Edhe Teuta kërkon të prishë festën e Tiranës, Peposhi: Fitohet në fushë, jo duke bërë parashikime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 2, 2022 | 22:18

Edhe Teuta kërkon të prishë festën e Tiranës, Peposhi: Fitohet në fushë, jo duke bërë parashikime

Teuta fitoi me poker golash me Kukësin në “Niko Dovana”, sfida që vlente për javën e 31- të të Superiores. Mesfushori i Teutës, Ergys Peposhi, qëndron me këmbë në tokë për sa u përket ndeshjeve dhe rezultateve.

PEPOSHI

Peposhi, në një intervistë për “Panorama Sport”, thotë se skuadra duhet të mos entuziazmohet shumë dhe se ndeshja me Tiranën do vlerësim maksimal dhe do të konfirmojë vazhdimësinë e ekipit. Ai shprehet se kjo ishte një shenjë e mirë, pasi ekipi ruajti vazhdimësinë në kampionat. Peposhi tregohet altruist jo vetëm në fushë, por edhe kur pyetet për dy momente që ai shërbeu kur Hebaj shënoi, sipas tij rëndësi kanë fitoret ndërsa statistikat vlejnë për aspektin personal.

Një fitore me tepër vlerë ndaj Kukësit?
Ndeshja nisi mirë për ne, që shpërdoruam disa raste, por më pas arritëm të shënonim. Në fraksionin e parë edhe kundërshtari kishte shanset e tyre, teksa dhe barazuan. Më pas një pjesën e dytë hymë në fushë më të motivuar dhe arritëm të shënonim shpejt gjë që na dha qetësi për minutat në vijmë.

Ndeshje me grintë në anën personale?
Unë jap 110 për qind, si 1 minutë si 90 minuta. Realisht bëra një ndeshje të mirë, por nuk duhet të kënaqem me kaq, vijimësia është ajo që vlen. Ta harrojmë ndeshjen me Kukësin. Ky grup është rritur shumë dhe duhet respekt, shpresojmë të bëjmë mirë edhe ndaj Tiranës.

Ndaj Kukësit krijuat shumë raste, por edhe ju protagonist me një asist te goli i parë dhe pasim për Dacin tek goli dytë i Hebajt…
Rëndësi kanë pikët. Më erdhi mirë, të them të drejtën, pasi Daci më pa. Jam i kënaqur për pasin dhe që u përmbyll me gol. Rëndësi ka të fitojë ekipin pastaj këto janë statistika personale që më vlejnë për vazhdimësinë dhe rritjen time si futbollist.

Tashmë morali i skuadrës është i lartë, ndaj Tiranës synohen tri pikët?
Janë dy gjëra që duken të ndara nga njëra-tjetra. Psikologjikisht, na bën mirë si ekipi, pasi tregoj reagimin që prisnim. Ruajtëm vazhdimësinë në kampionat, ku fitoret rresht na japin moral. Duhet të jemi me këmbë në tokë. Loja fitohet në fushë, jo duke bërë parashikime për ndeshjen ndaj Tiranës. Duhet të jemi gjithë kohës me motivim maksimale. Na duhet të jemi dhe akoma më të përqendruar.

E keni parë dhe studiuar Tiranën në ndeshjen e fundit?
Po, e kemi parë në dy ndeshje Tiranën dhe mendoj që ata kanë një ekip të fortë, prandaj ne e kemi marrë shumë në konsideratë. Janë një skuadër cilësore dhe me alternativa në stol.

Keni zhvilluar dy ndeshje ku të dyja i keni fituar me Dinamon e Kukësin. A mendoni që kjo është vërtet forca e Teutës?
Nëse ne duam qa të realizojmë objektivat dhe të arrijmë atje ku ne duam, duhet të fitojmë edhe ndeshjet jashtë. Jo vetëm ato në shtëpi dhe mbi të gjitha edhe takimet me rivalë si Tirana.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"