dimë që Shqipëria nuk don t’u përngjajë rasteve më të përhapura, por atyre më pak të përhapura. Kështu pra, Bylisi i Ballshit dhe Vllaznia e Shkodrës, në krye.

I pari një klub që në Kampionatin e Parë të Shqipërisë ka marrë pjesë vetëm 13 herë, por një herë, duke arritur të renditet edhe i treti (1999). Ndërsa tjetri, Vllaznia, dihet çka është. 10 herë kampione, nja 13 herë nënkampione e nja 17 të tjera e renditur e treta. Përveçse është skuadra e qytetit që i ka dhënë Shqipërisë vetë futbollin. Ndoshta këto të dhëna të bëjnë që për çastin të gëzohemi, teksa kryeson një forcë e re, siç mund të quhet Bylisi i Ballshit, e bashkë me të edhe një nobilitet i madh i futbollit shqiptar, siç është Vllaznia e Shkodrës.

Ndërkaq, nuk mund të nxitojmë e të parashikojmë plotësisht se çfarë skuadrash do të mund të jenë këto dy formacione gjatë tërësisë së këtij sezoni. Ajo që mund të themi është se kryesimi i tyre ndoshta sjell një freski pretendimesh ose një pështjellim idesh konservatore. Këtu me kuptimin “të prapambetur”, aspak “liberale”, për këtë kampionat të varfër, siç është ky i Shqipërisë (në të vërtetë më shumë se i saj ai është i FSHF-së).

Vllaznia festa e golit Gilman Lika

Dhe prapë vetëm kaq? E vështirë përgjigjja. Aq më tepër se nuk kryesojnë vetëm këto të dyja, por edhe dy të tjera: të sprovuarat Teuta e Skënderbeu, po me nga 12 pikë. E madje të gatshëm për kryesim janë edhe SK Tirana e Partizani, me nga 11 pikë, ashtu si dhe KF Kukësi me 10 pikë. Të paktën mua nuk më kujtohet që si sot, mbas 7 javëve të një kampionati, të kemi 7 skuadra me vetëm 2 pikë ndryshim. Nuk nxitoj, ndërkaq, të pohoj se ky është rivaliteti i një cilësie të lartë.

Ajo që mund të them është kjo tjetra: që Bylisi e Vllaznia nuk qenkan aq të brishtë sa ç’na u dukën në fillim. Nuk gjej diçka të përbashkët në stilin e lojës së tyre, ndonëse e kam të vështirë të pohoj se ata tashmë kanë vërtet mirëfilli një stil të tyrin. Bie fjala, Vllaznia nuk më duket e stilit të vërtetë shkodran. Ballshi i sotëm – ai të cilit një natë të vitit 1986 në shtypshkronjë, ne, redaksia e “Sportit Popullor”, ia vumë emrin “Ballshi i Ri” (me kuptimin e përparimit “socialist” të asokohshëm) – nëse vërtet kërkon stil, ai mund të formojë vërtet një stil të ri.

Dhe shikoni se çka ka bërë këto 7 javë, edhe pse e ka nisur me humbje (0-1 në Durrës me Teutën) e 0-0 me Vllazninë. Mandej 3-0 Skënderbeut në Korçë dhe 2-1 KF Kukësit, 1-1 në Tiranë me Partizanin, 5-0 Flamurtarit dhe 0-0 në Laç, që deri para pak është konsideruar si një nga skuadrat më të forta të Shqipërisë. Bylisi është i pari i golave (+8) dhe duket që edhe pse nuk ka asnjë yll të ndritshëm, ashtu siç po duket, ka vendosmërinë për të luajtur fort me qetësi – të dyja këto të mbështetura në modesti, pa fryrje e hedhje përpjetë.

Ky është Bylisi 2019, i cili në anagrafinë e lojtarëve të tij assesi nuk mund të quhet skuadër ballshiote. Çka nuk ka! Me në krye shënuesin Ntephe nga Nigeria, bie fjala ai ka edhe argjentinasin Celis që ka luajtur deri edhe me klubin plot histori argjentinase, atë Velez Sarsfield.

Mandej mbërrin te një i mirënjohur yni: Isli Hidi, 39 vjeç “djalë” – kampioni shquar i sport-klub Tiranës dhe i nja 17 ndeshjeve me Kombëtaren e Shqipërisë. Dhe? Brenda 7 javëve shënues i dy golave – i vetmi portier në këtë sezon të futbollit në gjithë Europën me këtë tregues sensacional që mbërrin nga kodrinat e rrafshulëtat mallakastriote që veç tokë futbolli nuk kanë qenë ndonjëherë. Dhe ec e merre vesh pse Hidi ka shkuar te Ballshi, ndonëse një herë, 17-18 vjet më parë kur ishte vetëm 20 vjeç “djalë”, ai ishte pikërisht portieri i Bylisit të Ballshit!

bylis

Duke shkuar te Vllaznia, kujtoj se mbasi në 5 ndeshjet e para kishte shënuar vetëm 1 gol dhe ndodhej andej kah vendi i 7-të, tash, brenda 180 minutave lojë u bë kryesuese e kampionatit. Këto veç skuadra e Shkodrës i sendërton. Një herë e pata përcaktuar kështu: “Pa Vllazninë në luftën për titull, dijeni se Kampionati i Futbollit në Shqipëri humbet shumë. Vllaznia kur është në luftë për titullin krijon çudinat më të bukura.

Ajo e humb kampionatin brenda në Shkodër. Ajo e fiton kampionatin jashtë Shkodrës. Ajo e fiton kampionatin kur as ti, as unë, as i treti nuk e besojmë. Ajo e humb kampionatin kur edhe më “armiku” i saj nuk e merr me mend. Ajo shpallet kampione në çastin e fundit. Ajo e humb kampionatin qysh në javën e parë. Ajo e ndërron atmosferën katër herë brenda një 90-minutëshi: vranët, shi, diell, furtunë.

Ajo është Vllaznia e Shkodrës që të mund duke të lënë të kënaqesh duke luajtur futboll. Ajo kurrë nuk ta merr frymën, përkundrazi të jep ty frymë kur ti po asfiksohesh. Ajo e mbush stadiumin, edhe pse është e pesta në kampionat. Ajo është ndër të rrallat që të shtrëngon dorën edhe kur ti e ke shkatërruar brenda në Shkodër, qoftë edhe me hile. Ajo e vazhdon kampionatin, edhe pse gjyqtari i vjedh 9 pikë në tri ndeshje.

Ajo vë buzën në gaz edhe kur ti mendon se po qan”. Nuk di a është sot më e tillë Vllaznia. Sepse, ata që drejtojnë kampionatin e “vockël” të Shqipërisë me vetëm 10 skuadra, aq sa kanë denatyruar një traditë, po aq kanë denatyruar edhe Vllazninë e Shkodrës. Po kë nuk denatyruan?! Prej Partizanit, SK Tiranës, Dinamos e Vllaznisë që i përplasën pa mëshirë në “Kategorinë e Dytë”.

Dhe jo vetëm këto. Sapo ia kanë çelë rrugën e rënies Flamurtarit të famshëm të Vlorës, ndërkohë që Dinamon 18 herë kampione e kanë të 9-ën e njërit grup të “Kategorisë së Dytë”, Besën e Kavajës të pestën dhe KS Elbasanin gati në fund të grupit tjetër po të “Kategorisë së Dytë”.

Dhe gjejnë njerëz që guxojnë deri në mashtrim gazetarie që t’i thonë këtij “kampionati më bukur i mbas-demokracisë”!… Kështu pra, kjo e sotmja nuk është Vllaznia e asokohe. Është diçka tjetër. Është legjendarja e futbollit shqiptar që vuan, veç vuan.

Disi e ndiej për të uruar që gëzimi i këtyre dy javëve të mos jetë i shkurtër. Nuk besova se do ta përmbyste Kukësin, teksa ky dukej se e kishte ndeshjen në duart e veta. Mirëpo, goli fitimtar i saj ishte i stilit klasik të Vllaznisë “së vjetër”. Kjo edhe ngaqë autori, Gilman Lika, është një nga talentet e fundit autentikë të futbollit të Shkodrës.

Sidoqoftë, ajo që po çmoj më shumë te kjo Vllazni, është përbërja thelbësore shkodrane e saj. Sherri, Gurishta, Ruqi, Bardulla, Krymi, H.Marku, Repaj, Qarri, Lekaj, Ramadani, Shtubina me Likën në krye, janë autentikë të shkollës së pashtershme të futbollit të Vllaznisë.

E, dikur i pëlqente tejet futbolli brazilian, e për çudi sot ka tre prej shkollës së “kariokave”: Hygor, Sinho, Maranhao. Por për hir të së vërtetës, në këtë kampionat tejet artificial në “shumëkombësinë” e tij me lojtarë të huaj krejt mesatarë, Vllaznia qysh tash e merr medaljen e vërtetësisë qytetëse, teksa është skuadra me numrin më të madh të lojtarëve të dalë prej shkollës së saj. Do t’i këshilloja që andej nga janari të rikthejë edhe nja katër a pesë shkodranë të tjerë të cilët luajnë me klube të tjerë. E, atëherë, kushedi se çfarë Vllaznie mund të shohim…

Në mbyllje më mbërrin çudia e fundit. Edhe Bylisi, edhe Vllaznia po drejtohen prej dy trajnerëve të cilët vijnë nga futbolli i famshëm i ishJugosllavisë, ndonëse nuk janë firma të mëdha të saj: Mirsad Jonuz është i Tetovës së Maqedonisë, i Vardarit dhe Rabotniçkit.

Por si trajner ka mbërritur deri te kombëtarja e Maqedonisë, madje duke zëvendësuar një emër të rangut botëror: sllovenin Srecko Katanec. Ndërkaq, i mbetet po Vllaznisë ky rekord: ajo është e para skuadër klubi në historinë e Shqipërisë që stërvitet dhe kryeson duke pasur trajner një emër që ka qenë ka qenë i tillë i kombëtares së një shteti tjetër!

Ndërsa edhe nga kampi tjetër, trajneri i Bylisit, Veljko Dovedan, është një serb i Bosnjë-Hercegovinës, origjinar i Travnikut të Ivo Andriçit. Nuk e di si stërvitin përderisa nuk i kam pa në stërvitje.

bylis

Por në drejtimin e lojës shoh që kanë diçka për t’u respektuar, ndërsa në intervistat bombarduese televizive të mbasndeshjes të stilit ende të prapambetur shqiptar, ata të tërheqin me modestinë dhe saktësinë e mendimeve të tyre. Edhe me këtë çudi apo risi që për herë të parë dy skuadrat kryesuese të kampionatit të Shqipërisë drejtohen nga dy trajnerë, sado modestë qofshin, të shkollës së futbollit të ishJugosllavisë, është vërtet diçka krejt e rrallë.

Ndonëse më 1946 Shqipëria e ka fituar Kampionatin e Ballkanit me trajner jugosllavin e famshëm Ljubisa Brocic. Ndërsa më 1927, në Kampionatin e Shkodrës, që është kampionati i parë për futbollin në Shqipëri, ka marrë pjesë edhe klubi i mirënjohur jugosllav i Malit të Zi, Crnogorac i Cetinës. Kështu mplekset historia! Ndonëse nuk harrojmë të kuptojmë se sa keq mplekset historia e këtij Kampionati Kombëtar të Shqipërisë me vetëm 10 skuadra, e me mundësi përjashtimi prej tij 30 për qind të tyre! Dhe që quhet Superligë pa pasur Ligë!

Ndërkaq, po mendoj: A do të jetë një “superndeshje”, me nja 15.000 spektatorë, ajo Vllaznia – Partizani e 19 tetorit 2019? Them “superndeshje” meqë nuk dëgjojmë gjë tjetër veçse “super”, “super”, “super”! Gjithçka “super”! Deri dhe me tribunat e stadiumeve tona “super të boshatisura”. Dhe le të shpresojmë që shpejt të mund të takohemi për një shkrim që ka të bëjë me fatin e gjuhës sonë në gazetarinë sportive…

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"