Edhe një tjetër me COVID, trajneri Gjyla: Nuk dua t’i shes futbollistët, por kanë gabuar. Pres një lider në…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 22, 2020 | 14:45

Edhe një tjetër me COVID, trajneri Gjyla: Nuk dua t’i shes futbollistët, por kanë gabuar. Pres një lider në…

Tjetër lojtar me COVID te Lushnja. Aldo Bani është infektuar nga ky virus dhe prej 7 ditësh është izoluar.

131309237_180565777098511_4640073709104618018_n

Ishte vetë trajneri që zbuloi shkakun e mungesës së qendërmbrojtësit në Berat, gjatë konferencës që dha dje për mediat. Ilir Gjyla ka analizuar me detaje fazën e parë, ndërsa nuk ka i ka kursyer as kritikat, kryesisht për mbrojtjen. Edhe pse në kompleks i quan të suksesshme 8 ndeshjet e zhvilluara, gabimet nuk i përtyp dot.

Si ka qenë ecuria e Lushnjës këtë fazë të parë të kampionatit?

Nuk është se kemi korrur ndonjë sukses të madh. Gjithsesi, ecuria është pozitive duke pasur parasysh rrethanat në të cilat ngritëm ekipin. Kemi lënë disa pikë me Turbinën apo Tomorin, që nuk na kanë lejuar të ngjitemi më lart. Megjithatë, kjo është skuadra, ky është futbolli me të papriturat e veta.

Si do të operoni me merkaton?

Jemi të hapur për merkaton. Mendojmë që në të tria repartet na duhen futbollistë, sidomos në mbrojtje.

Vetëm mbrojtja është me faj për golat e pësuar?

Në lojën në mbrojtje të gjithë kanë fajin e tyre, duke filluar nga sulmuesit. Ndaj, thashë duhen përforcime në të tria repartet. Jo se nuk është për t’u vënë alarmi, por nuk jemi ekip që kemi pësuar shumë. Gjithsesi, me Pogradecin nuk mund të ndëshkoheshim tri herë.

Sa ju kanë dëmtuar mungesat e vazhdueshme?

Ju kujtoj se nuk kanë luajtur asnjëherë të njëjtët futbollistë në të gjitha ndeshjet. Sa dëmtimet aq edhe Korona bënë të vetën. Asnjëherë dy lojtarë bashkë në një repart nuk kanë luajtur. Kjo na ka bërë që të kemi një amulli. Vetëm me Besën kemi pasur formacionin e duhur.

Çfarë ka ndodhur më pas?

Që pas Besës u dëmtuan Xeka dhe Luisi. Braziliani që nga ndeshja e parë nuk luan më fare. Nëse mund të flasim për 4 futbollistët e huaj, braziliani ishte i duhuri. Jo se këta të tjerët nuk ishin, pasi vetë i kemi përzgjedhur. Nuk mund t’ia delegojmë dikujt tjetër këtë. Për ndeshjen e fundit kritikuat dy afrikanët… Ka disa ndeshje që Boni Valeri edhe Abdulxhabar bëjnë gabime.

Në Vlorë fituam, por ata gabuan. Atje nuk u ndëshkuam nga Flamurtari, por gabimet trashanike. Aty ku e lënë ata topin, edhe unë e shtyj në rrjetë. Nuk është vetëm faji i tyre. Pas ndeshjes me Pogradecin thashë që “nuk shitet kali me një herë të penguar”. Nuk jam nga ata që i shes futbollistët, pasi unë i kam zgjedhur. Por, kur gabojnë disa herë, atëherë duhet të ndalojmë.

Gjatë këtyre tri viteve i keni kritikuar në vazhdimësi lojtarët mbrojtës, pse ndodh kjo?

Lushnja e ka pasur traditë një mbrojtje shumë të mirë. Madje, mbrojtjen e ka pasur më të mirën nga të gjitha repartet. Kur mora unë drejtimin e ekipit, prej 10 vjetësh nuk ishte afruar asnjë futbollist. Ndaj, është krijuar vakum, u punua keq. Para tre vjetësh fillova të afroj disa futbollistë si Zdrava apo Basha. Ndërkaq, na infektohen Basha, Musaku dhe luajti Bani apo Abdulxhabar. Pastaj u prek edhe Bani me COVID, që është tani i izoluar. Mungoi ky i fundit, ndaj luajti Abdulxhabar.

Çfarë i mungon kësaj Lushnje si konkluzion?

Normal që po ankohem. Kemi futbollistë nga 20 vjeç, pa eksperiencë. Bani e ka vitin e parë që luan. Me të vërtetë e kemi pasur në ekip, por nuk ka luajtur sepse kemi pasur futbollistë të tjerë. Unë mendoj krahasimisht për atë çfarë i mungon mbrojtjes së Lushnjës.

Ekipit i mungon një lider, të mos flas për mbrojtjen. Duam një mbrojtës që të jetë pak në moshë, të ketë eksperiencë dhe të plotësojë kriteret e një lideri, për të drejtuar punën e mbrojtjes.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"