Edhe Partizani “me kasetë”, Daja: E respektojmë kundërshtarin, por duhen blerje në Europë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 15, 2021 | 23:30

Edhe Partizani “me kasetë”, Daja: E respektojmë kundërshtarin, por duhen blerje në Europë

Klubi i Partizanit ka publikuar një intervistë sot në orën 23:00 në rrjetet sociale të trajnerit Ilir Daja. Natyrisht, duke parë interesimin e publikut dhe të medias, klubi ka vendosur që të shpërndajë një intervistë të përgatitur vetë me trajnerin. Ngjante pak a shumë si ato kasetat e gatshme që bëjnë partitë politike gjatë fushatave, apo edhe institucione shtetërore që përpiqen gjithnjë të të japin atë që duan. 

Daja

Por fundja, Partizanit nuk ia mohon askush këtë. Madje duket një strategji e mirë tani është çmontuar gjysma e skuadrës, sepse Daja apo edhe drejtues të klubit shmangin pyetje të sikletshme “pse ikin kaq shumë lojtarë nga një skuadër që flirtoi me titullin?”, “Sa përfitoi klubi nga ikja e tyre, pasi ishin me moshë mesatare të re…?”,

“Pse Partizani bën vazhdimisht të njëjtën gjë, pra ndryshon ekipin çdo fund sezoni…?”… Prandaj, edhe intervista me Dajën dje ishte “komode” për klubin, pavarësisht se opinioni publik dhe tifozët e kuq nuk marrin asnjë përgjigje për situatën ku ndodhet ekipi. Ja intervista e plotë e Dajës, përgatitur nga klubi:

Profesor, si po shkon përgatitja e skuadrës në këtë javë të dytë?

Kemi bërë një javë stërvitje në Tiranë dhe dje kemi udhëtuar drejt Ohrit, në kushte optimale, qoftë sa i përket akomodimit të ekipit, apo edhe klimës. Stërvitemi në kushte optimale. Presim të plotësohemi aty ku kemi nevojë, sepse disa lojtarë janë larguar. Jemi në bisedime me disa futbollistë për të plotësuar hapësira, në mënyrë që përgatitja për ndeshjen e parë në transfertë në Moldavi, të na gjejë sa më mirë që të jetë e mundur.

Kemi pasur preferencë për shortin dhe çfarë mendimi keni për kundërshtarin?

E para është plotësimi i ekipit me lojtarët e duhur për të pasur një përfaqësim sa më dinjitoz. Kemi marrë vesh kundërshtarin dhe ndeshjen e parë e kemi në transfertë.

Është një kundërshtar që vitin e kaluar ka kaluar një tur në Kupat e Europës, ndërsa është eliminuar në kohën shtesë me Partizanin e Beogradit. Kanë qenë përballje me 1 takim. Nuk është një ekip i lehtë, pavarësisht se koeficientin e ka të ulët. Është formuar në vitin 2003, pra ka pak vite në traditën e futbollit moldav. Prezantimi që ka bërë vjet, ka qenë pozitiv.

Projekti dhe formatimi për sezonin e ardhshëm…

Ne nuk do ndajmë pjesën e Europës me formatimin për edicionin e ardhshëm. Kjo është më emergjente, pasi ndeshja zhvillohet më datën 8 korrik. Afërsisht edhe 4 javë.

Lojtarët që do të përfaqësojnë Partizanin në Ligën e Konferencës, do të jenë pjesa më e madhe që do të përfaqësojnë Partizanin në edicionin tjetër. Mbas eliminatoreve do të kemi më shumë hapësira për të plotësuar grupin e Partizanit. Objetivat e Partizanit janë gjithmonë maksimale”, përfundoi Ilir Daja.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"