Edhe Teuta kundër FSHF-së: Rrumpallë me kampionatin, Duka e ka mendjen te Kombëtarja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 14, 2017 | 13:31

Edhe Teuta kundër FSHF-së: Rrumpallë me kampionatin, Duka e ka mendjen te Kombëtarja

Teuta do të luajë të mërkurën kundër Luftëtarit në Gjirokastër dhe, më pas, do të presë Vllazninë në Durrës. Por, duket se shtyrja e ndeshjes Vllaznia-Lushnja nuk është përtypur mirë në klubin durrsak. Presidenti Edmond Hasanbelliu ka thënë për “Panorama Sport” se vendimi më i fundit i FSHF-së i ngjan një historie qesharake. Sipas tij, Teuta është më e dëmtuara.

Hasanbelliu

“Më duket jo e ndershme kjo situatë. Sikur po e bëjnë për kunj kundër nesh. Është një vendim, i cili na dëmton si skuadër. Është ndryshe të luajmë me Vllazninë, kur të dyja skuadrat vijnë pas 15 ditësh pushim dhe ndryshe kur ne do të jemi në fushë të mërkurën dhe kundërshtari i radhës do të na ndjekë nga televizori.

Nuk jemi në një situatë të barabartë. Vërtet ka probleme me fushat dhe i mirëkuptojmë, por jo të bëhet kalendari në këtë mënyrë. Nuk po e kuptojmë çfarë po bëhet. Një herë shkon Vllaznia në Korçë dhe pastaj s’pranon të shkojë në Lushnjë. Një rrumpallë e vërtetë”, ka thënë fillimisht për gazetën presidenti i Teutës.

Më tej Hasanbelliu thekson rëndësinë e krijimit të Ligës Profesioniste. “Prandaj duhet bërë sa më shpejt Liga, pasi nuk mund të shtyhet më me këto histori qesharake. Me sa duket, presidenti i FSHF-së e ka mendjen te Kombëtarja, sepse këto janë situata që nuk duhet të ndodhin.

Nuk mund të futem në kompetencat e Federatës, por kjo që ka ndodhur nuk i bën aspak mirë mbarëvajtjes së kampionatit. Ne jemi ekipi që do ta kemi në kurriz këtë herë, ndërsa nesër mund ta pësoj një tjetër klub”, përfundoi Hasanbelliu.

Ndërkohë, durrsakët luajnë nesër një transfertë të vështirë në Gjirokastër, teksa prej dy muajsh nuk fitojnë në kampionat. Pas Luftëtarit të mërkurën, Teuta do të luajë më pas të dielën në shtëpi ndaj Vllaznisë, skuadra që ka mundur për herë të fundit pikërisht për llogari të javës së dytë të kampionatit në “Loro Boriçi”. Klubi durrsak kërkon patjetër që këtë sezon të kapë Kupat e Europës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"