Copëzimi joatdhetar i kampionatit të Shqipërisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2021 | 17:10

Copëzimi joatdhetar i kampionatit të Shqipërisë

Nga BESNIK DIZDARI

Dizdari2

Numri 2 i kësaj rubrike të re (“E ditës”) ka të bëjë me copëzimin e kampionatit kombëtar të futbollit.

Shikoni se çka ka ndodhur:

Ndonëse ai është një kampionat me vetëm 5 ndeshje, ai është copëzuar ose shpërndarë keqas në 3 ditë. Kjo ngjet vetëm në kampionatin e Anglisë, të Francës apo Spanjës, të cilat nuk kanë 5 ndeshje në javë të një kampionati me vetëm 10 skuadra, por bukur 10 ndeshje në javë me kampionate të plot 20 skuadrave.

Vllaznia Teuta

U ndala te një nga javët e fundit të këtyre kampionateve dhe pashë se edhe ata i kishin ndeshjet të ndara në 3 ditë, por me një ndryshim thelbësor: Anglia 7 ndeshje nga 10 i zhvillonte brenda një dite. Po kështu, 7 nga 10 ndeshjet e kampionatit të saj edhe Franca i zhvillonte brenda një dite.

Dhe kështu ngjet me këto shtete zakonisht. Dhe jo vetëm tek ata. Pra, që mbi 70 për qind të ndeshjeve ata i zhvillojnë brenda një dite. Kurse Shqipëria 40 për qind të ndeshjeve (2) të kampionatit të saj në një ditë, 40 për qind të tjera (2) në një ditë tjetër dhe 10 për qind (1) në një tjetër. Ose më saktë: dy ndeshje sot, dy ndeshje nesër, një ndeshje mbasnesër a s’di se kur! Ose e kundërta e këtij kahu.

Shpikje shqiptare e llojit?

Kjo do të thotë që vetëm me 5 ndeshje sportdashësit apo qytetarët shqiptarë të merren në 3 ditë të javës. Pra, sa doli ndeshja sot? Cilat janë dy ndeshjet e nesërme? Po Partizani e SK Tirana kur dreqin e kanë ndeshjen e tyre? E plot “mrekullina” kësisoj, të një fragmentarizmi që të bën të thuash: “Më lodhi ky kampionat”, të cilit edhe pse me 5 ndeshje të vetme, duhet ta thërrasësh fort kujtesën për të ruajtur një rregullsi, më saktë çrregullsi, të 3 ditëve, pra gati gjysmës së javës për 5 ndeshje, për të mbarështruar se kur, pra në ç’ditë nisin e në ç’ditë përfundojnë.

Me 5 ndeshje të vetme e fort të pakta që ka ky kampionat, do të ishte fort mirë t’i luante të pesta në një ditë e të ndihemi, si të thuash, rehat. Ose njërën prej ndeshjeve, atë më të rëndësishmen, ta zhvillonte në një ditë të vetme, që po e quajmë speciale. Ndërkaq, tjetër problem oraret. Madje, jo “problem”, por mosrespekt i pakufishëm për vetë jetën qytetare në Shqipëri. Ka shpërthyer ora gëzimplotë “13:45”!

Dhe tek e keni: tri ndeshje të javës 3 të kampionatit do të luhen në orën e mesditës 13:45! Me sa duket, dielli e ndriçimi i stadiumeve shqiptare e “mbyllin” ciklin e tyre “hënor” në orën 15! E mandej hiqemi sikur duam të përhapim e të zhvillojmë futbollin kombëtar!… Organizatorët kanë vendosur që t’ua prishin drekën shqiptarëve, qoftë edhe pushimin e shkurtër mbas saj. Tjetër nëse disa mund të jenë edhe në punë. E pra, dihet se ka disa orare tejet më të rehatshme si bie fjala, 15:00, 15:30, 16:00, 17:00, 18:00, 19:00 e të tjerë.

Kështu si po organizohen këto punë, do të bëjnë që spektatorët e telespektatorët shqiptarë t’i braktisin edhe më tej ndeshjet e kampionatit të Shqipërisë, çka pak a shumë, edhe i kanë braktisë kur kujton rënien e drastike të numrit të tyre në gjithë këto vite të fundit. Atëherë, përse veprojnë kështu?

Më saktë: Përse vepron kështu FSHF-ja? Se Ligën as që duhet ta përmendim, sepse ajo nuk ekziston. Drejtë me e thënë, unë nuk e kam dëgjuar, por një miku im e kishte dëgjuar prej një ekrani televiziv, kur dikush kishte vërejtur papërshtatshmërinë e sundimit të orës 13:45. Dhe një telekronist paska thënë me kënaqësi pa iu ndalë fryma “se kjo bëhet në varësi të zhvillimit të ndeshjeve të kampionatit të Anglisë”. E pra, kaq mjafton që këtij ekrani t’ia heqësh të drejtën e transmetimit të ndeshjeve të kampionatit të Shqipërisë.

Kështu, përderisa ai qenka televizion anglez dhe jo televizion shqiptar. Ose është televizion shqiptar që nuk ka pikë respekti për kampionatin e Shqipërisë, por qenka shërbëtor i denjë i kampionatit të Anglisë që dihet është i një shteti tjetër.

Më tej, kjo do të thotë se ky ekran apo televizion nuk ka pikë respekti për publikun shqiptar të kampionatit shqiptar, por ka shumë respekt për “nderin” e kampionatit anglez e tifozëve të tij, qoftë edhe ata snobë të Shqipërisë, të cilët as nuk duan t’ia dinë se si përfunduan ndeshjet e kampionatit të shtetit të tyre shqiptar.

Nëse është e vërtetë kjo – dhe me sa duket është – atëherë paskemi marrë fund. Kështu, ngaqë për blerësit televizivë më i rëndësishëm qenka kampionati i Anglisë sesa ai i Shqipërisë që është Atdheu ynë, i të parëve tanë.

Cila mund të jetë zgjidhja?

Shumë e thjeshtë. FSHF t’i thërrasë shpirtit të saj atdhetar, aq sa ai i ka mbetur, dhe të vendosë orare të arsyeshme e të pranueshme prej popullit shqiptar. Ndryshe t’i “dhurojë” apo t’ia shesë të drejtën e transmetimit të kampionatit të Republikës së Shqipërisë, atij televizioni që e do fort Shqipërinë e vet. Ose që do fort më shumë Shqipërinë sesa Anglinë. Ndryshe s’bëhet.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"