“Edhe Ronaldo humbet raste”, sulmuesi i Teutës largon presionin: Zhbllokohem me Kamzën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 26, 2018 | 16:16

“Edhe Ronaldo humbet raste”, sulmuesi i Teutës largon presionin: Zhbllokohem me Kamzën

Në dy ndeshjet e para, Teuta ka regjistruar dy barazime, dy pikë që kanë kënaqur skuadrën. Përveç lojës së bukur që bregdetarët kanë aplikuar, një element tepër pozitiv është edhe siguria në mbrojtje. Por, përveç gjërave pozitive, kanë shfaqur edhe probleme dhe një ndër to është sulmi.

Amadu Latif nuk ka arritur ta gjejë rrjetën në dy ndeshjet e para. Ai nuk ndihet nën presion dhe për këtë falënderon stafin teknik dhe guxon të bëjë krahasime edhe me sulmues të klasit botëror si Ronaldo, për të treguar se nuk është fundi i botës nëse nuk shënon në dy ndeshje. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, ai premton se do të shënojë më shumë se sezonin e kaluar dhe garanton Europën.

latif turtulli

Një tjetër barazim, a jeni të kënaqur me pikën e marrë në Tiranë?

Tirana është një skuadër e mirë dhe të marrësh një pikë kundër një kundërshtari të fortë kur luan në transfertë, është pozitive. Edhe pse ne e kishim përgatitur ndeshjen për ta fituar dhe kishim pritshmëritë tona, prapë jemi të kënaqur.

Ju nuk shënuat dhe ishte ndeshja e dytë radhazi. Si ndiheni për këtë gjë?

Unë jam profesionist dhe nuk i bazoj shumë gjërat në atë çfarë ndodhi dje (të premten), por fokusohem në atë që do të ndodhë nesër. Kampionati sapo filloi, nga 36 ndeshje kemi luajtur vetëm 2. Kjo mund t’i ndodhë çdo sulmuesi të klasit botëror. Kam besim në potencialin tim dhe e di që do të shënoj gola. Jo gola si në sezoni që shkoi, prandaj jam OK. Mund të shënoj tre gola në një ndeshje që mund të barazojnë 2 ndeshjet që nuk kam shënuar, prandaj jam i fokusuar në 34 ndeshjet që do të vijnë e jo ato që kanë ikur.

Çfarë ju tha Shkëmbi pas ndeshjes për rastet e humbura që mund të kishit shënuar?

Shkëmbi ka luajtur futboll më parë dhe ai e kupton lojën në mënyrë perfekte sepse ai është profesionist dhe shumë i mirë në atë që bën. Ai beson tek unë dhe e di që unë do të shënoj për të, për klubin dhe për veten time. Më tha të mos shqetësohesha sepse goli do të vijë. Kristiano Ronaldo është një futbollist i klasit botëror, por në debutim me Juventusin ai i humbi shanset për të shënuar gol sepse çdo gjë është pjesë e lojës.

Ku qëndron problemi që ju nuk mund të shënoni?

Ju mendoniSE është problem për mua? Nuk është… (qesh) Për shembull, nëse unë shënoj në dy ndeshjet e radhës dhe nuk do të shënoj më në ndeshjet e mbetura, çfarë do të thoni? Futbolli është një proces dhe unë e di se çfarë mund të bëj dhe po ju them se unë do të shënoj më shumë gola këtë vit se vitin që shkoi, me ndihëm e Zotit.

A ndiheni në presion që nuk keni shënuar dy ndeshjet e fundit?

Më keni ndjekur vitin që shkoi. Nuk shënova në më shumë se dy ndeshje, por në fund shënova 11 gola në total dhe bëra më të mirën për klubin tim që të qëndronte në Superiore. Nuk ndihem në presion sepse futbolli shkon bashkë me momentet e mira dhe të këqija, prandaj duhet të kesh besim në veten tënde dhe të fokusohesh te përmirësimi i performacës tënde pas çdo ndeshjeje për të korrigjuar gabimet e bëra.

Sa larg mund të shkojë Teuta ketë sezon?

Teuta do të surprizojë shumë sepse ne do të kualifikohemi për në Europa League. Kemi kualitet që nga presidenti te stafi drejtues, futbollistët në fushë e deri te fansat e mrekullueshëm.

Tani që jeni familjarizuar me kampionatin, a është me e lehtë për ju?

Ky vit do të jetë më i lehtë sesa viti që shkoi. Pavarësisht se pata një fillim të vështirë, unë jam një luftëtar që nuk heq dorë.

Do ta fitojë Teuta ndeshjen e radhës në shtëpi ndaj Kamzës me një gol të shënuar nga ju?

Dua të shënoj për ta bërë veten time të lumtur, skuadrën, fansat dhe familjen e madhe të Teutës.

Drilon Xhepollari

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"